Punën privati, luksin shteti

  • 15 January 2019 - 07:50
Punën privati, luksin shteti

Të gjithë duan të kenë një rrogë shteti

"Sektori publik po thith punëtorët, të cilët po i joshin me paga dhe, përveç të tjerash, edhe nuk bëjnë punë fare. Mirëfilli dihet se Qeveria mbahet me paratë e taksapaguesve dhe shumica e buxhetit mbushet nga sektori privat, i cili po e mban këtë aparaturë të shtrenjtë shtetërore. Prandaj, duhet thënë troç se taksapaguesit e Kosovës paguajnë jo për lukse të pushtetarëve, por për të përfituar qytetarët të mira publike", thotë analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot"

Analistë të politikës dhe qytetarët janë të bindur se rritja e herëpashershme e pagave në sektorin publik, kryesisht në prag të zgjedhjeve, në dëm të sektorit privat, ka krijuar disbalancë të madhe në ekonominë e Kosovës, ku sektori publik po thith punëtorët, të cilët po joshen me paga dhe, përveç tjerash, edhe nuk bëjnë punë pothuajse fare. Analistët e ekonomisë thonë se taksapaguesit paguajnë jo për lukse të pushtetarëve, por për të përfituar qytetarët të mira publike. Prandaj, sipas njohësve të kësaj fushe, vlerësohet se një sjellje e tillë qeveritare është dekurajuese për bizneset, të cilat heqin të zitë e ullirit për t'i mbijetuar tregut.

Analisti Ali Hertica, për gazetën "Kosova Sot", thotë se tashmë ka një dallueshmëri të pagave në mes të sektorit publik dhe atij privat. "Në sektorin publik pagat janë të larta me performancë të pamerituar, kurse në sektorin privat është një qasje pak më ndryshe", u shpreh ai. Sektori privat, i margjinalizuar nga shteti Sipas analistit Hertica, bazuar në këto të dhënave del se sektori privat ka pagën më të ulët dhe është lënë në mëshirën e fatit, dihet që në sektorin privat janë të punësuar mbi 300 mijë qytetarë apo kontribuuesit më të mëdhenj të mbushjes së arkës së shtetit. "E, në anën tjetër, kryeministri i vendit merr guximin edhe ia rrit vetes pagën dhe shërbyesve të vet, dhe atë në kundërshtim me ligjin. Edhe pse shumica e ndërmarrjeve publike janë buzë falimentimit, ky sektor ende merr pagën më të madhe në vend, pastaj edhe nuk ka efikasitet, kjo dukuri duhet të ndalet, sepse Kosova po vuan shumë nga disa grupe kriminale që vetëm dëme po i shkaktojnë vendit", vijoi më tej Hertica. "Sipas të dhënave, paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është mbi 420 euro në muaj, derisa, sipas të dhënave të organizatave ekonomike në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro. Një rritje e tillë ekonomike në masë të madhe pritet të vijë nga rritja e veprimeve spekulative apo koordinimit monopolist në dëm të qytetarit të Kosovës,pagat minimale ekzistuese në sektorët kyç të shtetit tonë nuk garantojnë shërbime dhe të gjithë këtë disbalancë të ekonomisë së shtetit e sjell një politikë monopoliste dhe e mafio-oligarke që zhvatin dhe luajn me taksën e qytetarit për lukset e tyre", shpjegoi analisti Ali Hertica. Qytetarët akuzojnë politikanët Krahas analistëve politik, edhe qytetarët e anketuar po ankohen në dallimin e madh në mes të pagave në sektorin e shtetit dhe sektorit privat.

Qytetari Mirsad Krasniqi nga Prishtina, për gazetën "Kosova Sot", thotë se nuk ka asnjë dyshim se diferencat e mëdha në mes të rrogave në sektorin publik dhe atij privat, që janë më të vogla,krijon një padrejtësi të madhe për punëtorët e sektorit privat. "Ndërkaq, e tëra kjo po ndodh, sepse shumë kompani private kanë pronarë të vërtetë politikanët tanë, të cilëve u konvenon që ato rroga të punëtorëve të jenë sa më të vogla e sa më të padinjitetshme", u shpreh ai. "Këtu pak është edhe gabimi i punëtorëve që po pranojnë të punojnë për rroga të tilla aq të ulëta, ndonëse e di se bëjnë këtë nga skamja madhe që i ka kapluar, duke e pranuar një fyerje e tillë. Sepse, e veçanta është se në tërë botën rrogat në sektorin privat janë dukshëm më të mëdha sesa në sektorin shtetëror apo publik, kurse te ne në Kosovë është e kundërta. Sepse, këtu situata për bizneset e ndershme është shumë e vështirë që të mbijetojnë, sikurse edhe për njeriun e ndershëm. Prandaj, kjo edhe është arsyeja se përse në Kosovë janë rrogat më të dobëta në sektorin privat krahasuar me sektorin shtetëror", vlerësoi Krasniqi.

Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina, Ismail Hamiti, për gazetën "Kosova Sot", u shpreh se nuk ka asnjë dyshim se rrogat në Kosovë duhet që të jenë të balancuara në mes të dy sektorëve. "Rrogat në sektorin privat janë dukshëm më të vogla sesa ato në sektorin shtetëror, ku shumica sish janë të punësuar familjarë të pushtetarëve dhe militantë partiakë, përmes të cilëve pushtetarët tanë i sigurojnë zgjedhjet e radhës. "Prandaj, si qytetar e pensionist i këtij vendi, vlerësoj se rritja astronomike e pagave në sektorin publik ka krijuar një disbalancë të madhe në ekonominë e brishtë të Kosovës në dëm të sektorit privat, aq më tepër kur dihet se sektori publik po i merr punëtorët, të cilët po joshen me paga më të mëdha dhe në të njëjtën kohë e them lirshëm se nuk bëjnë punë pothuajse fare dhe në punë shkojnë sa për sy e faqe, sikurse që është PTK-ja", potencoi ai

DISBALANCË E THELLË

Bislim Aliu, analist, për gazetën "Kosova Sot" thotë se rritja e pagave në sektorin publik ka krijuar disbalancë në ekonominë e Kosovës në sektorin publik, në dëm të sektorit privat. "Aq më tepër kur dihet se sektori publik po thith punëtorët, të cilët po i joshin me paga dhe, përveç të tjerash, edhe nuk bëjnë punë fare. Mirëfilli dihet se Qeveria mbahet me paratë e taksapaguesve dhe shumica e buxhetit mbushet nga sektori privat, i cili po e mban këtë aparaturë të shtrenjtë shtetërore. Prandaj, duhet thënë troç se taksapaguesit e Kosovës paguajnë jo për lukse të pushtetarëve, por për të përfituar qytetarët me të mira publike. Një sjellje e tillë e qeveritarëve është dekurajuese për bizneset, të cilat heqin të zitë e ullirit, për t'i mbijetuar tregut. Prandaj, kjo edhe është arsyeja se për këtë ka rënë interesimi për blerje të aseteve të ndërmarrjeve publike e shoqërore, edhe për faktin, se të bësh biznes, sot këtu në Kosovë është tepër vështirë", potencoi Aliu.

MBIPUNËSIMI ME PASOJA

Analisti Shefik Shkodra, për gazetën "Kosova Sot", thotë se është shumë e qartë se Qeveria e Kosovës, këtë herë me ngritjen e pagave në Sektorin Publik ka krijuar disbalancë (një pabarazi) me sektorin privat. "Numri shumë i tepërt i të punësuarve në administratë dhe segmentet joprodhuese ka bërë që, vetëm për paga vjetore të rritet buxheti përtej mase. Edhe numri që është i nevojshëm, ose dyfishimi, vetëm për të krijuar simpatizantë sa më tepër, kjo do të shkaktojë jo veç distancë, rritje të problemit social, por edhe ndalje të mundësive për t'i përballuar gjendjen e përgjithshme sociale. Tjetër, dihet prej gjithkujt se ky buxhet krijohet, përveç të tjerash, të shumtën nga sektori privat", vlerësoi Shkodra.