Tusk bën thirrje për një zgjidhje pozitive pas kundërshtimit të marrëveshjes për Brexit

  • 15 January 2019 - 23:18
Tusk bën thirrje për një zgjidhje pozitive pas kundërshtimit të marrëveshjes për Brexit

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk bëri sot në mbrëmje thirrje për një zgjidhje pozitive pas kundërshtimit të marrëveshjes për Brexit nga deputetët britanikë.

‘’Nëse një marrëveshje është e pamundur, dhe se askush nuk dëshiron një jo-marrëveshje, atëherë kush ka guximin të thotë cila është zgjidhja e vetme pozitive ?’’, deklaroi Tusk, i cili ishte lideri i parë europian që shfaqi qëndrimin e tij pas votimit me një postim në Twitter.

Sot, Theresa May ka përjetuar disfatën më të rëndë parlamentare të një kryeministri britanik në epokën demokratike, pasi anëtarët e parlamentit të vendit kanë hedhur poshtë marrëveshjen e saj me Bashkimin Evropian për daljen e Britanisë nga blloku evropian, me një shumicë të madhe prej 230 votash.

Konservatorët që mbështesin “Brexit”-in kanë bashkuar forcat me partitë opozitare për të goditur qeverinë në “votimin e rëndësishëm”, të cilin kryeministrja e vendit e kishte shtyrë para Krishtlindjes, me shpresën se disa anëtarë të parlamentit do të ndryshonin qëndrim. 

Lideri i laburistëve opozitarë në Britani, Jeremy Corbyn, paraqiti sot në mbrëmje një mocion mosbesimi ndaj qeverisë konservatore të Theresa May.

Votimi pritet të zhvillohet në pasditen e së mërkurës.

 

(Kosova Sot)