Hertica: Liderët u zhytën në luks

  • 17 January 2019 - 16:27
Hertica: Liderët u zhytën në luks

Analisti Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se liderizmi politik i dalë nga lufta e harroi të kaluarën dhe u thellua nën petkun e luksit  dhe pasurimit individual, duke zhvatur çdo pjesë të mbetur të Republikës. “Mbi 22 miliardë euro llogariten dëmet e luftës që Serbia ka shkaktuar në Kosovë para dhe gjatë luftës së fundit (1990-1999), thonë zyrtarë të Qeverisë dhe analistë në Prishtinë. Por, kompensimi për dëmet e luftës deri më tash nuk është diskutuar gjatë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që është zhvilluar në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian”, u shpreh ai. 

“Aktualisht, Kosova dhe Serbia janë futur në fazën finale të dialogut, në të cilën është paralajmëruar edhe arritja e një marrëveshjeje finale që do të nënkuptonte normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, ndërkaq sipas analistëve, në agjendën e bisedimeve duhet patjetër të diskutohet edhe për dëmet e luftës. Zyrtarë të Qeverisë se Kosovë, ndërkaq, më herët patën deklaruar se padia do të ngrihej kur Kosova do të mund ta bënte këtë si vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, vijoi  më tej Hertica. 

“Duhet kujtuar se në muajt e fundit ka pasur deklarime të krerëve të shtetit të Kosovës, të Serbisë, si dhe të përfaqësuesve të lartë evropianë, se dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel është në fazën përfundimtare. Ky dialog pretendohet të mbyllet me një marrëveshje paqësore mes dy shteteve, që do jetë e dhimbshme për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.

Lexo edhe këtë: Politikanët injorantë shkelën mbi gjakun e dëshmorëve

(Kosova Sot)