E mundi meningjitin katër herë, por mbeti me pasoja

  • 17 January 2019 - 16:37
E mundi meningjitin katër herë, por mbeti me pasoja

Luca Johnson mund t'i ketë ikur vdekjes të paktën pesë herë, por prindërit e tij insistojnë se ai është 'djali më i lumtur që mund ta takoni ndokund'. Ky vogëlush, që kishte lindur 12 javë para kohe, ka mbetur me dëmtime të përhapura të trurit, pasi mbijetoi sepsën dhe katër goditje të meningjitit. Mjekët tani thonë se ky djalë 18 muajsh mund të mos ecë asnjëherë, as të flasë, apo qoftë edhe të qëndrojë në këmbë, për shkak të dëmtimeve që i ka përjetuar. Por, e ëma e Luca-s, Jodie, 30 vjeçe, thotë se ajo beson që djali i saj 'i mrekullueshëm', do t'i befasojë të gjithë me përparimin e tij, sepse 'çdo gjë është e mundur'.

Luca u prek nga sepsa

Duke folur rreth të së ardhmes së pasigurt të djalit të tij, ajo thotë: 'Thjesht nuk e dimë se çka apo si do të zhvillohet në të ardhmen. Ende kaplohem nga emocionet, por është Luca ai që na jep energji me buzëqeshjen e tij të madhe. Ai është djali më i lumtur që kemi parë ndonjëherë. Çdo javë i bëjmë ushtrime fizikale, për t'ia rritur forcën. Përkundër asaj që thonë mjekët, mendoj se me një përkushtim dhe besim të madh, mund të arrihet çdo gjë. Unë kam besim te ai". Ajo shton se, sipas saj 2019 do të jetë viti i Luca-s. 'Dua t'i tregoj botës se çfarë djali i mrekullueshëm është ai dhe çfarë frymëzimi do të jetë ai për të tjerët. Edhe pse ka dëmtime të trurit, kjo nuk e ndalë atë dhe nuk është fundi i botës". Derisa Luca i kishte përjetuar të gjitha këto probleme, motra e tij binjake, Lola, habiti të gjithë me përparimin që arriti. Luca u prek nga sepsa, një reagim fatal imun ndaj një infeksioni, kur kishte vetëm gjashtë javë. Atij i kishin dhënë edhe morfinë, për ta mbajtur dhembjen nën kontroll. Pasi mundi sepsën, ai më pas u prek nga meningjiti bakterial, kur kishte vetëm 11 javë. Dhe, sikur kjo të mos mjaftonte, meningjiti iu përsërit edhe tri herë të tjera, duke e lënë me pasoja në tru. Më pas Luca u diagnostikua me leukomalaci periventrikulare (PVL) - një lloj i lëndimit të trurit që haset shpesh te bebet e lindura para kohe. Ai po ashtu vuan edhe nga një formë e paralizës cerebrale, e cila pengon rëndë zhvillimin e tij. Ja si shprehet nëna e tij: 'Luca ka qenë i detyruar që të luftojë që nga dita kur lindi, pasi për dy javë pas lindjes, ai ishte me aparate të frymëmarrjes. Sa mendonim se i tejkaluam vështirësitë, ato na përsëriteshin'. 

"Dukej sikur një ëndërr e keqe"

Zonja Johnson thotë se për herë të parë vërejtën se diçka nuk ishte në rregull me djalin, gjatë meningjitit të tretë të tij. Ajo shton: 'Deri në qershor të atij viti, djali im u sëmur përsëri. Mendoj se shkaktari përsëri duhet të ketë qenë i njëjtë. E çuam në spital ku na e dhanë lajmin e keq, se ai ishte prekur nga meningjiti për herë të katërt. Dhe, asokohe ai kishte vetëm 9 muaj. Kjo ishte gjëja më e frikshme që kisha përjetuar ndonjëherë dhe, nuk është se e përjetuam vetëm një herë, por 4, 5 herë. 'Dukej sikur një ëndërr e keqe që nuk mbaronte kurrë, por e tëra që mund të bëja, ishte të shpresoja se do të ndodhte ndonjë magji, apo mrekulli'. Analizat e skanimit të trurit, MRI dhe CT, më pas treguan se ai kishte pësuar dëmtime të mëdha të trurit. Zonja Johnson thotë: 'Na nevojitej pak kohë që ta përpunonim të gjithë këtë, meqë asnjëherë nuk mund të jeni të përgatitur që t'iu thonë se djali juaj ka dëmtime të trurit". Duke i ditur të gjitha këto vështirësi, nëpër të cilat nuk ka kaluar vetëm Luca i vogël, por edhe familja e tij, nuk ka sesi të mos i admirojmë prindërit e tij për fuqinë dhe optimizmin që vazhdojnë ta kenë edhe sot e kësaj dite. Dhe, për shpresën e tyre se djali i tyre, Luca i vogël, do t'i befasojë të gjithë me zhvillimin që do të arrijë. 

 

(Kosova Sot)