Prokuroria e Kosovës i merr përgjigjet nga Serbia për vrasjen e Ivanoviqit

  • 18 January 2019 - 17:14
Prokuroria e Kosovës i merr përgjigjet nga Serbia për vrasjen e Ivanoviqit

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se ka marrë përgjigje për disa nga kërkesat që janë bërë lidhur me vrasjen e Ivanoviqit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për media, bëri të ditur se ka marrë përgjigje në kërkesat e saj, të cilat ua ka drejtuar organeve kompetente të Serbisë, që ndërlidhen me procesin hetimor të vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se ka marrë përgjigje për disa nga kërkesat që janë bërë lidhur me vrasjen e Ivanoviqit.

“Në kërkesën e parë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila është paraqitur për herë të dytë, për dërgimin e thirrjeve hyrëse dhe dalëse, të SMS-ve dhe IMEI-t në telefonat e viktimës, Oliver Ivanoviq, organet serbe kanë thënë se këtë kërkesë duhet drejtuar te Telekomi serb (MTS) në Mitrovicën e Veriut, edhe pse nga PSRK-ja (Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës) kjo kërkesë në fillim është dërguar pikërisht te Telekomi serb në Mitrovicën e Veriut, i cili ka thënë se në pamundësi teknike, duhet drejtuar organeve kompetente në Serbi”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë dërguar mediave.

Më kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës thuhet se zëvendësprokurori kundër krimit të organizuar në Beograd ka intervistuar dëshmitarin Sasha Jankoviq, ku një kopje e procesverbalit të intervistës dhe shkresat e tjera përcjellëse i janë dorëzuar Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Organet serbe, vijon komunikata, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës për ekzaminimin e klonimit të gëzhojave dhe predhave të gjetura në vendin ku ka ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit, kanë bërë ekzaminimin e kërkuar dhe kanë thënë se arma e përdorur në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, sipas gjetjeve, nuk ka hasur në përputhshmëri të përdorimit të saj në ndonjë rast tjetër në Serbi.

“Të gjitha këto që u cekën më lart do të jenë pjesë përbërëse e shkresave të lëndës se rastit Ivanoviq, ndërsa PSRK-ja është e gatshme për vazhdimin e bashkëpunimit me organet kompetente të Serbisë, me qëllim të zbardhjes së vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Oliver Ivanoviq, lider i nismës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, është vrarë me 16 janar të vitit 2018, para zyrës së partisë së tij në Mitrovicën Veriore.

Nën dyshimet për përfshirje në këtë vrasje, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, tre persona janë arrestuar dhe një tjetër mbetet në kërkim. Por, lidhur me këto arrestime, organet në Serbi kanë shprehur dyshime të theksuara.

(Kosova Sot)