Minatorët kërkojnë nga Ramush Haradinaj të flasë me bordin e ‘Trepçës’

  • 18 January 2019 - 18:03
Minatorët kërkojnë nga Ramush Haradinaj të flasë me bordin e ‘Trepçës’

Kërkesën e tyre për të ndihmuar Trepçën minatorët e kanë përseritur sot në një takim të cilin e ka mbajtur kryeminstrit Ramush Haradinaj në qytetin e Mitrovicës.
Gjatë takimit të mbajtur në degën e AAK-së Mitrovicë, përveç udhëheqësve të degës kanë marrë pjesë edhe simpatizantë të kësaj partie.

Esat Meha, në emër të minatorëve të Trepçës, kërkoi nga kryeministri Ramush Haradinaj që ta grumbullojë stafin e vet qeverisës dhe komisionet parlamentare lidhur me statutin e Trepçës dhe të zgjidhet një herë e përgjithmonë çështja e saj.

“Trepça nuk është vetëm e Mitrovicës por është e Shalës dhe e gjithë Kosovës”, ka thënë Meha.

Po ashtu minatorët kanë kërkuar nga kryeministri që të kontaktojë edhe me bordin e tanishëm të Trepçës dhe ushtruesin e detyrës pasi që, sipas tyre, ata i kanë paditur disa minatorë pas përfundimit të grevës prej gjashtë ditëve.

“Kërkojmë nga kryeministri i Kosovës me të gjitha kompetencat që i ka dhe që është zotuar se për gjithçka do të jetë prezent pranë qytetarëve të Kosovës, që të interesohet me një bord që është i formuar në Trepçë, le të ketë një kontakt shumë të shpejt dhe të kërkojë ushtruesin e detyrës të Kombinatit Trepça për të zhvilluar disa biseda me të. Unë ju njoftoj se udhëheqësit e Trepçës gjatë grevës që kemi qenë, pas përfundimit të saj që ka zgjatur gjashtë ditë, kanë marrë veprime që t’i padisin disa minatorë, andaj ne kërkojm një tubim për zgjidhje e këtij problemi “, ka shtuar tutje Meha.

Ndërsa kryeminstri Haradinaj lidhur me Ligji për Trepçën ka shtuar se ky ligj e ka bërë atë një kompani të re dhe nuk do të jetë më Trepça me borxhe.

“Tani e kemi formuar një bord, por me u kriju ajo që po thot ligji duhet edhe statuti. Trepça është e Kosovës dhe që nga momenti kur të votohet statuti ato që thotë dikush për Trepçën bijnë poshtë”, ka thënë Haradinaj.

Kryeminstri ka shprehur edhe bindjen e tij se statuti për Trepçën do të gjejë mbeshtetje dhe do të përkrahet nga të gjithë .

(Kosova Sot)