Vazhdon kontrolli i bizneseve në Kosovë për vendosjen e flamujve në produkte

  • 20 January 2019 - 07:45
Vazhdon kontrolli i bizneseve në Kosovë për vendosjen e flamujve në produkte

Inspektorati i Tregut në Ministrinë e Tregtisë po vazhdon kontrollet e operatorëve ekonomikë për vendosjen e flamujve që tregojnë vendin e origjinës.

Inspektorati ka kërkuar që deri në fund të janarit të gjitha marketet ta respektojnë udhëzimin administrativ.

Kryeinspektori, Lulzim Syla, ka thënë se qëllimi i udhëzimit nuk është gjobitja e bizneseve. “Në bazë të gjendjes në terren, vendosja e flamujve ka filluar në shumicën e marketeve, ne i këshilluam se ligji duhet të respektohet që të mos detyrohemi të gjobisim”, ka thënë Syla.

Në bazë të udhëzimit, vendosja e pjesshme e flamujve gjobitet me 1 mijë euro gjobë.

Ndërsa, nëse marketi nuk e respekton fare udhëzimin, atëherë inspektorati lëndën e paraqet në gjykatë. Gjoba nga kjo e fundit mund të arrijë deri në 20 mijë euro.

Ministri i Tregtisë, Endrit Shala, pati deklaruar se qëllimi i udhëzimit është që konsumatorët të dinë se çfarë po blejnë dhe nga vjen produkti.

(Kosova Sot)