Nuk ka marrëveshje, ka grevë

  • 20 January 2019 - 10:35
Nuk ka marrëveshje, ka grevë

Nesër bëhen një javë që kur mësimdhënësit e Kosovës kanë hyrë në grevë. Si pasojë e saj, procesi mësimor është ndërprerë në të gjitha nivelet, duke filluar nga institucionet parashkollore e deri tek institucionet e arsimit universitar.

Greva ka filluar më 14 janar kur edhe ishte dashur të fillonte mësimi. Kjo grevë është organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës.

Kërkesë është ngritja e pagave e cila po kërkohet të realizohet përmes koeficientit të pagave, që pritet të rregullohet me Ligjin për pagat i cili aktualisht, në formën e projektligjit, është në procedurë të miratimit në Kuvendin e Kosovës.

Ekspertët e arsimit dhe prindërit e nxënësve, nuk po pajtohen me grevën, si formë për realizimin e kësaj kërkese.

Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës ripërsëritë se përgjegjësinë për humbjen e orëve të mësimit do duhej ta marrin qeveritarët. Ai thotë se greva nuk do të ndalet deri në realizimin e kërkesës për rritje pagash.

Ndërkohë, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ditë më parë ka thënë se ndonëse kanë pasur takime të kohëpaskohshme me zyrtarë të SBASHK-ut, megjithatë është dashur të shqyrtohet gjendja reale dhe jo vetëm dëshira dhe vullneti i mësimdhënësve për rritje pagash.

Koeficienti i mësimdhënësve të arsimit fillor dhe të mesëm aktualisht, sipas SBASHK-ut, është 2 deri në 2.3 me pagë mesatare nga 420 deri në 440 euro, kurse kërkohet që ky koeficient të rritet në 2.6 respektivisht 3, që i bie paga mujore të arrijë në rreth 650 euro.

Ndryshe edhe Këshilli për Lirinë dhe të Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut ka reaguar përmes një komunikate duke thënë se “kërkesa për grevë që mund të zgjasë për muaj të tërë, në fakt është përpjekje të legalizohet kushtëzimi për arritjen e qëllimeve dhe si i tillë është i papranueshëm dhe i dëmshëm.

Pas kësaj greve e cila nuk ka afat të caktuar, KMDLNj pyet se si do të kompensohen orët e humbura dhe KMDLNj do të kundërshtojë fuqishëm kompensimin e këtyre orëve gjatë pushimeve të fundjavës, festave apo pushimeve të parapara sepse nxënësit nuk janë fajtorë për këto humbje dhe përgjegjësia bie mbi ata që kontribuojnë humbjen e orëve përkatësisht mbi SBASHK-un”, thuhet në komunikatë.

Bazuar në të dhënat zyrtare në Kosovë, rreth 370 mijë është numri i nxënësve në institucionet e arsimit parauniversitar, kurse 110 mijë është numri i përgjithshëm i studentëve. Ndërkaq numri i mësimdhënësve në nivel vendi llogaritet të jetë rreth 23 mijë.

Ndryshe, të fundit që shfaqën pakënaqësi me pozitën e tyre janë shërbyesit civilë dhe Sindikata e Pylltarisë, Bujqësisë, Industrisë së drurit, Mjedisit dhe Gjuetisë.

Edhe këta si mësimdhënësit e mjekët po kërkojnë rritje të koeficientit në ligjin për paga.

(Kosova Sot)