Greva në arsim, Haradinaj në këto momente po bisedon me SBASHK’un

  • 20 January 2019 - 19:40
Greva në arsim, Haradinaj në këto momente po bisedon me SBASHK’un

Një takim mes kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, dhe përfaqësuesve të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka nisur pak minuta më parë, në zyrën e shefit të ekzekutivit.

Temë e vetme e takimit është greva në arsim, e nisur javën e kaluar. Mësimdhënësit janë të vendosur të mbajnë grevë derisa në Projektligjin për paga koeficientet e punëtorëve të arsimit nuk ngrihen për 30 për qind.

Lajmin për takimin mes Haradinajt dhe SBASHK’ut e ka bërë të ditur zyra e kryeministrit, nëpërmjet një komunikate për media.

“Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Pas takimit do të ketë prononcim për media. VENDI: Ndërtesa e Qeverisë. KOHA: 19:00”, thuhet në njoftim.

Takimi Haradinaj-SBASHK vjen pasi raportet e Qeverisë së Kosovës dhe SBASHK’ut janë ashpërsuar edhe më shumë pas paralajmërimeve se greva do të vazhdojë edhe javën e ardhshme.

Ramush Haradinaj gjatë ditës u ka dërguar porosi mësimdhënësve se me presion s’do të mund të zgjidhin problemin e pagave.

Por, SBASHK’u ka deklaruar se greva e nisur më 14 janar pritet të vazhdojë edhe javën e ardhshme.

SBASHK’u ka njoftuar se i tërë arsimi fillor, i mesëm dhe universitar do të vazhdojë grevën deri në realizmin e kërkesave për rritje për 30 për qind koeficientin për mësuesit dhe profesorët.

Ndërkaq, Ministria e Arsimit ka njoftuar se nuk ka mjete për t’iu rritur pagat sistemit arsimor.

Sidoqoftë, në Qeveri thonë se janë duke punuar në Ligjin për Pagat dhe për t’i përfshirë kërkesat e mësimdhënësve aty.

Numri i punonjës në arsim, përfshirë këtu mësimdhënësit dhe punonjësit për të cilët kërkohet rritja e koeficienti të pagës në 30 për qind është rreth 27 mijë.

Paga mesatare e mësimdhënësve të arsimit fillor dhe të mesëm është nga 420 deri në 440 euro. Derisa, paga e mësimdhënësve në universitete është mbi 1000 euro.

Gjithë pakënaqësia e mësimdhënësve erdhi pas rritjes së pagave në gjithë sektorët publik derisa mbeten me paga të njëjta vetëm mësuesit dhe profesorët. 

 

(Kosova Sot)