Komunat në të cilat nesër pritet të rifillojë mësimi

  • 20 January 2019 - 23:48
Komunat në të cilat nesër pritet të rifillojë mësimi

Pas Junikut, edhe Deçani dhe Mamusha do të bojkotojnë grevën e SBASHK’ut.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka marrë vendim që të vazhdojë greva e mësimdhënësve pavarësisht se Qeveria ka vendosur që t’ua rrisë pagat mësimdhënësve.

Mirëpo kundër këtij vendimi të SBASHK’ut deri më tani kanë dalë tre komuna të vendit.

Bashkim Ramosaj, kryetar i Deçanit, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se është takuar me përfaqësues të Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), dhe kanë marrë vendim që nesër të fillojë procesi mësimor.

“Sonte në ora 21:00, së bashku me drejtorin e DKA-së, takuam në zyrën time drejtorët e shkollave të Komunës së Deçanit. Në këtë takim të jashtëzakonshëm u dakorduam që nesër të fillojmë me procesin mësimor. Ftoj të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit që të jenë në objektet shkollore sipas orarit të rregullt”, ka njoftuar Ramosaj në Facebook.

Ramosaj po ashtu ka ftuar nesër në ora 08:00 e mëngjesit në një takim edhe Këshillin Grevist dhe përfaqësuesit e SBASHK’ut.

“Kurse për nesër e hënë dt.21.01.2019, kam ftuar Këshillin Grevist dhe përfaqësuesit e Sindikatës në ora 8:00 të jenë në takim në zyrën time, me qëllim ta tejkalojmë këtë situatë e cila pas deklaratës së Kryeministrit Haradinaj është e pa pranueshme të vazhdojë”, ka shkruar Ramosaj.

Edhe Komuna e Hanit të Elezit u ka kërkuar mësimdhënësve që të rinisin mësimin.

 

(Kosova Sot)