Industria kriminale e ushqimit rrezikon shëndetin e qytetarëve

  • 21 January 2019 - 07:44
Industria kriminale e ushqimit rrezikon shëndetin e qytetarëve

Grapci: Edhe pse inspektorët në hipermarketet ‘ETC’ dhe ‘Viva Fresh’ kanë gjetur sasi të mëdha të mishit të prishur, nuk e kanë pasur guximin të shkojnë tutje me mbylljen e tyre

“Në vendet normale demokratike ose gjysmëdemokratike shkon qeveria për një skandal të tillë, madje aq larg shkon sa edhe ndiqen penalisht të gjithë zinxhirët e përgjegjësisë. Pra, përse paguhen gjithë ato agjenci për kontroll të tregut e të cilësisë? Më e pakta është që agjencia për kujdesin në ushqim të shkarkohet e tëra dhe të fillohet një formë tjetër e kontrollit të cilësisë”, thotë për gazetën “Kosova Sot” eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri

Ditë më parë në qytetin e Pejës është kapur një sasi e madhe mishi të prishur, që si qëllim kishte t’u shitej qytetarëve në Kosovë. Sipas deputetëve të opozitës dhe njohësve të rrethanave ekonomike, ky është edhe një alarm skandaloz, kur dihet se pothuajse çdo ditë qytetarët ankohen për gjëra të njëjta që gjejnë nëpër marketet kosovare, apo produkte që u ka skaduar afati. Andaj, sipas tyre, duhet të nisë një hetim urgjent në shkallë vendi për të mënjanuar rastet, sikur ai që ishte në Pejë, por që po ndodh pothuajse në çdo qytet anekënd Kosovës. Veç saj, një tjetër pyetje që shtrohet është se si dhe pse është kriminalizuar industria e ushqimit në Kosovë, përkatësisht se çka po importohet nga mafio-oligarkët e mishit, qumështit, miellit kancerogjenë etj?

Kreu i AKB-së, Agim Shahini, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se nuk ka asnjë dyshim se AUVK-u është një nga agjencitë më të rëndësishme në vend dhe me një numër të vogël të kapaciteteve të inspektorëve dhe në të njëjtën kohë ata janë përballë kërkesave të mëdha të kontrollit të ushqimit. “Me gjithë punën që e bëjnë ata të AUVK-ut, nuk po arrijnë që të kryejnë detyrën e tyre për shkak të kapacitete të pakta që i kanë në numër të inspektorëve. Në mënyrë që mos të na ndodhin raste të tilla të ushqimeve me afat të skaduar si ishte rasti i fundit me mishin e skaduar në Pejë, por edhe të rasteve të tjera që vjet ishin. Shteti, përkatësisht Qeveria e Kosovës duhet që të investojnë më shumë në këtë agjenci, në mënyrë që të kemi ushqim më të sigurt dhe në të njëjtën kohë nevojitet nga ana e Qeverisë që edhe AUVK-u, si një agjenci të japin përgjegjësi më shumë se a që e kanë bërë deri më tash te Qeveria e Kosovës për punën dhe detyrën e tyre që e kanë për çfarë edhe janë themeluar”, është shprehur Shahini për “Kosova Sot”.

Salihu: Në Kuvend të bëhet një debat rreth cilësisë së ushqimit që konsumohet

Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Sali Salihu thotë për “Kosova Sot”  se në cilësinë e deputetit bashkë me shumë kolegë, pa marrë parasysh përkatësinë partiake, do ta iniciojë  në Kuvendin e Kosovës një debat rreth cilësisë së ushqimit që konsumohet në Kosovë. “Mungon kontrolli i cilësisë në kufijtë tanë nga ana e AUVK-ut dhe Doganave, por përgjegjësia kryesore bie mbi AUVK-un që janë të obliguar ta kontrollojnë çdo mall që futet në Kosovë, sidomos kur është në pyetje ushqimi që prek çdo familje, fëmijë apo të moshuar”, është shprehur ai. Salihu ka thënë edhe më herët se roli i AUVK-ut është më i rëndësishëm sesa roli i AKI-së. Përmes AUVK-ut kontrollohet ushqimi që po futet në Kosovë dhe që është në çdo tavolinë. Ata nuk janë në nivel të detyrës dhe ndonëse është agjenci e pavarur,AUVK-u asnjëherë nuk është marrë me ata. Sepse, si agjenci janë në shërbim të të gjitha kompanive të mëdha, duke filluar nga ‘Viva Freshi’, ‘ETC’-ja dhe kompanive të tjera që importojnë produkte nga Serbia dhe që janë të lidhura kryekëput më politikën dhe kryesisht importojnë produkte nga Serbia”, është shprehur ai.

Konsumatori kosovar po rrezikohet

Ndërsa, eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për gazetën  “ Kosova Sot”, thotë se raste sikurse ai i javës së shkuar në Pejë, por edhe vjet në disa raste, ka bërë që konsumatori kosovar të rrezikohet, jo pak herë. “Në vendet normale demokratike ose gjysmëdemokratike shkon qeveria për një skandal të tillë, madje aq larg shkon sa edhe ndiqen penalisht të gjithë zinxhirët e përgjegjësisë. Pra, përse paguhen gjithë ato agjenci për kontroll të tregut e të cilësisë, më e pakta është që agjencia për kujdesin në ushqim të shkarkohet e tëra dhe të fillohet një formë tjetër e kontrollit të cilësisë”. Beqiri thotë se është për keqardhje që sot në top- marketet kosovare gjinden qindra- mijëra produkte pa afat edhe ato ende nuk janë mbyllur, nuk janë pezulluar, vazhdojnë të helmojnë çdo qytetar, dhe kjo nuk ndodh askund në botë. Kjo është një lloj lufte. Këta biznesmenë profiterë rolin dhe qëllimin e paskan për ta helmuar këtë popull. Nuk duhet të heshtet për këtë. Sipas OBSH-së, ushqimi i pasigurt mund të përmbajë baktere, viruse, parazitë apo substanca kimike të dëmshme dhe shkakton më shumë se 200 sëmundje që sillen prej diarresë deri tek kanceret “, është shprehur eksperti Beqiri për gazetën “Kosova Sot”.

Grapci: Qytetarët të rrezikuar nga të gjitha anët nga ushqimet e dyshimta

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën ‘Kosova Sot”, thotë  se rastet sikurse ai ditë më parë në Pejë, por edhe vjet disa raste të tilla me mishin me afat të skaduar, na bëjnë të vlerësojmë se asnjëherë nuk ka qenë më i rrezikuar shëndeti i popullatës kosovare shkaku i importimit të produkteve ushqimore me afat të skaduar. “Kjo po ndodh nga dominimi i produkteve të huaja në tregun kosovar që ka bërë që të mos ketë siguri në ushqimet që konsumojmë. Oligarkët ekonomikë, përveç importimit të miellit dhe qumështit pluhur kancerogjen, shëndetin e qytetarëve janë duke e rrezikuar akoma më shumë përmes mishit me afat të skaduar, madje dhe të prishur tërësisht”. Grapci, pyet se pse po e shkatërrojnë shëndetin e qytetarëve, hipermarketet e mëdha, si “ETC”-ja e Ramiz Kelmendit, ish-zv.kryeministër, dhe Devollët po e rrezikojnë shëndetin e qytetarëve me krunde të kafshëve nga Serbia, ndërkaq autoritetet përgjegjëse në këtë vend nuk denjojnë të marrin as edhe një veprim në zbatim të ligjit kundër tyre. “Edhe pse inspektorët në hipermarketet ‘ETC’ dhe ‘Viva Fresh’ kanë gjetur sasi të mëdha të mishit të prishur, nuk e kanë pasur guximin të shkojnë tutje me mbylljen e tyre qoftë edhe për një kohë të caktuar si masë ndëshkimore për rrezikim të shëndetit të qytetarëve”, potencoi ai. Sipas Grapcit, është për keqardhje që të gjitha produktet ushqimore me afat të skaduar kalojnë pa asnjë pengesë nëpër doganat tona, ndërsa AVUK-u i kapur nga mafio-oligarkët mbyll sytë para skandaleve të bëra publike nëpër hipermarketet e sipërpërmendura.  Ndaj, sipas Grapcit, e tëra kjo po ndodh, ngase Qeveria, përkatësisht ministritë përkatëse as që çajnë kokën për shëndetin e qytetarëve, pasi familjet e drejtuesve të dikastereve të sipërpërmendura konsumojnë mish të freskët dhe cilësor pa i pasur frikën helmimit nga mishi i prishur. Grapci alarmon se më të rrezikuarit nga mishi i prishur dhe produktet e tjera me afat të skaduar janë shtresat më të varfra dhe të nëpërkëmbura të shoqërisë kosovare, të cilëve asnjëherë nuk u bie ndërmend të mendojnë për cilësinë duke numëruar centët e fundit në xhepat e tyre.

Rugova: Është keq që AUVK-u nuk është në nivel të detyrës

Ndërsa, deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Naser Rugova (LDK), për gazetën” Kosova Sot”, thotë se duhet thënë troç se AUVK-u nuk është në nivel të detyrës, sepse vjet edhe sivjet kemi pasur shumë raste të ushqimit e në veçanti të mishit me afat të skaduar, por kjo është e lidhur edhe me Inspektoratin  sanitarë dhe mekanizmat e tjerë institucional. Prandaj, e themi lirshëm se është veçanërisht shqetësues ky trend, e në veçanti ushqimet e kontaminuara, siç ndodhi ditë më parë me mishin në Pejë, por edhe në rastet e tjera të mëhershme, me mishin po në Pejë e Mitrovicë, në disa hipermarkete”. Së këndejmi, sipas Rugovës, AUVK-u duhet që të jetë dukshëm më i përgjegjshëm si agjenci kryesore shtetërore që merret me kontrollimin e cilësisë së produkteve ushqimore në vendin tonë.

Kelmendi: Ndaj firmave kriminale, shteti duhet të zbatojë masat ndëshkuese

Analisti Muhamet Kelmendi, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se gjërat ushqimore janë të natyrës së domosdoshme për jetë, por ato kanë dalë nga kontrolli dhe po rrezikohen tërësisht qytetarët e Kosovës. “Në analizat që po bëhen në terren ka dalë se janë konstatuar mishi dhe derivatet e mishit, gjërat ushqimore etj.,që janë shumë të rrezikshme, kryesisht për moskryerjen e detyrave nga organet e shtetit. Kontrolli i kualitetit dhe i afatit të artikullit ushqimor është bazament kryesor. Mu këtu oligarkët mafiozë kanë gjetur lidhje dhe kanë arritur që pa asnjë kontroll të fusin në treg gjëra dhe artikuj ushqimorë me afate të skaduar që janë shumë të rrezikshëm për jetë. Është koha e fundit ku duhet të kërkohen masa ndaj organeve të kontrollit të gjërave ushqimore. Ndërsa, ndaj firmave kriminale, kërkohet që të zbatohen masat ndëshkuese, madje shumë të rënda, në mënyre që kjo dukuri të ndalohet”, ka sugjeruar analisti Kelmendi.” Nëpër dyqanet e Kosovës, si në “ ETC”, në  “ Super-Viva”, në “ Viva-Fresh” etj., janë gjetur shumë herë mallra ushqimore me afate të skaduara, sidomos të mishrave. Këtë duhet ndaluar me masa të kontrollit dhe të ndëshkimit, madje edhe deri te ndalimi i veprimtarisë, pavarësisht se kush është. Sepse shëndeti i qytetarëve tanë është në rrezik nga veprimet e tilla. Ato janë të dënueshme, ndaj së këndejmi edhe masat duhet që të jenë të rënda. Thjesht, veprimet e tilla me mallra ushqimore me afate të skaduara janë vepër penale e tentimvrasjes dhe dënimet shkojnë me burg të rëndë”, është shprehur për gazetën “Kosova Sot”, analisti Muhamet Kelmendi.

(Kosova Sot)