Adem Salihaj tregon se kush do të ftohet nga Gjykata Speciale

  • 22 January 2019 - 11:59
Adem Salihaj tregon se kush do të ftohet nga Gjykata Speciale

Rrustem Mustafa i njohur si Komandant Remi, pas kthimit nga Haga ku u intervistua në Gjykatën Speciale ka thënë se edhe Presidenti, Hashim Thaçi dhe Kryeparlamentari, Kadri Veseli do të ftohën nga Gjykata Speciale.

“Unë e kam ditur edhe për vete se do të ftohem, logjikisht nëse do me e ‘shoshit’ një ushtri atëherë është e paarsyeshme të mos ftohen komandantët e zonave. Besoj se do të ftohen të gjithë, përfshirë edhe Thaçin dhe Veselin por garantoj që të gjitha këto pretendime nga Gjykata Speciale nuk do të përfundojnë me aktakuzë”, ka thënë Mustafa.

E lidhur me këtë, ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, është shprehur se Thaçi dhe Veseli do të ftohen sepse kanë pasur pozita kyçe në hierarki.

“Thaçi dhe Veseli, por edhe shumë të tjerë, do te ftohen nga Gjykata Speciale,sepse kanë pasur pozita kyçe në hierarki. Plot vrasje politike të veprimtarëve të çështjes kombëtare, por edhe  vepra të tjera  kriminale, janë bërë në emër të UÇK-së. Dihet shumë mirë se krerët më të lartë të UCK-së kanë lëshuar komunikata , me të cilat janë shpallur tradhëtarë dhe janë dënuar me vrasje veprimtarët e LDK-së. Raste konkrete kemi rastin e Gani Gecit dhe te dy veprimtarëve nga Malisheva,të cilët u kidnapuan,u torturuan dhe u kërcënuan me likuidim fizik”, është shprehur Salihaj për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Adem Salihaj

 

Ai më tej, thotë se është e palogjikshme që Thaçi mos ftohet nga kjo gjykatë.

“Kemi sa e sa vrasje, plagosje e tentim vrasje. Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare mbeti në karrocë nga dora e këtyre kriminelëve. Krejt kjo nuk bëhej nga individë,por bëhej me urdhrat e hierarkisë më të lartë. Prandaj edhe përgjegjësia penale e tyre është e plotë.  Në fund të fundit, personi më i apostrofuar nga raporti i Bashkësisë Europiane, në bazë të të cilit edhe u formua Gjykata Speciale,  ishte vetë Thaçi.  Prandaj, është e palogjikshme që ai te mos ftohet nga kjo gjykatë”, ka përfunduar Salihaj për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)