Thaçi përsëri në Davos, vitin e kaluar pati në një agjendë të varfër atje

  • 22 January 2019 - 12:31
Thaçi përsëri në Davos, vitin e kaluar pati në një agjendë të varfër atje

Presidenti Hashim Thaçi pritet të marrë pjesë në Forumin Ekonomik që mbahet përvjet në Davos të Zvicrës.

Akoma nuk ka të publikuar agjendë të Presidentit Thaçi, megjithatë, marrë parasysh zhvillimet e këtij viti, ai mund të realizojë takime më shumë se sa vitin e kaluar.

Mediat serbe kanë raportuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, do të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel. Sipas tyre, Vuciq e Merkel do të flasin për zhvillimin ekonomik dhe për integrimin në Bashkimin Evropian.

Nuk dihet nëse kancelarja do ta takojë edhe presidentin Thaçi.

Një vit më parë, për aq kohë sa presidenti kosovar kishte qëndruar në Davos, ai ka pasur një agjendë krejtë të varfër.

Fotografitë që postonte presidenti Thaçi nga Davosi, zakonisht ishin nëpër korridore dhe ai shihej teksa bisedonte me ndonjë këshilltar, apo dikë nga mediat kosovare.

Nga ana tjetër, liderët e Ballkanit Perëndimor po e shfrytëzonin mirë forumin më të madh botëror të Ekonomisë, për takime me liderë të bankave e shteteve të fuqishme.

Megjithatë presidenti gjatë vitit 2018 ka rikthyer vetën në radarin e liderëve të fuqishëm për shkak të marrëveshjes me Serbinë që ai është treguar i gatshëm ta arrijë përmes shkëmbimit të territoreve. 

Mbështetës ose jo të kësaj ideje, liderët e kanë takuar Thaçin e Vuciqin. Ata kanë mbajtur edhe fjalime të përbashkëta, si “djem joproblematikë”, që duan të arrijnë marrëveshjen e paqes.

(Kosova Sot)