Mehmeti paralajmëron heqjen e takës: Ky do të jetë dështimi i radhës i Qeverisë!

  • 22 January 2019 - 15:40
Mehmeti paralajmëron heqjen e takës: Ky do të jetë dështimi i radhës i Qeverisë!

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, janë takuar sot me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, për të diskutuar rreth kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe. Nga ky takim nuk është se rrodhi ndonjë rezultat sa i përket taksës madje Kosnett nuk dha asnjë koment.

E ndërsa sa i përket kësaj çështje, gazeta “Kosova Sot” ka folur me analistin Faton Mehmeti.

Ai thotë se si ideatore e taksës është PDK-ja, ku sipas të cilit Thaçi e ka vënë në lojë kryeministrin Haradinaj.

“Besoj se ideja për taksë ka qenë nga PDK-ja për ta futur Ramushin në lojë, duke përdorur manifestuar tek ndërkombëtaret rolin e ndërmjetësuesit. Kjo në konceptin dinak të Thaçit do t’i shërben atij për të rritur influencën tek ndërkombëtaret gjoja si njeriu i vetëm i besuar i tyre”, vlerësoi Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

 

Ai tutje është shprehur se taksa është vendosur nën ndikimin emocional pas dështimit të Qeverisë në Interpol.

Në këtë formë, taksa sipas tij nuk ka prodhuar ndonjë sukses dhe ajo do të hiqet pavarësisht pohimeve se kjo nuk do të ndodhë.

“Taksa u vu në momentin e dështimit të Qeverisë në Interpol, ndodhi nën ndikimin e emocioneve por pa një strategji te mirëfilltë. Në këtë logjikë taksa s’ka prodhuar aq sukses, duke i’u kthyer si boomerang Qeverisë që duhet të heq taksën përkundër thirrjeve se " s’do hiqet pa na njohur Serbia", është shprehur Mehmeti.

Sipas Mehmetit taksa do të jetë dështimi i radhës i Qeverisë Haradinaj dhe nga kjo do të përfitoj vetëm presidenti Thaçi duke u bërë kështu njeri i besuar i ndërkombëtarëve.

“Taksa do rikthehet në dështim të radhës të kësaj Qeverie, pasi shumë shpejt do hiqet. Nga e gjithë kjo do përfitoj vetëm Thaçi, i cili nga ndërkombëtaret do shihet si njeriu i duhur për marrëveshje, me çka presidenti aktual do tentoj t’a përdor për amnesti”, ka theksuar Mehmeti.

Ndërsa për fund, Mehmeti edhe njëherë potencoi se heqja e taksës do të shkojë vetëm në favor të Hashim Thaçit i cili do ta shfrytëzojë rastin të shpëtojë nga frika e tij kryesore, Gjykata Speciale.

“Thaçi nga heqja e taksës do kërkojë favore personale, me amnestim nga Gjykata Speciale si frika e tij kryesore”, përfundoi Faton Mehmeti për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)