Grapci: Qeveria t'i mbyllë lojërat e fatit

  • 22 January 2019 - 15:59
Grapci: Qeveria t'i mbyllë lojërat e fatit

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën," Kosova Sot', thotë se lojëra fati ka gjithkund në botë, por pronarët që po i hapin ato lojëra të fatit, duke ia filluar nga kazinotë e deri tek bastoret, po e shkelin ligjin, duke i hapur ato afër shkollave, afër universiteteve etj., si dhe po marrin para nga fëmijët nën moshën 18- vjeçare.

"Prandaj, duke e parë që asnjë pronar nuk po i merr këto kritika të kryeministrit, dhe kryetarëve të komunave, atëherë me të vërtetë këto lojëra të fatit duhet që të mbyllen në të gjithë territorin e Kosovës", tha ai. Me këtë rast, analisti Grapci i ka bërë apel kryeministrit Haradinaj që të mbyllë të gjitha lojërat e fatit.

"Shtimi i lojërave të fatit pa lejen e Qeverisë dhe kuvendeve komunale do të ndikojë shumë keq në ekonominë e Kosovës, për shkak se këto kompani të lojërave të fatit, që po vijnë nga Shqipëria, do të dinë se si t'i shmangen tatimit dhe marrjes së licencës. Prandaj, ato ose duhet të licencohen sipas ligjit, këto lojëra të fatit, ose duhet të mbyllen në tërësi", theksoi ai.

Lexo edhe këtë: Shqipëria 'eksporton' lojërat e fatit në Kosovë, paralajmërohet debat në Kuvend

(Kosova Sot)