Haradinaj jep detaje se çfarë kishte folur me komisionerin Hahn për taksën

  • 22 January 2019 - 16:12
Haradinaj jep detaje se çfarë kishte folur me komisionerin Hahn për taksën

Kryeministri Ramush Haradinaj ka zbuluar se në takimin e fundit që ai ka pasur me komisionarin për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn. Ai ka treguar se zyrtari i lartë evropian i ka ofruar ndihmë, ndërsa Haradinaj i ka treguar kushtet se si mund të hiqet taksa.

Shefi i ekzekutivit, pas takimit me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, dhe pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se nuk do të lëvizë nga qëndrimi i tij për taksën 100 për qind.

Haradinaj ka thënë se komisionari Hahn i ka ofruar ndihmë për të arritur marrëveshje për heqjen e taksës.

“Komisionari Hahn është ofruar për ndihmë edhe ne i kemi thënë se ai mund të na ndihmojë për ta përgatitur kapitullin e tregtisë së lirë”, është shprehur Haradinaj në konferencën për media.

Ai thotë se u duhet një marrëveshje me palët e sanksionuara, megjithatë thotë se kur të merren vesh, edhe Serbia e Bosnja duhet të marrin përsipër të heqin bllokadat ndaj Kosovës.

“Kapitulli i tregtisë së lirë nënkupton krejt marrëdhëniet Kosovë-Serbi në ekonomi. Sikur të merresh vesh për një ngjarje si Rambujeja, si ndonjë ngjarje tjetër, ku mblidhen edhe i mbyllin dyert dhe nuk i lënë të dalin derisa të arrihet zgjidhja, ka thënë Haradinaj.

Siç tregon shefi i ekzekutivit, i ka theksuar komisionarit Hahn se Kosova nuk heq dorë nga vendosja e taksës, pa vendosur palët e tjera që të pranojnë targat e veturave kosovare.

“Dhe, atëherë kur të bien dakord do të thotë të mos ketë pengesa tjera. Pra, kur të hiqet taksa, nuk ka më të mos pranohen tabelat. Nuk është më gjendja ku veç Kosova duhet ta hapë derën ka ndryshuar gjendja”. 

(Kosova Sot)