26 persona janë më të pasur se 3.8 miliardë njerëz

  • 22 January 2019 - 16:17
26 persona janë më të pasur se 3.8 miliardë njerëz

Vetëm 26 miliarderë tani posedojnë pasuri sa edhe 3.8 miliardë njerëz më të varfër në botë, gjë që paraqesin gjysmën e popullsisë botërore, thotë "Oxfam". Një raport i ri i publikuar nga kjo shoqatë bamirësie, thotë se 26 njerëzit më të pasur në botë, burra e gra, kontrollojnë një pasuri të përgjithshme me vlerë rreth 1.1 trilion funte (1,24 trilion euro), gjë që është e barabartë me pasurinë e përgjithshme të gjysmës më të varfër të banorëve të botës. 

Krahasimet me borxhe

Por, shoqata humanitare "Oxfam" është kritikuar për të metat e supozuara në raportin e saj dhe për ndjekjen e një agjende të së majtës ekstreme, e cila shkon përtej funksionit të saj, si organizatë për mbledhjen e fondeve. Kjo shoqatë llogaritë këdo që ka borxhe më të mëdha sesa asetet, si më të varfër sesa ndokush që nuk ka fare borxhe. P.sh, një i diplomuar i juridikut në "Harvard", me 100,000 funte borxh në formë të kredisë studentore, i cili sapo ka filluar që të punojë me një rrogë të majme, do të vlerësohet më i varfër sesa një bujk etiopas i cili nuk ka borxhe. 

 

Pasuria e shpërndarë në mënyrë të padrejtë

Matthew Lesh, nga Instituti i tregut të lirë "Adam Smith", e përshkroi këtë raport si "broçkulla fund e krye". Por, një zëdhënës i "Oxfam"-it tha: "Mënyrat se si janë organizuar ekonomitë tona bëjnë që pasuria në mënyrë të padrejtë, por gjithnjë e më të madhe, të përqendrohet te disa njerëz të paktë, të privilegjuar, derisa me miliona njerëz mezi arrijnë që të mbesin gjallë".

 

(Kosova Sot)