Ngjarja e plotë: Si abuzoi profesori për 1 vit e 6 muaj me vajzën e mitur nga Drenasi

  • 06 shkurt 2019 - 18:33
Ngjarja e plotë: Si abuzoi profesori për 1 vit e 6 muaj me vajzën e mitur nga Drenasi

39 vjeçari Shkëlzen Xhekaj, mësimdhënës në shkollën e mesme “Skënderbeu” në Drenas, dyshohet se për gati dy vite ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën A.G, e cila më pas dyshohet se u përdhunua edhe nga polici Vesel Veseli. Për historinë me arsimtarin e saj vajza e mitur kishte raportuar në Polici, por i kishte tërhequr më vonë deklaratat. Pas publikimit të rastit të saj, mësimdhënësi Xhekaj u suspendua për të dytën herë, për shkak të raporteve me të miturën deri në një vendim të Gjykatës. Media gjatë ditës ka qëndruar në Drenas, nga ku sjell rrëfimin për rastin

Në shkollën e mesme “Skënderbeu” në Drenas, mësimi të mërkurën po vazhdonte si zakonisht. Vetëm një ditë më parë, u bë e ditur se njëri nga profesorët e kësaj shkolle kishte abuzuar seksualisht me një të mitur, gjithashtu nxënëse në këtë shkollë.

 Edhe pse mbi të po rëndonin këto akuza, Shkëlzen Xhekaj që jepte “Teknologji Informative”, kreu gjatë ditës orët që i kishte me nxënësit.

 Ai, ishte shumë i bindur se asgjë nga ato që kishte deklaruar e mitura A.G (emër i njohur për redaksinë), nuk ishin të vërteta, e thirrej mbi një vendim të prokurorisë që kishte pushuar hetimet për këtë rast.

Media gjatë ditës ka qëndruar në Drenas, nga ku ata që dinin mirë për rastin kanë dhënë rrëfimin e tyre.

Fillimisht arsimtari Xhekaj, tha se nuk ka çka të deklarohet për media, duke shtuar se drejtësia kishte vendosur pro tij.

Mirëpo, në një prononcim, drejtori i shkollës, Valdet Istogu, kishte rrëfyer për rastin, duke shtuar se Xhekaj ishte suspenduar për një kohë, e edhe pasi kishin pushuar hetimet, Drejtoria Komunale e Arsimit, për gati katër muaj kishte hezituar që të njëjtin ta kthente në mësim.

“Ishte suspenduar deri sa të merrte vendim gjykata, kështu kishte vendosur DKA’ja. Drejtoria e ka pru vendimin. Gjykata me vendim e kishte shpallë të pafajshëm, edhe e ka çu letër edhe drejtorisë komunale që me e rikthy në vendin e vetë të punës. Edhe para se me ndodh kjo as nxënësi as prindi nuk janë ankuar te ne që mësimdhënësi në fjalë pe kushtëzon apo pe ngacmon” tha Istogu.

 Drejtori ka konfirmuar se nxënësja tashmë po vazhdon mësimet rregullisht dhe momentalisht është në klasën e 12, ndërsa rasti kishte ndodhur kur ajo kishte qenë në klasën e 11.

 As nxënësja e as familjarët e saj, sipas drejtorit nuk kanë deklaruar në shkollë asnjë nga këto shqetësime, përveç se te organet e rendit.

Drejtori po thotë se nuk kishin as informacione për ndonjë kushtëzim në notë dhe nxënësja kishe sjellje normale, nuk ishte agresive dhe nuk bënte mungesa. 

Sipas tij, e gjithë ngjarja ka ndikuar në imazhin e keq të shkollës.

 E mësimdhënësi Xhekaj gjatë ditës së nesërme, nuk do të mund të vazhdojë të jap mësim. 

Krejt kjo, pasi që pas raportimit në media, Komuna e Drenasit e ka pezulluar për të dytën herë atë, për të njëjtin rast.

I njëjti, sipas vendimit të cilin e ka siguruar Express nuk do të kthehet në punë deri me një vendim të Gjykatës, ndërsa, gjatë kësaj kohe do të marrë pagë 50%.

 Më herët ai ishte pezulluar për gjashtë muaj, dhe i njëjti edhe pasi që ishte rikthyer në shkollë, nuk kishte pasur orë mësimi me vajzën.

 Vajza kishte raportuar në polici krejt rastin, e sipas deklaratave të saj, ajo kishte rrëfyer se krejt historia me të cilën përfshihen marrëdhënie seksuale me profesorin kishte zgjatur një vit e gjashtë muaj.

Këto deklarata i kishte tërhequr kur ishte pyetur në prani të prindit, e për këtë rast kishin pushuar hetimet në janar të vitit të shkuar.

A.G, 17 vjeçare gjatë kohës kur kishte shkuar për ta denoncuar këtë rast në polici, ishte takuar me Vesel Veselin, polic, e i cili dyshohet se më vonë do ta dhunonte për një kohë, e pastaj, të njëjtën do ta detyronte që të abortonte. Veseli tashmë është arrestuar.

Doktori i cili e ka kryer abortin, pa dëshirën e vajzën, Fehmi Ahmeti, siç mëson media është Shef i Repartit të Onkologjisë, ndërkaq, abortin ia ka bërë vajzës në ordinancën e tij private, krejt kjo me pretekstin se nuk e kishte ditur se vajza ishte e moshës së mitur.

Si kishte nisur e gjithë historia me profesorin?

Historia e vajzës kishte nisur në qershor të vitit 2016’të. Atëherë A.G (emër i njohur për redaksinë), tash 17 vjeçare, kishte filluar të fliste përmes Facebook’ut me Shkelzen Xhekajn të cilin e kishte edhe fqinj, por, që i njëjti jepte mësim edhe në shkollën ku mësonte vajza.

Të dy këta jetojnë në fshatin Poklek në Komunën e Drenasit dhe ishin njohur mes vete edhe familjarisht, edhe para se vajza të shkonte në shkollë të mesme.

Sipas deklaratës që kishte dhënë ajo në Polici, dy herë, kur kishte munguar arsimtarja e cila jepte lëndën e njëjtë me Xhekajn, Shkelzeni e kishte zëvendësuar atë dhe kështu kishte ligjëruar në klasën e A.G.

Fillimisht, të dy këta, e mitura dhe arsimtari, kishin filluar komunikimin përmes Facebook’ut, e më pas, edhe kishin pirë kafe në fshat. 

Siç kishte deklaruar e mitura në polici, zakonisht të dy takoheshin në orën 13:00, e pas një kohe që të dy vazhduan të takoheshin së bashku, kishin kryer edhe marrëdhënie seksuale.

Krejt kjo histori kishte vazhduar për një vit e gjashtë muaj, deri kur për rastin ishte njoftuar edhe gruaja e arsimtarit.

Në polici, e mitura edhe kishte dhënë detaje se si kishte filluar marrëdhënia me Xhekajn.

“Kemi dalë me Shkelzenin me pi kafe te ordinanca “….”, në fsh. Poklel i Ri, dhe zakonisht jemi dalë pas orës 13:00 dhe pastaj kemi shkuar në Prishtinë. Kemi pas marrëdhënie seksuale në veturën e Shkelzenit e cila ishte e parkuar te fusha e futbollit “Bejtë Rexhepi”, koha ishte e ftohtë dhe ishte diku pasdite rreth orës 20:00”, kishte thënë A.G para policisë.

E njëjta, kishte thënë se për këtë ka edhe prova, madje di edhe motelin në të cilin shkonin zakonisht, e aty e njihnin edhe personat që punonin aty. 

“Kemi shkuar në një motel në Prishtinë, lokalin e di, por emrin nuk ia di dhe kam një foto në telefonin tim, derisa isha në Fushë Kosovë edhe personat që punojnë aty na njohin mirë”, shtonte ajo.

Nga profesori, që edhe atë kohë ishte i martuar e me fëmijë, kishte marrë premtimin se krejt rrugët e të dyve do të rregulloheshin, pasi që e mitura të përfundonte shkollën e mesme. 

Madje, kishte disa raste, kur ai i kishte dhënë tableta kundër shtatzënisë vajzës.

“Ai më ka premtuar që rrugët tona do të na çelen masi unë të mbaroj shkollën, nga janari i 2016 deri në përfundim në qershor të vitit 2017 kemi shkuar në hotel dhe kemi pasur marrëdhënie seksuale. Shkelzeni më ka dhënë tablet mos me mbetë shtatzënë”, rrëfente ajo.

A.G, madje, i kishte thënë policisë se e kishte takuar edhe gruan e profesorit të tij, të cilën e njihte edhe më herët, e që para saj kishte thënë se profesori ia ka shkatërruar jetën.

(Kosova Sot)