Ligji për Pagat frenon punësimin, zhyt vendin në krizë - Lajme - Kosova Sot
Ligji për Pagat frenon punësimin, zhyt vendin në krizë

Ligji për Pagat frenon punësimin, zhyt vendin në krizë

Meha: Me Ligjin për Pagat, Qeveria po i blen votat për të qeverisur

"Me rritjen e pagave Qeveria po i dëmton investimet dhe në një mënyrë po e rrezikon falimentimin e shtetit. Ndaj, jam i mendimit se në vend që Qeveria e Kosovës të investojë në rritjen e punësimit, që është mbi 50 për qind për moshat 15 deri në 24 vjeç, ky institucion po vazhdon që të ngarkojë buxhetin me rritje pagash për 80 mijë të punësuar në sektorin publik, me çka e rrit edhe më shumë ndarjen në mes të sektorit publik dhe privat, që i ka mbi 250.000 të punësuar", thotë për gazetën "Kosova Sot", profesori i lëndëve ekonomike, Sejdi Halimi

Njohës të rrethanave ekonomike në vend, deputetë të opozitës dhe përfaqësues të bizneseve kanë frikën se Ligji për Pagat, i miratuar javën e shkuar nga Kuvendi i Kosovës, mund të bëhet një frenues për rritjen e punësimit në Kosovë. Sipas tyre, me rritjen e pagave të sektorit publik po dobësohet konkurrueshmëria në Kosovë dhe me këtë rast çmimin më të lartë të këtij ligji do ta paguajnë të papunët, për të cilët nuk kujdeset askush. Veç saj, analistë thonë se ky ligj do ta thellojë edhe më shumë hendekun e madh që ekziston në mes të pagave në sektorin publik dhe atyre në sektorin privat. Sipas tyre, me miratimin e këtij ligji do të jenë pasojat e rënda që mund të sjellë në të ardhmen një vendim i tillë.

Efektet e këtij ligji pritet se do të shihen në vitin 2020 e 2021 kur "këmbët e arushës" do t'i lihen një Qeverie tjetër, e cila mund të ballafaqohet me krizë financiarebuxhetore. Niveli i lartë i korrupsionit Eksperti i fushës së ekonomisë Xhevat Meha, për gazetën "Kosova Sot", theksoi se një veprim i tillë është shumë i qartë dhe nuk do asnjë koment, sepse me rritjen e pagave që e ka bërë në disa sektorë, Qeveria po i blen votat për të qeverisur dhe po e përdor pushtetin për vjedhje dhe pasurim të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe të rrjetit të tyre, përfshirë rrjetet e nëntokës kriminale. "Prandaj, në aspektin ekonomik shumë më mirë do të ishte sikur të kishim zbatueshmërinë e ligjit dhe përgjegjësinë në nivele si i kanë shtetet e tjera, që këto para të investoheshin në projekte me dobi për qytetarin dhe kjo dobi do të arsyetonte shpenzimin e këtyre mjeteve", është shprehur ai. Sipas Mehës, këta zyrtarë jo vetëm që janë duke vjedhur pasurinë e tanishme publike, por janë gjithashtu duke e vjedhur edhe ardhmërinë, ku gjeneratat e ardhshme do të paguajnë për paratë e vjedhura tani." Qeveria po i përdor paratë për rritje të pagave që në shikim të parë nuk është problem. Problemi qëndron te niveli tepër i lartë i korrupsionit, krimit të organizuar, papërgjegjësia dhe moszbatueshmëria e ligjit ekstrem e lartë, të gjitha këto të instaluara nga Shërbimet e Fshehta Serbe. Dhe, kjo është duke vazhduar nga të gjitha qeveritë njëra pas tjetrës, njëjtë pa dallim", është shprehur ai. 

Halimi: Të rinjtë do të demotivohen nga ky ligj

Profesori i ekonomisë Sejdi Halimi, për gazetën " Kosova Sot", thotë se Qeveria duhet të ketë qasje gjithëpërfshirëse dhe nga kjo rritje e pagave të fitojnë të gjithë dhe jo vetëm sektori publik. "Kjo, ngase me rritjen e pagave Qeveria po i dëmton investimet dhe në një mënyrë po e rrezikon falimentimin e shtetit. Ndaj, jam i mendimit se në vend që Qeveria e Kosovës të investojë në rritjen e punësimit, që është mbi 50 për qind për moshat 15 deri në 24 vjeç, ky institucion po vazhdon që të ngarkojë buxhetin me rritje pagash për 80 mijë të punësuar në sektorin publik, me çka e rrit edhe më shumë ndarjen në mes të sektorit publik dhe privat, që i ka mbi 250.000 të punësuar".

Ndryshe, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mësohet se Republika e Kosovës i ka gjithsej 330.000 të punësuar. Sipas Halimit, Qeveria e Kosovës më tepër do të duhej të orientohej në krijimin e vendeve të reja të punës sesa në rritjen e pagave për sektorin publik. Ndërsa, ka theksuar se rritja e pagave në sektorin publik e dëmton në masë të madhe sektorin privat. "Prandaj, Kosova duhet orientuar më tepër në krijimin e vendeve të reja të punës, në hapjen ose në kthimin e besimit të të rinjve në ardhmëri dhe një gjë e tillë bëhet vetëm duke e mbështetur sektorin privat", është shprehur ai. Së këndejmi, Halimi thotë se rritja e pagave në sektorin publik do të jetë demotivues për të rinjtë e Kosovës që të jenë të përgatitur për sfidat në sektorët privatë, gjithkush do të tentojë të jetë i punësuar vetëm në sektorin publik.

Maloku: Rritet hendeku në mes të sektorit publik dhe atij privat

Njohësi i çështjeve ekonomike, njëherësh afarist Ramadan Maloku, për gazetën " Kosova Sot", thotë se mirëpret rritjen e pagave në sektorin publik, por si afarist privat mendon se secili shtet që mendon të krijojë qëndrueshmëri, duhet të fuqizojë dhe të forcojë sektorin privat. "Në shtetin ku sektori privat krijon vende të reja të punës definitivisht krijohet një qëndrueshmëri dhe hapet një perspektivë e re që të rinjtë t'ia mësyjnë këtij sektori që është garanci e zhvillimit. E them këtë bazuar edhe në përvojat e vendeve më të zhvilluara qoftë në rajon, qoftë në Evropë dhe definitivisht bartës i stabilitetit social dhe bartës i stabilitetit politik dhe ekonomik duhet të jetë sektori privat".

Por, sipas Malokut, që të arrihet ky objektiv duhet të ketë shumë më tepër mbështetje institucionale, por jo vetëm mbështetje nga institucionet, nga grantet dhe nga politikat fiskale, por edhe nga mbrojtja nga një agresivitet i informalitetit që vjen nga vendet e rajonit. "Për ekonomi duhet të bëhet më tepër sesa të flitet dhe në qoftë se mendohet për ekonomi të bëhet më tepër, atëherë sektori privat, mbështetja e sektorit privat duhet të jetë prioritet i prioriteteve. Prandaj, kam frikën se ky ligj po e rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore si dhe rrit hendekun e pagesave ndërmjet sektorit publik dhe atij privat", është shprehur ai.

Eksperti i fushës së arsimit, Dukagjin Popovci ka shkruar në "Facebook" se nuk ka vend për mburrje se kush është me meritori për Ligjin e Pagave, pasi hendeku në mes sektorit publik dhe atij privat po zgjerohet dhe ende nuk e dihet sa. Sipas tij, nga Ligji për Pagat përfitojnë rreth 80.000 punonjës të sektorit publik, ndërsa rreth 270.000 të tjerë që punojnë në sektorin privat mbeten aty ku kanë qenë. "A po mendon dikush për këta 270.000 qytetarë që përbëjnë tri të katërtat e të punësuarve në Kosovë? Si do ta përballojnë rritjen e pritshme të çmimeve ata dhe familjet e tyre?Sa vende pune do të mbyllen nëse punëdhënësit privatë vendosin ta përcjellin trendin e rritjes së pagave, duke shtuar kërkesat ndaj punëtorëve që mbeten në punë?Prandaj, nuk ka vend për mburrje se kush është me meritori për Ligjin e Pagave. Sfidat tek po fillojnë", ka shkruar ai.

 Grapci: Rritja e pagave pengon investimet

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën " Kosova Sot", thotë se me rritjen e pagave po rrezikohet stabiliteti financiar i shtetit. "Kur e them këtë, vlerësoj se rritja e pagave vetëm në sektorin publik, jam shumë i bindur se do t'i pengojë Qeverisë për realizimin e projekteve kapitale që kanë rëndësi për ekonominë dhe në përkrahje të koeficienteve që në masë të madhe kanë shkuar në kategori që nuk kanë treguar efikasitet në punë. Dorëzimi i Qeverisë 'Haradinaj' përballë kërkesave për rritje pagash karshi presionit të punësuarve në sektorin publik, ka krijuar precedent negativ ku do të mund të përsëritën edhe në implementim Ligjit për Pagat. Sepse, në njëfarë mënyre Kosova deri tash ka pasur stabilitetit financiar, por në rast se ky cikël nuk ndalet do të vijmë në situatë që të rrezikohet stabilitei ekonomik i vendit. Një rritje e tillë e pagave mund të prodhojë tatime shtesë për qytetarët dhe biznese që të kompensohen shpenzimet e krijuara në sektorin publik pas rritjes së pagave", është shprehur ai

.Salihu: Efektet e rritjes së pagave pritet se do të shihen në vitet 2020

 E 2021 Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Salih Salihu, për gazetën " Kosova Sot", thotë se e keqja më e madhe është se me miratimin e këtij ligji, kjo do ta thellojë edhe më shumë hendekun e madh që ekziston në mes të pagave që janë në sektorin publik dhe atyre në sektorin privat. "Me miratimin e këtij ligji pritet se do të jenë pasojat e rënda që mund të sjellë në të ardhmen një vendim i tillë. Efektet e miratimit të këtij ligji pritet se do të shihen në vitet 2020 e 2021 mbase me këtë veprim Qeveria e z. Ramush Haradinaj me rritjen pagave ia la 'këmbët e arushës' një Qeverie tjetër, e cila mund të ballafaqohet me krizë financiarebuxhetore. Pra, e them lirshëm se me rritjen e pagave të sektorit publik me të madhe do të dobësohet konkurrueshmëria në Kosovë dhe me këtë rast çmimin më të lartë të këtij ligji do ta paguajnë të papunët, për të cilët nuk kujdeset askush. Veç saj, Ligji për Pagat, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, mund të bëhet një frenues për rritjen e punësimit në Kosovë. Madje, këtë e kanë thënë edhe të FMN-së, sipas të cilëve rritja e pagave pamundëson zbutjen e papunësisë", është shprehur deputeti Salihu për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)

 

7 orë e 6 minuta më parë
22/02/19