Veterani i luftës kërkon ndihmë për shërimin e vajzës së tij

  • 11 February 2019 - 16:03
Veterani i luftës kërkon ndihmë për shërimin e vajzës së tij

Ushtari i UÇK-së, Muhamed Kuka, i cili e la Amerikën për Kosovën, për fat të keq nuk po gjen shërim për vajzën e tij. Të rrallë janë kosovarët apo edhe përtej Kosove që nuk e njohin Muhamed Kukën, ish- ushtarin e luftës, tani veteranin e luftës së UÇK-së. Ai dhe bartja e flamurit kombëtar të UÇK-së është bërë simbolikë e Kosovës, sepse në secilin tubim përkujtimor është e pamundur të mos jetë aty edhe veterani i luftës që tashmë, edhe pse kanë kaluar 20 vjet që nga përfundimi i luftës, ende e ruan dashurinë e madhe për UÇK-në. Ish-ushtari i UÇK-së Muhamed Kuka, që la Amerikën për t'iu bashkuar luftës për liri, ka vite që kërkon shërim për vajzën e tij. Ai tash po bredh oborreve të QKUK-së, nga ku kërkon shërim për vajzën e tij, Pranverën. Por, siç i kanë thënë mjekët, shërimi i Pranverës duhet kërkuar vetëm jashtë vendit.

Trajtimi i Pranverës vetëm jashtë vendit

Si i papunë që është prej vitesh, Kuka thotë se gjendet në hall të madh, ngase nuk mund t'i sigurojë mjetet për shërimin e vajzës. Ai ka përkujtuar se si ai e la Amerikën për të ardhur në ndihmë vendlindjes së tij. Ai tregon se me rastin e Reçakut, kur ka dëgjuar lidhur me masakrat serbe, e ka lënë Amerikën dhe ka ardhur në luftë. Muhamed Kuka, duke folur për gazetën, në mes të tjerash, ka treguar edhe për sëmundjen e tre anëtarëve të familjes, të dy fëmijëve dhe gruas së tij. Por, ai tha se edhe shëndetin e tij e ka të rrënuar. Por, tani vajza e tij, Pranvera, kërkon shërimin sa më të shpejtë, sepse ka gjakderdhje në tru. Mjekët Ass. Dr. Mr. N. Zeka pediatër, Ass. Dr. MRS. B. Koci dhe Prof. Assos. Dr. M. Zrejnullahu i japin vendimin se "Fëmija për shkak të problemeve dhe në mungesës së institucioneve të specializuara për terapi, i rekomandohet trajtimi përfundimtar jashtë shtetit". Por, Kuka pohon se nuk ka kushte dhe kërkon ndihmën e popullit ta ndihmojnë për shërimin e vajzës së tij.

Nuk e ndihmojnë Qeveria dhe Ministria

"Ministria më ka refuzuar shtatë herë kërkesën për shërim. Prandaj tani kam vetëm një shpresë, tek populli im, edhe pse e di se janë të varfër", tha ai. Kuka thotë se pos kryeministrit Haradinaj që ia ka dhuruar 3000 euro dhe 300 euro që i kanë deponuar bashkatdhetarët në numrin e xhirollogarisë XK05 -150 400 100 2610406 në Raiffesen Bankë, nuk ka asnjë euro më shumë. Kurse sëmundja e Pranverës është shumë e rëndë, gjakderdhje në tru që kërkon shumë më shumë mjete. Prandaj, babai i saj, Muhamd Kuka, i njohur për trimëri dhe humanitet po kërkon që populli ta ndihmojë këtë familje, pasi, sipas tij, Qeveria dhe Ministria nuk i kanë ndihmuar. Përveç vajzës, Kuka tani i në shtëpi ka jo më pak se tre të sëmurë dhe nuk ka mundësi të i përballojë me një pagë të invalidit të luftës. Kuka thotë se trajtimi i vajzës mund të bëhet në Tiranë, por këtë nuk mund ta realizojë pa ndihmë e popullit. Për të gjithë ata që duan t'i ndihmojnë atij, xhirollogaria e Muhamed Kukës është: XK05 -150 400 100 2610406, Raiffesen Bankë; apo përmes telefonit në numrin 044 271843. "Kam edhe vëllezërit, por ata për fat të keq e kanë gjendjen ekonomike dhe më keq se unë. Prandaj, i jam mbështetur popullit dhe besoj se do të më ndihmojnë ta shërojnë vajzën time", thotë invalidi i UÇK-së, Muhamed Kuka. Ai shpreson se mundi i tij për Kosovën do të arrijë që populli t'i ndihmojë për shërimin e vajzës së tij, Pranverës, që edhe ajo të jetojë si shoqet e saj.

 

(Kosova Sot)