‘Trondit’ Ibrahim Kelmendi: SHIK-u e dinte se Bllaca ishte agjent i UDB-së, ja kush e krijoi SHIK-un

  • 11 February 2019 - 16:47
‘Trondit’ Ibrahim Kelmendi: SHIK-u e dinte se Bllaca ishte agjent i UDB-së, ja kush e krijoi SHIK-un

Ditë më parë televizioni publik ka transmetuar një dokumentar ku raportohet se Nazim Bllaca, ish agjent i SHIK-ut ishte i rekrutuar nga organet serbe të sigurisë konkretisht UDB-së, qysh në fillim të vitit 1997.

E për këtë, për “Kosova Sot”, ka folur njëri ndër themeluesit e LPK-së, Ibrahim Kelmendi.

Ai për “Kosova Sot”, thotë se Bllaca mund të jetë rekrutuar nga UDB-ja në SHIK për të siguruar informacion sa më konkret dhe për të bërë akte subverzive e diverizioniste, sa më goditëse.

“Ky është shqetësimi im kryesor, tani, por dyshimi, nëse SHIK-un e kishte krijuar BIA serbe, përmes të marionetave të saj. Unë vet gjatë lufte anëtar i Kryesisë së Lëvizjes, e cila do të duhej ta miratonte formimin e SHIK-ut. Kjo nuk ka ndodhur. Bile nuk kisha informacion, kush, kur, përse e ka formuar. Tashmë vetëm se po më konkretizohen dyshimet ta kenë formuar SHIK-un marionetat e BIA-s serbe, kur po shoh si po e komplotojnë Shtetin e Kosovës argatët e tyre. Aktakuza që i është ngritur Azem Sylës më shqetëson deri në sfilitje, pjesë e se cilës janë edhe krimet e kriminelëve Nazim Bllaca e Fahredin Gashi”, është shperhur Kelmendi.

Më tej, ai thotë se zyrtarët e lartë të SHIK-ut ishin në dijeni që Bllaca ishte agjent i UDB-së.

“Por, zhvillimet që kanë ndodhur, të cilat kishin personazh Nazim Bllacën dhe Fahredin Gashin, janë prova konkrete se Azem Syla, jo vetëm që duhet ta ketë ditur, por edhe është urdhëruar t’i penetroj e përkrah ata për të bërë krime sa më të mëdha. Ta zëmë, Azem Syla ua ka dhënë në “shoqërim” “farukun” 64 pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët në qershor 1998 po hynin fshehurazi nga Shqipëria në Kosovë. Si të mos dyshoj që ua ka dhënë për t’i qit në prit, kur kam parasysh edhe dëshminë konkrete të Bashkëveprimtarit Metush Zenuni (Dura)?”, shprehet më tej Kelmendi për “Kosova Sot”.

I pyetur, se pse asnjëherë nuk u zbardhë se kush nga politikanët e Kosovës ka qenë pjesë e shërbimit sekret të UDB-së, Kelmendi thotë së ata nuk janë të marrë që ta dekonspirojnë veten e tyre.

“Sepse ata politikanë nuk janë aq të marrë, sa ta dekonspirojnë e diskreditojnë veten e tyre! Dosjet? A nuk i ka marrë Serbia me vete, kur është tërheq nga Kosova e sapoçliruar, në qershor 1999? Pastaj, edhe po t’i kishim ato dosje, do na hynin në punë. Ne dimë se Fadil Syleviqi ishte zyrtarisht e legalisht në BIA serbe edhe gjatë lufte. Bile edhe duhet ta ketë arrestuar policia ushtarake e UÇK-së. Duhet të ketë intervenuar Rexhip Selimi, - si në rastin e “farukut” që ka urdhëruar komandant Azem Syla të lirohej dhe avancohej, - që ai të lirohej. Pas çlirimit ishte një ndër shefat në kreun e policisë hetimore të Kosovës”, la përfunduar për “Kosova Sot”, njëri ndër themeluesit ë LPK-së, Ibrahim Kelmendi.

(Kosova Sot)