Ahmeti dhe Zaevi do të bisedojnë për kandidat të përbashkët për kryetar të shtetit

  • 18 February 2019 - 10:53
Ahmeti dhe Zaevi do të bisedojnë për kandidat të përbashkët për kryetar të shtetit

Liderët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev sot në Klubin e deputetëve duhet të mbajnë takim lidhur me zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe mundësinë për paraqitje me kandidat të përbashkët konsensual.

“Nëse arrijmë marrëveshje, kuptohet, do të kërkojmë ta zgjerojmë mbështetjen, së pari me partitë e koalicionit, e më pas me grupe të tjera interesante, me qëllim që të formojmë shumicë sa më të madhe, sepse këtë e kërkon konsnesualiteti. Këtë koncept e kemi definuar si mbietik dhe mbipartiak, nuk është me rëndësi të parashikohet epilogu i kandidatit, përkatësisht përcaktimi etnik apo partiak i kandidatit”, thotë zëvendëskryeministri Bujar Osmani.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në intervistë për RTK-në thotë se ai e ka zgjatur dorën për bashkëpunim me opozitën shqiptare për kandidat të përbashkët shqiptar, por për fat të keq, dy partitë opozitare e kanë refuzuar. Ai thekson se ka vullnet që të arrihet marrëveshje për kandidat konsensual për president në takimin e sotëm me partnerët e koalicionit, por kjo varet nga të dyja palët.

Kundër kandidatit të përbashkët me BDI-në janë Aleanca për shqiptarët dhe BESA e Bilall Kasamit. BESA e Afrim Gashit ndërkaq ende nuk ka qëndrim, ndërsa PDSH-ja do ta mbështesë vetëm kandidatin e përbashkët të pushtetit.

Partitë nga Koalicioni i kryesuar nga LSDM, në takimin që u mbajt mbrëmë, arritën pajtueshmëri për kandidat të përbashkët për president, siç thonë, në interes të të gjithë qytetarëve.

“Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, në emër të Koalicionit, do t’i vazhdojë konsultimet me partitë nga blloku shqiptar në koalicionin qeveritar, si dhe me parti të tjera parlamentare dhe jashtëparlamentare, nga pushteti dhe opozita, rreth mundësisë që të vihet deri tek kandidati i përbashkët për president të shtetit, kandidat pas të cilit do të qëndrojnë qytetarët”, kumtoi LSDM pas takimit.

Konkursi i LSDM-së për paraqitje të kandidatëve për presdient të shtetit përfundon nesër, ndërsa kush do ta përfaqësojë partinë në pushtet në garën presidenciale do të dihet në kongresin e caktuar për më 3 mars. I vetmi i cili deri më tani ka parashtruar kandidaturë për president nga LSDM-ja është ish-ambasadori Gjorgji Filipov.

VMRO-DPMNE në kongresin partiak, që u mbajt të shtunën në Strugë e zgjodhi profesoreshën e Fakultetit Juridik në Shkup, Gordana Siljanovska Davkova për kandidat të tyre presidencial.

Zgjedhjet e gjashta presidenciale u shpallën nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi më 8 shkurt. Rrethi i parë zgjedhor është caktuar për më 21 prill, ndërsa rrethi i dytë do të mbahet më 5 maj.

(Kosova Sot)