Avokati i adoleshentes britanike të ISIS-it kërkon që ajo të mbështetet dhe të pranohet në shoqëri

  • 18 February 2019 - 11:42
Avokati i adoleshentes britanike të ISIS-it kërkon që ajo të mbështetet dhe të pranohet në shoqëri

Avokati i vajzës që i ishte bashkuar ISIS-it para gati katër vjetësh dhe e cila tash dëshiron të kthehet në Britani të Madhe, Shamima Begum, ka thënë se ajo është e dëmtuar nga qëndrimi në Siri dhe se tash ka nevojë për mbështetje psikike.

Tasnime Akunjee gjithashtu ka njoftuar se familja e vajzës është e gatshme dhe e përgatitur që ta rrisë foshnjën e vajzës së tyre. Begum, e cila tash është 19-vjeçare, ishte larguar nga Britania e Madhe në vitin 2015, kur ishte vetëm 15-vjeçare. Ajo u gjet në një kamp refugjatësh para një jave.

Gjatë një interviste për BBC-në, ajo ka thënë se nuk është penduar që ka shkuar në Siri, por se njerëzit duhet të ndiejnë keqardhje për të. Avokati i saj ka njoftuar se familja e vajzës po mundohen t’i sigurojnë dokumentet e udhëtimit për të dhe djalin e saj, që sipas tij ka të drejtë ta marrë shtetësinë britanike.

“Familja e saj dëshiron që ta sjellë vajzën e tyre në shtëpi dhe ta vendosin në vend të sigurt, sidomos foshnjën e pafajshme që tashmë ka ardhur në jetë. Sa i përket çështjeve kriminale, ajo ka mundësi të përballet me akuza nëse gjenden fakte kundër saj”, ka thënë avokati i saj.

Begum kishte ikur nga Britania e Madhe në shkurt të vitit 2015 bashkë me dy vajza tjera, të quajtura Kadiza Sultana dhe Amira Abase. Besohet se Kadiza Sultana është vrarë gjatë bombardimit të një shtëpie, ndërsa nuk dihet për gjendjen e Amira Abases, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot)