A është montazh fotografia e Hashim Thaçit me Adem Jasharin? Flet artisti dhe profesori i fotografisë

  • 18 February 2019 - 15:23
A është montazh fotografia e Hashim Thaçit me Adem Jasharin? Flet artisti dhe profesori i fotografisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar përvjetorin e 11-të të Pavarësisë së Kosovës me një foto të postuar në facebook, ku Thaçi shihet me komandantin legjendar, Adem Jashari.

E kjo foto e Thaçit ka nxitur reagime të shumta gjatë ditës së djeshme, por edhe në vitet e kaluara. Për këtë foto, vazhdimisht është përfolur se është një foto e bërë montazh, gjë për të cilën edhe komentuesit e shumtë në facebook e akuzuan presidentin Thaçi.

E lidhur me këtë, gazeta “Kosova Sot”, ka biseduar me artistin e fotografisë, profesorin, Fahredin Spahija.

Profesor thotë se vërtetësia e kësaj fotografie gjithmonë ka qenë e diskutueshme.

"Fotografia që përmendni ju, ka vite që qarkullon nëpër gazeta, kryesisht në ato të kontrolluara nga Hashim Thaçi si dhe nëpër shumë dyqane e kioske anembanë Kosovës. Vërtetësia e asaj fotografie gjithmonë ka qenë e diskutueshme. Me që kemi të bëjmë me një foto shumë herë të reprodukuar pa patur qasje në origjinalin e saj, vështirësitë për t’ia bërë një ekspertizë më të detajuar janë të mëdha”, shprehet Spahija për “Kosova Sot”.

Sipas tij, janë dy detaje në këtë fotografi, që ai i quan “të dyshimta”.

Image
Fahredin Spahija

 

“Përkundër këtyre disavantazheve mund të evidentoj të paktën dy detaje “të dyshimta” brenda kompozicionit të saj. Detaji i parë ka të bëjë me lidh’shmërinë jo fort të natyrshme të dy figurave, atë të Adem Jasharit dhe asaj të Hashim Thaçit dhe, e dyta që është fort e dukshme ka të bëjë me fokusimin jo të njëtrajtshëm të këtyre dy figurave. Çka do të thotë kjo që e vura në pah si detaj të dytë? Fokusi i çdo aparati fotografik reagon në linjë horizontale dhe vertikale njëtrajtshëm në të gjitha figurat apo elementet që kanë distance fokale të njëjtë. Në fotografinë që po e diskutojmë Adem Jashari dhe Hashim Thaçi duken të ulur në të njëjtin divan dhe paralelisht në të njëjtën linjë. Nëse e shohim portretin e Hashim Thaçit ai duket dukshëm me i paqartë se sa portreti i Adem Jasharit  e që në realitet nuk do të duhej të ndodhte ashtu sepse, me që janë ulur pranë njëri-tjetrit në të njëjtin divan, qartësia në fytyrat e tyre do të duhej të ishte e njëjtë…”, është shprehur profesori Spahija për “Kosova Sot”.

Më tej, Spahija thotë se montazhe të tilla apo retushime nëpër fotografitë e personaliteteve të ndryshme të rëndësishme për historitë e popujve të ndryshëm në botë, janë bërë në të gjitha kohërat prej se ekziston fotografia.

“Veprime të tilla falsifikuese zakonisht kanë bërë diktatorët për t’ia rritur vlerën vetes përmes situatave të paqena. Stalini njihet si njëri nga “retushuesit” më të mëdhenj të fotografive duke hequr nga ato shumë persona me të cilët kishte rënë në konflikte ideologjike gjatë pushtetit të tij diktatorial. Marifete të tilla ka bërë edhe nxënësi i tij shqiptar, diktatori i egër Enver Hoxha me një numër të madh të fotografive me të cilat kishte falsifikuar situate dhe momente të ndryshme historike. Anipse me teknologji analoge, montazhet dhe retushimet në të kaluarën janë bërë vetëm nga mjeshtërit e mëdhenj të laboratorëve fotografike. Kurse sot, në teknologjinë digjitale, ndërhyrje të tilla bëhen nga secili që ka njohuri modeste të fotoshopit, brenda pak minutave dhe në mënyrë largë më të pavërejtshme se sa dikur”, ka përfunduar për “Kosova Sot”, artisti i fotografisë, profesori, Fahredin Spahija.

(Kosova Sot)