Abdixhiku i reagon Thaçit: Idetë e Rugovës kanë më së paku ndërlidhje me të tuat

  • 20 February 2019 - 20:21
Abdixhiku i reagon Thaçit: Idetë e Rugovës kanë më së paku ndërlidhje me të tuat

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të presidentit Hashim Thaçi, se për idenë e korrigjimi të kufijve fillimisht ka dëgjuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, nga ish-kreu i Kuvendit, Nexhat Daci, e më pas edhe nga Lufti Haziri.

Abdixhiku, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, në internet, ka thënë se idetë e Rugovës më së paku kanë ndërlidhje me ato të Thaçit.

Sipas Abdixhikut, “Hashim Thaçi ka kuptuar se projekti i tij - dhe Aleksandrit në Serbi - për ndarjen e Kosovës po humbet”.

“Refuzimi i madh politik e publik në vend e bën ndarjen të pajetë. Të përjetshëm e mbanë, gjithsesi, kujtesën kolektive për ata që donin të falnin territor. Meqë projekti po humbet, ai tash provon të njëjtin dikujt t’ia mveshë. Dhe paska gjetur si shënjestër Presidentin Rugova; njeriun që udhëhoqi e realizoi projektin më të madh shqiptar - pavarësinë e Kosovës, shtet të pavarur e sovran. Njeriun që çdo të premte rresht, s’rreshti së foluri për këtë territor, për këtë sovranitet, për këtë shtet”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë tutje se “meqë jemi në kohë të letrave e jo të cungut, gjarpërimet politike duken komike”.

“Për të e secilin me interes, në vitin 1994 kur u pyet nga Marie-Françoise Allain dhe Xavier Galmiche për idenë e ndarjes së vendit të vet, Ibrahim Rugova kishte thënë: ‘Projekti i ndarjes së Kosovës, të cilin serbët e nxjerrin në tryezë herë pas here, ka vetëm një qëllim: ta cenojë integritetin territorial të Kosovës e më pas ta thyejë identitetin e saj. Ky projekt për herë të parë është nxjerrë zyrtarisht nga Dobrica Qosiq dhe prezantuar zyrtarisht (në emër të Serbisë) në Gjenevë nga këshilltari i tij Stojanoviq’”, shkruan Abdixhiku.

Për Abdixhikun, e vërteta është se “po të kishim sot më shumë politikanë e presidentë që ndjekin rrugën e Rugovës, idetë serbe të ndarjes do të ishin në harresë”.

“Ato asnjëherë s’do të zinin vend në tavolinat zyrtare të Republikës, e t’i shkaktonin kaq shumë dëm Kosovës. Idetë e Rugovës mbesin të qarta dhe mbi të gjitha jetëgjata. Ato ende inspirojnë gjenerata të tëra që këtë shtet e duan njëmend. Ato më së paku kanë ndërlidhje me Hashimin”, ka thënë Abdixhiku.

 

(Kosova Sot)