Pazari miliardësh mbi kurrizin e shqiptarëve

  • 22 February 2019 - 09:38
Pazari miliardësh mbi kurrizin e shqiptarëve

Koment i gazetes "Kosova Sot"

Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri e quajti “postier” të Serbisë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, duke e akuzuar atë se po punon ditë e natë për ndarjen e Kosovës. Tahiri ka të drejtë në konstatimin e saj. Lideri socialist nuk është i vetëm. Presidenti Hashim Thaçi bashkë me të janë në një ofensivë për copëtimin e vendit, një ide e qarqeve ruso-serbe, por e mbështetur tashmë edhe nga krerët shqiptarë.

Dy vitet fundit, sidomos që nga vizita në Beograd e Ramës, i shoqëruar nga i kudogjenduri Baton Haxhiu, bisedimet për jetësimin e ndarjes janë intensifikuar, edhe pse larg syve të opinionit publik. Por, tashmë asgjë nuk po fshihet më. Serbia e ka pohuar edhe zyrtarisht se pret që në marrëveshjen finale me Kosovën të rishikohen kufijtë. Kështu mendon edhe kreu i Republikës sonë.

Por jo vetëm. Hap pas hapi atë e ndjek kryeministri i Shqipërisë. Por, pse kanë hyrë në këtë qorrsokak nacional këta liderë, që po shkelin mbi interesat nacionale të kombit shqiptar? Mbi të gjitha, duket se është edhe një tjetër histori mafioze, biznesi kriminal që bëjnë pushtetarët e shitur. Burime të ndryshme raportojnë se në lojë nuk është vetëm territori i Kosovës, por edhe miliarda e miliarda. Një kafshatë që nuk lihet nga liderë arrogantë e të korruptuar si këta që po e mbështesin ndarjen.

Thaçi e Rama duket se e kanë gjetur njëri-tjetrin. I pari jep tokë, i dyti fal det. I yni bën pazar si me arat e veta, ky tjetri e bën lëmsh edhe Shqipërinë edhe Kosovën. Po të kishim një drejtësi të pavarur, këta të dy bashkë me sejmenët që ua mbajnë ison do të hetoheshin për tradhti ndaj atdheut. Por, për sa kohë ata sundojnë këndej dhe andej kufirit vështirë se mund t’i ndalë dikush këta monstrumë të politikës shqiptare. Ata qartazi janë të shantazhuar. Njërin e rëndon Specialja, tjetrin mafia. Halli i ka bërë bashkë. Biznesi kriminal gjithashtu. Në Shqipëri opozita e ka kuptuar se pa e rrëzuar arrogantin që po e mban peng një shtet të tërë, ndërsa e ka vënë në pikëpyetje integritetin territorial të Kosovës, nuk largohet e keqja. Në terrenin kosovar situata është më ndryshe, sepse kapja e shtetit është kaq e fortë, saqë opozita funksionon vetëm formalisht.

Dikur edhe organizoheshin protesta, ndërsa sot as që mërzitet dikush për të reaguar. Presidenti e ka nxjerrë në pazar territorin dhe opozita hesht. Ky është momenti i fundit për të reaguar fuqishëm kundër pazarit të kobshëm, që mund të ketë pasoja shekullore jo vetëm për Kosovën, por për mbarë rajonin tonë. Thaçi e Rama duhen ndalur, sepse nuk mund të sakrifikohen interesat nacionale për hir të interesave personale të dy liderëve që e kanë humbur udhën në oborr.

(Kosova Sot)