Tre musketierët e ndarjes së Kosovës, Thaçi, Rama, Vuçiq, bëjnë pazare në kurriz të shqiptarëve

  • 22 February 2019 - 07:31
Tre musketierët e ndarjes së Kosovës, Thaçi, Rama, Vuçiq, bëjnë pazare në kurriz të shqiptarëve

Qarri: Hashim Thaçi për interesa personale është në gjendje të shkelë me të dyja këmbët edhe mbi gjakun e dëshmorëve të rënë për liri e çlirim

 “Gjykata Speciale po i qëndron si hije e zezë mbi kokë presidentit tonë dhe shumë vartësve të tij, të cilët shtetin e kanë vënë në pazar për t'u mbrojtur nga akuzat e rënda që janë specifikuar nga kjo gjykatë, edhe pse e padrejtë dhe mjaft komprometuese.

Edi Rama, duke parë rrezikun e pushtetit në Shqipëri, pas komprometimit të tij me aferat e trafikut ajror të drogës, që implikojnë klikën e tij, (ministra, shefa policie, banda trafikantësh): Aleksandër Vuçiq, duke parë rrezikun e pushtetit të tij në Serbi, korrupsionit, varfërisë, mashtrimeve dhe keqqeverisjes: Hashim Thaçi me një mal akuzash nga vendorët e ndërkombëtarët, janë bashkuar në një pikë; hapjen e temave të nxehta për të mbuluar krizat e tyre politike, në mënyrë që të stërzgjatet pushteti i tyre mbi krim e korrupsion”, thotë analisti Ramiz Bojaj për gazetën “Kosova Sot”

Së fundi, edhe ish-kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka goditur kryeministrin aktual të Shqipërisë, Edi Rama, duke e quajtur “postier” të Serbisë si dhe duke akuzuar presidentin Hashim Thaçi se po shkel në gjakun e dëshmorëve që kanë rënë për Kosovën.

Këto denoncime të zonjës Tahiri i kanë cilësuar me vend dhe shumë të drejta edhe analistët politikë, edhe përfaqësuesit e partive politike, por edhe qytetarët, sipas të cilëve Thaçi po shkel me të dyja këmbët në gjakun e dëshmorëve që kanë rënë për Kosovë, ku 11 vjet pas shpalljes se pavarësisë po  lobon hapur dhe po punon që t’ia dhurojë Serbisë veriun e Kosovës. Mirëpo, sipas analistëve, ai nuk është vetëm në këtë projekt antikombëtar e antishtetëror, pasi vazhdimisht  në mbështetje të kësaj ideje ishte edhe Edi Rama bashkë me Aleksandar Vuçiqin, madje edhe si iniciatorë të idesë për t`ia dhënë Serbisë veriun e Kosovës.

Edhe analistët, por edhe qytetarët konsiderojnë se ky projekt duhet ndaluar, sepse  tanimë po shihet qartë  që  po rrezikohet shteti i Kosovës nga vetë  presidenti dhe klika e tij, vetëm e vetëm që të shpëtojë nga  Gjykata Speciale. Ky denoncim nuk është bërë vetëm nga Edita Tahiri, por ka qenë edhe deputetja e LDK-së Besa Gaxherri, e cila po ashtu e  kishte akuzuar presidentin e Kosovës për vrasje, duke thënë se Thaçi për ta shpëtuar vetën ka shkelur mbi kufoma, ka vrarë kundërshtarët politikë e ka shkelur mbi vlerat e luftës. Prandaj, kur janë të gjitha këto gjëra që  shpërthejnë hapur, edhe njohësit e këtyre zhvillimeve  janë të bindur se qëllimi i Hashim Thaçit është që  me skenarin e Vuçiqit dhe Ramës ta shpëtojë veten nga Specialja, por nga ana tjetër edhe ta shkatërrojë dhe ta gjymtojë shtetin e Kosovës.

Ndryshe, tani dihet mirëfilli edhe nga zhvillimet e para dhe  gjatë luftës se  ishte pikërisht marrja e veriut të Kosovës dëshira e diktatorit serb, Slobodan Milosheviq, por që deri më tani mbeti projekt i parealizuar dhe i dështuar.

Salihaj: Hashim Thaçi është futur thellë në një projekt antishqiptar për krijimin e Serbisë së Madhe

Ish-deputeti nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj, tha për “Kosova Sot” se tanimë po shihet qartë  që Hashim Thaçi është futur thellë në një projekt antishqiptar për krijimin e Serbisë së Madhe, e që për fat të keq  nuk është vetëm në këtë projekt, por ka gjetur aleatë edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. “Nuk ka asnjë dilemë se Hashim Thaçi dhe Edi Rama, në mënyrë të hapur dhe pa asnjë kamuflazh, po punojnë për realizimin projektit të Serbisë së Madhe. Ata as që po tentojnë ta fshehin këtë.

Ata janë bërë argatë të Vuçiqit dhe shovinizmit  serbomadh për shkatërrimin e qenësisë shtetërore dhe tërësisë gjeografike të Kosovës, me qëllim që ajo në të ardhmen të mos paraqesë kurrfarë faktori as në raport me Serbinë, e as në raport me Shqipërinë. Aleanca e Vuçiqit dhe Ramës e Thaçit është shumë e rrezikshme, kjo po i jep kurajë Serbisë që të këmbëngulë në kërkesat e saj për ndarjen e Kosovës. Thaçi tashmë është i njohur për të gjithë se s’ka asnjë skrupull që të shesë çdo gjë që mundet, duke filluar nga shokët e tij. Ai përdori gjakun e dëshmorëve për ta shitur për pasurimin e tij personal. Ai i dha tokë të Kosovës  Maqedonisë, i dha tokë të Kosovës Malit të Zi, tash po mundohet t'i japë tokë të Kosovës edhe Serbisë. 

Projekti i bashkimit  me Shqipërinë të asaj që mbetet nga Kosova është po ashtu projekt serb. Krejt këto veprime janë pjesë e një skenari të vetëm: shkatërrimi përfundimtar i Kosovës, bile jo vetëm në kuptimin shtetëror e politik, por edhe gjeografik”, tha Salihaj për “Kosova Sot”.

 Bojaj: Thaçi dhe Rama po ia hapin gropën Republikës së Kosovës

Analisti dhe publicisti Ramiz Bojaj po ashtu thotë se hapja e bisedimeve për kufijtë e Kosovës është akti më i rëndë dhe ataku më i drejtpërdrejtë kundër shtetit tonë, kundër integritetit territorial dhe sovranitetit, sepse  tani jo veç Hashim Thaçi, por edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po del që është njeriu, i cili i hapi gropën Republikës së Kosovës.

“Duke aprovuar i pari idenë serbe për ndarjen e Kosovës, z. Rama shtriu ndikimin e tij tek presidenti Hashim Thaçi për të pranuar planin famëkeq të ndarjes së Kosovës, sipas modelit  Daçiq-Vuçiq, 'për një marrëveshje historike-ligjërisht të obligueshme', si akt final i zhbërjes së Kosovës. Ish- negociatorja, znj. Edita Tahiri, me të drejtë e ka quajtur këtë iniciativë të vjetër serbe si plan të Slobodan Milosheviqit, të bartur edhe nga Gjingjiq, Tadiq, Daçiq, Vuçiq.... për të përfunduar në duart e Hashim Thaçit, njeriut të parë shqiptar, i cili, që nga mbarimi i luftës, lirinë e Kosovës po e rikthen në robëri, paqen 20-vjeçare po e rikthen në konflikt primitiv ndëretnik e të paparashikueshëm, ndërsa shtetësinë, integritetin territorial e sovranitetin shtetëror po e hedh në greminë”, u shpreh ai. Sipas Bojajt, edhe  protesta në Serbi, protesta në Shqipëri, dhe  Kosova në vlim, janë pasqyrë se të tre liderët, që udhëheqin idenë për ndarjen e Kosovës, janë njerëz jolegjitimë, me kriza të thella në pushtetet e tyre, të cilët duke u ngutur në një marrëveshje të përbashkët,  mjaft të rrezikshme e të paparashikueshme, mëtojnë të shpëtojnë nga gropat e ngritura vetë.

“Ndërkaq, znj e BE-së, Frederika Mogherini është në fundin e mandatit të saj, dhe kërkon me çdo kusht të marrë kurorën e 'mbretëreshës' për një marrëveshje 'historike' Kosovë-Serbi. Znj. Mogherini, por edhe qendrat e tjera ndërkombëtare duhet të kuptojnë se me njerëz pa kredibilitet, pa legjitimitet e të komprometuar nuk mund të ketë marrëveshje fleksibile, e aq më pak marrëveshje historike Kosovë-Serbi, të cilat duhet kohë për të gjetur një formulë paqeje dhe ndarjeje nga e kaluara e përgjakshme.

Hapin e parë drejt kësaj 'pajtueshmërie' duhet ta fillojë Serbia, duke kërkuar falje për krimet, masakrat e përdhunimet e saj që i ka bërë popullit shqiptar, të njohë pa kushte pavarësinë e Kosovës dhe të ndalë presionin dhe spastrimin etnik në Luginë. Serbia nuk ka dhënë sinjale pajtueshmërie me Kosovën. Në këtë kontekst, askush nga Kosova nuk mund t'i ofrojë njëanshëm pajtueshmëri Serbisë fqinje, përderisa kjo vazhdon të mbajë qëndrim armiqësor, tipik milosheviqian, ndaj popullit e shtetit të Kosovës”, potencoi Bojaj. Sipas tij, më mirë është të ndalen liderët primitivë e kriminelët sot sesa të ngritën avionët për të parandaluar një konflikt të sigurt nesër.

Dialogu fatal

Sipas analistit politik Florim Zeqa, tashmë të gjithë e kemi qartë dëmin që i erdhi Kosovës nga dialogu fatal me Serbinë në Bruksel, sikurse që i kemi të qartë të gjithë protagonistët e këtij dialogu dhe mbështetësit verbalë, qytetarët, dhe legalë, deputetët.

“Të drejtën për të goditur pamëshirshëm kryeprotagonistin e dialogut, presidentin Thaçi (nënshkruesin e parë të marrëveshjes fatkeqe për AKS-në) dhe nënshkruesin e dytë fatal, ish- kryeministrin Isa Mustafa (nënshkruesin e dytë të marrëveshjes fatkeqe për AKS-në me kompetenca ekzekutive) e kanë të gjitha ato subjekte dhe qytetarë që nuk janë pajtuar asnjëherë me dialogun e pabarabartë në Bruksel. Ashtu sikurse njëri (Hashim Thaçi), edhe tjetri (Isa Mustafa) nuk mund t'i ikin përgjegjësisë historike për shkeljen mbi gjakun e dëshmorëve me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS).

Edhe pse tani të "ndarë", njëri në pushtet e tjetri në opozitë, përbëjnë binomin shkatërrues të shtetit të Kosovës edhe në rastin e Demarkacionit me Malin e Zi. Zhvillimet e fundit dramatike në fazën finale të dialogut, janë produkt i bisedimeve tetëvjeçare jo si shtet i pavarur, por me fusnotë * dhe si subjektivitet nën Rezolutën 1244 të KS të OKB-së”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

 Plani monstruoz i presidentit kuisling

Prof. universitar dhe veprimtari Muhamet Kelmendi po ashtu e sheh si projekt të hartuar në dëm të Kosovës atë për çka angazhohet Hashim Thaçi. “Bisedimet kanë efekt vetëm kur pala, që ka shkaktuar dhunë dhe terror, gjenocid, e lë rrugën e tillë fashiste, kërkon falje publike dhe e merr përgjegjësinë për dhunë. Serbia asnjë prej këtyre nuk e ka bërë. Nuk ka, pra, as logjikë dhe as bazë politike e juridike për bisedime. Bazë e tërë kësaj është njohja, jo bisedimet për të shkuar gjoja tek njohja.

Kjo është sikurse gaforrja që ecën prapa. Thirrja në dialog, duke krijuar një grup punues dhe një platformë, në gjendjen aktuale nuk duhet të ndodhte. Por, në faktin kur Republika e Kosovës ka dalë në treg, është ndoshta e vetmja mënyrë ky organizim për të ndaluar këtë rrugë të paprecedent. Mendohet se në diskutim është ndarja dhe copëtimi  i vendit. Pra, mendohet se janë caktuar edhe konturat e marrëveshjes. Dhe, për bisedime ka pasur dhe ka edhe përcaktime se kush çka merr dhe si!? Kjo e ka vështirësuar gjendjen. Si z. Thaçi, ashtu edhe z. Rama, kanë dalë qartë për ndryshim të kufijve. Por, ata nuk kanë treguar se si dhe çka ndryshohet!?”, u shpreh ai. Sipas tij, taksa e vendosur del si mjet i domosdoshëm.

“Në anën tjetër, delegacioni nuk është adekuat. Është një delegacion i interesave dhe shumë afër i shantazhuar. Të dy bashkëkryetarët nuk janë të përgatitur për punët e tilla”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.

Qarri:  Po rrezikohet shteti i Kosovës!

Ndërsa, analisti politik Gani Qarri thotë se nëse vërtet ndodh që Kosova edhe 20 vjet pas çlirimit ta humbë luftën për mbrojtjen e tërësisë dhe integritetit të vet territorial nga Serbia, si dhe njëmend vjen deri te ndarja e saj, atëherë të gjitha gjeneratat e këtij vendi duhet ta dinë se implementues i politikës fashiste të Serbisë në territorin tonë dhe kali i Trojës në komplotin për zhbërjen e Kosovës si shtet, ishte pikërisht kryekuislingu Hashim Thaçi!

“Ky shqipfolës i shitur, siç e akuzonte deputetja Besa Gaxherri qysh në nëntorin e vitit të kaluar, jo vetëm që vrau kundërshtarët politikë dhe nuk e kishte problem të ecë mbi kufomat e të vrarëve, por po dëshmon katërçipërisht, siç shton tani edhe ish-kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, se për  interesa personale është në gjendje të shkelë me të dy këmbët edhe mbi gjakun e dëshmorëve të rënë për liri e çlirim dhe 11 vjet pas shpalljes se pavarësisë t`ia dhurojë Serbisë veriun e Kosovës. 

Si presidenti i shitur e kuisling i Kosovës Hashim Thaçi, ashtu edhe kryeministri sharlatan e bixhozçi i Shqipërisë, i njohur tashmë edhe si postieri i Serbisë dhe dorë e zgjatur e Aleksandar Vuçiqit, Edvin Kristaq Rama, për t’u bërë aksionar në pasuritë e ‘Trepçës’, gjë me të cilën, siç thotë prof. Enver Bytyqi, Edvini u josh qysh në vitin 2014, gjatë një takimit në Pekin të Kinës nga Vuçiqi, së fundmi kanë filluar të porositin letra ‘mbështetëse’ me përmbajtje të parapërgatitur, ndaj çmendurisë së tyre edhe nga John Bolton, anëtar i lobit rus dhe serb, si dhe këshilltar aktual për siguri i presidentit Tramp në SHBA, në mënyrë që ta ndajnë përfundimisht Kosovën”, u shpreh ai.

“Duke pasur parasysh faktin se pjesa më e pasur e Kosovës është pikërisht veriu i saj, pa pasuritë ujore të Ujmanit dhe ato nëntokësore të ‘Trepçës’, Kosova e pavarur, as që mund të mbijetojë si shtet, megjithëse tendencat e Serbisë për gllabërimin me çdo kusht të veriut nuk janë të reja, as vetëm të sotme, por datojnë qysh nga koha kur Milosheviqi okupoi me ushtri dhe polici Kosovën, atë që nuk mundi të realizonte as ai vetë gjatë kohës së regjimit të tij, po mëton tanimë të jetësohet nga tradhtarët shqipfolës Edvin Kristaq Rama dhe kryekuislingu i këtij vendi, Hashim Thaçi. Ndaj, sot më tepër se kurrë më parë shtetit i Kosovës po rrezikohet pikërisht nga presidenti kuisling Hashim Thaçi dhe klika e tij e shitur, vetëm e vetëm që ai vetë të shpëtojë nga Gjykata Speciale, dhe të mos përballet me akuza nga ligji dhe drejtësia ndërkombëtare”, potencoi Gani Qarri.

Badallaj: Tahiri ka të drejtë, Rama vegël e Vuçiqit

Të drejtë, ndonëse të vonuar e sheh reagimin e Edita Tahirit edhe analisti  Reshat Badallaj.“Ish- kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, znj. Edita Tahiri, edhe pse ka qenë dhe është pa më të voglin dyshim vegël e kryekuislingut Hashim Thaçi, këtu ka plot të drejtë se Edvin Kristaq Rama është tellall i krushkut të tij, serbianit kriminel, Aleksandar Vuçiqit, ndërkaq, dihet se pos tradhtisë, hajnisë të paskajshme, Hashimi i Brojës si mos më zi ka shkelur në gjakun e dëshmorëve të kombit.

Përpos kësaj, ky despot dhe tiran, pra Hashim zeza është duke punuar për interesa të ngushta serbiane dhe interesa të tij personale, që një kohë pa ndërprerë punon për shkëputjen e gjymtyrëve të Kosovës për t´ia falur shtetit fashist serbian që na vrau,preu, na dogji të gjallë dhe na dhunoi”, tha Reshat Badallaj. Sipas Badallajt, nuk ka dyshim që grupi i Hashim Thaçit me Baton Haxhiun e të tjerë, po e bënë këtë plan që ta shpëtojë shefin nga Gjykata Speciale.

Qytetarët kundër ndarjes

Qytetari Muharrem Murturi konsideron se Edita Tahiri është çelësi i së vërtetës që mund të tregojë shumë për këtë proces, prandaj edhe kundërshtimi i saj është më se i drejtë dhe duhet të merret  seriozisht nga gjithë spektri politik parlamentar.

“Ajo mendoj që ka shumë të drejtë, Edita Tahiri, sepse vetë ka qenë pjesë e bisedimeve,  por edhe kundërshtarët e tjerë të idesë së  ndryshimit të kufijve. Kjo mendoj që duhet të parandalohet duke u ngritur qytetarët edhe në protesta, sepse po shihet që nuk po mbetet zgjidhje tjetër për ta kundërshtuar një  plan të tillë të Hashim Thaçit. Unë mendoj që  angazhimi i tij, i presidentit për ndryshimin e kufijve, për pazare me territore në marrëveshjen me Serbinë, vjen si pasojë e frikës nga Gjykata Speciale dhe llogaria e tij se me këtë marrëveshje do të shpëtojë nga  ndjekja e saj, sepse ai mendon që duke e nënshkruar këtë marrëveshje në favor të Serbisë  do të amnistohet nga  aktakuza dhe do të hiqet nga lista për të cilën është thënë se gjendet edhe ai”, vlerësoi Murturi. Sipas Salaudin Ajetit, nuk guxon  askush që të luajë me zjarr duke ndryshuar kufijtë për interesa  të ngushta të individëve që nuk e zgjidhin  problemin shqiptar në Ballkan, e që e hapin këtë temë nga frika e Gjykatës Speciale.

“Kosova është më së miri të mos pranojë asnjë ndryshim kufijsh, të mbetet kështu sikur që është dhe vetëm që të kërkohet të respektohen të drejtat e njeriut edhe jashtë Kosovës, sidomos të drejtat e shqiptarëve në jug të Serbisë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi”, vlerësoi Murturi. Ai shton se ne edhe pavarësinë e kemi shpallur në këta kufij dhe le ta mbrojmë këtë që e kemi shpallur dhe na është pranuar ndërkombëtarisht.

(Kosova Sot)