Drejtësia e sunduar hesht para aferave të pushtetit

  • 22 February 2019 - 07:43
Drejtësia e sunduar hesht para aferave të pushtetit

Kapiti: Problemi më i madh, shqetësues dhe kërcënues, për shtetin ligjor është aleanca korruptivo-kriminale e Legjislativit, Ekzekutivit dhe Gjyqësorit

 “Duhet marrë seriozisht me këtë sistem, rastet e njerëzve që bëjnë vepra penale, që merren me politikë apo vijnë nga politika, duhet të trajtohen në mënyrë korrekte e jo të zvarriten proceset dhe në fund të parashkruhet vepra, për të gjithë të tjerët, për  qytetarët, nuk është  trajtimi i njëjtë.

Pra, ka shumë arsye për dyshime të thella korruptive në këtë sistem, sepse besimi në të ka humbur plotësisht. Le ta marrim vetëm rastin ‘Pronto’ që nuk po gjykohet për keqpërdorim të skajshëm  të detyrës zyrtare, por e kanë gjetur një formulë tjetër, akuzohen për jobarazi kushtetuese, që i bie argumentime politike. Edhe ky rast me këtë akuzë do të përmbyllet, sepse ka humbur besimi në krejt këtë  sistem”, thotë analisti Blerim Burjani për “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së sistemit të drejtësisë po e shohin me tepër shqetësim rrugën e degradimit që ka marrë sundimi i ligjit në shtetin e Kosovës, madje edhe duke pyetur me të drejtë se si po tolerohet një nivel kaq i lartë i krimit e korrupsionit. Mbetet për t’u shqetësuar se deri kur do të tolerohet heshtja e drejtësisë ndaj mega- aferave të përditshme që ndodhin gjithandej, nëpër ministri, në kompani publike, në agjenci të pavarura etj. Vërtet mbetet për të pyetur se si shpjegohet ky gjumë i drejtësisë karshi kësaj zhvatjeje masive të fondeve publike, të cilat zbrazen nga  plaçkitja  gati legale, zhvatje  me letra, por me destinime që qartas bëjnë të kuptosh se bëhet fjalë për shpërdorim të skajshëm.

Njohësit e kësaj fushe konsiderojnë se pikërisht ky veprim është krye problemi i drejtësisë në Kosovë, i drejtësisë  së  kalbur dhe të  brishtë, e cila nuk prodhon drejtësi, por prodhon  varfëri e papunësi, për shkak të mosluftimit të korrupsionit e krimit të organizuar dhe moskonsolidimit të shtetit dhe zhvatjes së pandërprerë të parasë publike në vazhdimësi.

Milionerët e dyshimtë

Sipas  njohësit të kësaj fushe, Blerim Burjani, gjendja e tillë vjen nga mosfunksionimi i shtetit juridik. “Mosndëshkimi i shkeljeve që bëhen nga njerëz që merren me biznesin me profitabilitetin politik  dhe me para të popullit, bën që ata të arrijnë të pasurohen pamëshirshëm.

Kjo është një kategori njerëzish pa profesion e të papunë, që u katapultuan në politikë, dhe shumë shpejt u bënë edhe biznesmenë, që tash kanë bërë edhe punë dhe kanë krijuar  madje “ndërmarrje” private, bile  edhe KOMPANI TË SIGURIMEVE e gjithçka përmes përfitimeve me paratë e popullit. Këta  tipa edhe arrijnë ta shtrijnë drejtësinë përtokë derisa me ta  nuk merret askush”, u shpreh ai. “Drejtësia nuk merret me këta njerëz, sepse edhe pagat e institucioneve në drejtësi janë  ngritur përmes ndikimit nga rrjetet e tilla, që u kanë siguruar paga të majme, kurse ata mbeten servilë të politikës.

Prandaj, mund të themi lirisht që  edhe në drejtësi kemi plot e  përplot analfabetë që janë bërë  pjesë e skemave të shumta piramidale të pasurimit pa bazë, po ashtu kjo kategori e njerëzve kanë kryer fakultete në mosha të shtyra për të mbajtur pozita të rëndësishme, që  po të analizohet dhe hulumtohet,  apo të kishte pasur organe të drejtësisë të pavarura e profesionale,  kaherë do të ndaleshin gjërat  e tilla të kundërligjshme”, vijoi më tej Burjani. “Pa drejtësi të pavarur nga politika nuk mund të ketë shtet ligjor dhe mbrojtje të interesave publike dhe interesa të  qytetarëve”, theksoi ai për “Kosova Sot”. Sipas Burjanit, pikërisht për këtë arsye nuk ka kontrolle apo mbikëqyrje adekuate të punës e as vlerësimit të performancës se njerëzve që punojnë në drejtësi, e që  duhet sa më parë të ndodhë edhe vetting-u, sepse pa ndryshim adekuat me reforma nuk ka gjë, është vetëm humbje kohe.

Kelmendi: Drejtësia trafikohet

Analisti dhe publicisti Naim Kelmendi thotë se është një fatkeqësi që po i ndodh shtetit të Kosovës në sistemin e drejtësisë, sepse edhe tani pas 18 vjet në liri, në Kosovë drejtësia po vazhdon të shitet dhe blihet si në pazar. “Pra, definitivisht është kjo garniturë që udhëheq drejtësinë, e pafuqishme për t'u përballur me politikanët mafio-oligarkë të korruptuar e sundues, që po e sundojnë dhe qëndrojnë edhe ‘mbi ligjin e Kushtetutën’! Në këtë drejtim as KGJK-ja nuk ka bërë gjë deri më tash për të pasur një drejtësi më të mirë se që është kjo padrejtësi aktuale, e instaluar përmes korrupsionit dhe me ndikimet e fuqishme të politikës dhe korporatokracise kriminale të ndërlidhura bashkë.

Deri më sot nuk është dënuar në këtë vend ndonjë gjyqtar për lirimin e njerëzve të përfshirë në krim. Kriminelë të vendit lirohen nga gjykatat  vetëm pse blejnë drejtësinë me para apo janë të paprekshëm ndaj ligjit. Deri më sot nuk e dimë se ka ndodhur që KGJK-ja apo ZPD-ja të marrë masa ndaj ndonjë gjyqtari, edhe për shkelje kriminale të ligjit. Pra, me urdhrat e politikës së inkriminuar, prokurorët qëllimisht  i neglizhojnë rastet e caktuara kundër mafio-oligarkëve të inkriminuar të lidhur me mafio-politikanë me pozita të larta të pushtetit”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.

Kapiti: Aleanca kriminale e tri pushteteve

Eksperti i kësaj fushe Skënder Kapiti konsideron se për mosfunksionimin e shtetit të së drejtës në Kosovë, më së miri flet loja që po bëhet me ligjin kryesor që rregullon këtë sistem- me plotësim ndryshimet gati në çdo mandat qeverisës që bëhen për Kodin Penal e që nuk pos sjell asnjë rezultat.

E tillë thotë se do jetë edhe kjo loja e fundit. “Askush nuk beson se do të sjellin ndonjë ndryshim në sistemin e drejtësisë në Kosovë edhe pas ndryshimeve të fundit të Kodit Penal. Kjo sepse: ligje të mira në letër ka, por nuk janë zbatuar ato, apo janë zbatuar në mënyrë kriminale, korruptive dhe manipulative. Pra, problemi në sistemin e drejtësisë në Kosovë nuk janë ligjet, por janë mosfunksionimi, moszbatimi apo ‘mirëzbatimi’ i tyre në mënyrë korruptive e kriminale.

Pra, nuk janë problemi ligjet, por problem janë politika, pushtetarët, gjyqtarët dhe prokurorët, pra, problem është sistemi politiko-korruptiv antiligjor dhe i kriminalizuar, problem është mafio-oligarkia. Problemi në Kosovë ashtu sikurse edhe në Shqipëri, problemi më i madh shqetësues dhe kërcënues për shtetin ligjor, për shoqërinë dhe demokracinë shqiptare është aleanca korruptivo-kriminale e Legjislativit, Ekzekutivit dhe Gjyqësorit pa përjashtuar as pushtetin e katërt, atë të medies”, tha  Kapiti për “Kosova Sot”.

Miftari: Politikanët, levë e mafisë

Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, po ashtu, thotë se heshtja e drejtësisë nga mijëra afera korruptive është e kuptueshme, pasi vetë drejtësia dhe  të gjitha organet e ligjit dhe shtetit janë vetë të korruptuara, të kapura dhe të kontrolluara nga krimi i organizuar, dhe kështu sa më e madhe që të jeta shuma dhe hajnia e korrupsionit, aq më pak ka shans ka që të hetohet ndokush,  apo për t’u dënuar nga ligji, pasi organet e drejtësisë u shërbejnë bosëve dhe shefave që  e  bëjnë drejtësinë vetë,  jo sipas ligjit, por sipas Maliqit. “Prandaj, mos mendoni se edhe kjo varfëri ekstreme për shumicën e popullatës  dhe ky izolim dhe ngecje e Kosovës në të gjitha sferat ndodhin rastësisht.

Asgjë nuk ndodh rastësisht në Kosovë, por krimi i organizuar politik vendor dhe ai ndërkombëtar janë në një linjë duke vepruar dhe duke i vjel të mirat materiale për vete. Dhe, pikërisht nga këta pastaj,  paraja e vjedhur dhe  e zhvatur lihet dhe dërgohet jashtë Kosovës dhe investohen në shtetet e tjera për ta mbuluar dhe për ta legjitimuar kapitalin e vjedhur në Kosovë. Nuk po flas këtu për miliona apo qindra miliona, por fjalën e kam për miliarda euro që janë vjedhur nga populli i Kosovës që nga  viti 1999  e deri sot në vitin  2019”, shpjegon ai.

“Janë para këto që po të investoheshin në ekonominë dhe për zhvillimin e Kosovës,  Kosova jonë do ta  kishte arritur së pakut standardin slloven apo austriak të zhvillimit ekonomik, por edhe politik. Mirëpo, me këta njerëz dhe me këtë drejtësi është utopi nëse dikush pret e shpreson se mundet gjykata edhe vetë e korruptuar, që të merret me të tillët, për t’i  dënuar njerëzit  multimilionerë të korruptuar dhe profiterë të luftës,  apo edhe  mafiozë të pasluftës”, potencoi Miftari për “Kosova Sot”. Sipas tij, shumica janë edhe mafiozë, por njëkohësisht janë kinse edhe politikanë.

(Kosova Sot)