Ish deputeti ‘godet’ Thaçin: Është futur thellë në projektin antishqiptar, ja synimi i Serbisë

  • 22 February 2019 - 14:13
Ish deputeti ‘godet’ Thaçin: Është futur thellë në projektin antishqiptar, ja synimi i Serbisë

Ish-deputeti nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj, tha për "Kosova Sot" se tanimë po shihet qartë që Hashim Thaçi është futur thellë në një projekt antishqiptar për krijimin e Serbisë së Madhe, e që për fat të keq nuk është vetëm në këtë projekt, por ka gjetur aleatë edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri.

"Nuk ka asnjë dilemë se Hashim Thaçi dhe Edi Rama, në mënyrë të hapur dhe pa asnjë kamuflazh, po punojnë për realizimin projektit të Serbisë së Madhe. Ata as që po tentojnë ta fshehin këtë. Ata janë bërë argatë të Vuçiqit dhe shovinizmit serbomadh për shkatërrimin e qenësisë shtetërore dhe tërësisë gjeografike të Kosovës, me qëllim që ajo në të ardhmen të mos paraqesë kurrfarë faktori as në raport me Serbinë, e as në raport me Shqipërinë. Aleanca e Vuçiqit dhe Ramës e Thaçit është shumë e rrezikshme”, ka thënë Salihaj për “Kosova Sot”.

Image
Adem Salihaj

 

Më tej, ai thotë se kjo po i jep kurajë Serbisë që të këmbëngulë në kërkesat e saj për ndarjen e Kosovës.

“Thaçi tashmë është i njohur për të gjithë se s'ka asnjë skrupull që të shesë çdo gjë që mundet, duke filluar nga shokët e tij. Ai përdori gjakun e dëshmorëve për ta shitur për pasurimin e tij personal. Ai i dha tokë të Kosovës Maqedonisë, i dha tokë të Kosovës Malit të Zi, tash po mundohet t'i japë tokë të Kosovës edhe Serbisë. Projekti i bashkimit me Shqipërinë të asaj që mbetet nga Kosova është po ashtu projekt serb. Krejt këto veprime janë pjesë e një skenari të vetëm: shkatërrimi përfundimtar i Kosovës, bile jo vetëm në kuptimin shtetëror e politik, por edhe gjeografik", përfundoi Salihaj për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)