E zbulojnë mediat serbe, ja cili shtet qëndron prapa Ramush Haradinajt për taksën

  • 22 February 2019 - 14:20
E zbulojnë mediat serbe, ja cili shtet qëndron prapa Ramush Haradinajt për taksën

Gazeta serbe ‘Blic’, ka publikuar sot një artikull përmes të cilit aludon se Britania e Madhe është shteti i cili po ia mbanë shpinën Ramush Hradinajt dhe po e mbështet për të mos e hequr vendimin për taksën ndaj produkteve serbe. Kjo sipas gazetës po bëhet me qëllim të forcimit të pozitës së Anglisë në Ballkan, dhe largimit të ndikimit të Rusisë në këtë rajon. Kjo lidhje ndërmjet Haradinajt dhe Britanisë së madhe, thuhet se po bëhet përmes nënkryetarit të AAK-së, Ardian Gjinit, i cili ka edhe nënshtetësi britanike.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka një aleat të vjetër, që po ia mbanë shpinën dhe nëse është e nevojshme i ofron edhe mbrojtje. Bëhet fjalë për Britaninë e Madhe, roli i të cilëve nuk është ekspozuar edhe aq, shembull sa i Shteteve të Bashkuar të Amerikës karshi Kosovës, por që sigurisht janë shumë bashkëpunues, jo me të gjithë qeverinë e Kosovës, por me persona të caktuar brenda Qeverisë”, kështu e nis një shkrim të sajin gazeta, në të cilin pretendon se Britania e Madhe është shteti që në heshtje po e mbështet Ramush Haradinajn në vendimet e tij të fundit.

Sipas gazetës, Britania e Madhe nuk ka as qëndrim kritik për taksën që Haradinaj e ka vendosur ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Kjo sipas gazetës është treguar nga burimet diplomatike, të cilat tregojnë për këtë bashkëpunimin të Prishtinës me Britaninë e Madhe, shtet ky që ka më shumë besim në kryeministrin e Republikës së Kosovës.

Britanikët gjithashtu nuk duan edhe një zgjidhje të shpejtë të problemit të Kosovës, në mënyrë të veçant jo nëpërmjet korrigjimit të kufijve.

“Ata kanë një qëndrim shumë të but karshi taksës, dhe kjo tregon se ata nuk janë të interesuar që të fillojë dialogu sa më shpejtë. Arsyeja e këtij qëndrimi është situata e tyre që vjen nga Brexit, ata dëshirojnë që sa më parë të largojnë ndikimin rus nga rajoni, dhe të rrisin ndikimin e tyre si një forcë kryesore në Ballkan,  pasi ata po dalin nga Bashkimi Evropian”, ka thënë një burim diplomatik, duke shtuar se për ta arritur këtë britanikët po luajnë në të gjitha frontet.

 E një nga frontet që po e shfrytëzon Britania, është bashkëpunimi me Haradinaj. Kjo ndoshta nuk është duke u bërë në mënyrë direkte, por është shumë e dukshme.

Siç pretendon gazeta serbe, personi i cili është duke ndërmjetësuar bashkëpunimin ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Ramush Haradinajt, është nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, i cili është edhe nënshtetas i Anglisë.

‘Ai nuk është shumë i njohur për publikun e gjerë, por jo aq anonim, ai ka bërë kërcënime të shumta drejtuar Serbisë, pas arrestimit të Ramush Haradinajt në Francë. Pas arrestimit ai kishte kërcënuar serbët e Kosovës”, shkruan tutje gazeta serbe.

E njëjtë sikurse Britania e Madhe, edhe Ramush Haradinajt është kundër korrigjimit të kufijve si ide për zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gazeta shkruan se Britania e Madhe nuk e ka këtë qëndrim nga arsyet se e do Kosovën apo kryeministrin aktual, por e bën për interesa të veta, që një nga ta është forcimi i pozicionit të tyre në Ballkan, dhe minimizimi i rolit të Rusisë në këto pjesë të rajonit.

Kjo ishte pak a shumë edhe arsyeja se pse pak muaj më parë u mblodh Komiteti Britanik për Punë të Jashtme, ku u diskutua për Ballkanin Perëndimor. Në një dokument të nxjerrë nga ai takim, u tha se Rusia është e gatshme që të bëjë gjithçka për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor, pasi Bashkimi Evropian i ka lënë pas dore këto shtetet të këtij rajoni, të cilat po shfrytëzohen nga aktorë të fortë nga jashtë si Rusia, Kina dhe Turqia.

Gazeta shkruan se edhe muaj më parë ka raportuar për debatin publik në Prishtinë, për mundësinë e përfshirjes së një vendi evropian, që është në mbështetje të Haradinajt.

“Britania e Madhe do të shfrytëzojë Kosovën si një mjet për të mbajtur ndikimin në Ballkan”, vazhdon shkrimi.

Ndër të tjera ‘Blic’, përmend edhe seancën e  Këshillit të Sigurimit, ku ambasadori britanik ka folur për sukseset dhe gjerat pozitive që ka arritur Republika e Kosovës.

“Ai nuk ka folur fare për çështjen e taksës, siç ka bërë SHBA-ja, Gjermania e Franca”, thuhet tutje.

Dje presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka folur se vendimi për taksën është duke u mbështetur vetëm nga një vend I Bashkimit Evropian, pa treguar saktësisht se për cili bëhet fjalë, e që mund të jetë Britania e Madhe.

Të njejtën gjë e ka thënë dje edhe ministri Jashtëm, Ivica Dacic, i cili ka potencuar se “ disa shtete evropiane janë duke e inkruajuar Haradinajn që të mos e heq taksën, sepse ata nuk dëshirojnë që të ndryshohen kufijtë e Kosovës”.

(Kosova Sot)