Rrahja e dy ish-ministrave në Shutkë, drejtori i burgut do të japë dorëheqje

  • 22 February 2019 - 14:39
Rrahja e dy ish-ministrave në Shutkë, drejtori i burgut do të japë dorëheqje

Drejtori i Entit Ndëshkimor Korrigjues “Shkupi”, apo siç njihet - burgu i Shutkës - Gjoko Kotevski sot deklaroi se e pranon kërkesën e kryeministrit Zoran Zaev dhe se do të japë dorëheqje pas incidentit të djeshëm në burg.

“Unë jam njeri i përgjegjshëm dhe profesionist në shërbim dhe kur shërbimi do të dështojë është e logjikshme për arsye profesionale dhe morale të jepet dorëheqje. Nga hetimi i deritanishëm janë konfirmuar mangësi dhe mosrespektim i protokolleve standarde të sigurisë në shërbimin e sigurisë së burgut në Shkup. Përgjegjësinë për këtë e marrë unë“, tha Kotevski në një deklaratë për mediat para burgut.

Kryeministri Zaev sot kërkoi dorëheqje nga Kotevski pas dy incidenteve të djeshme në oborrin e burgut në të cilat morën pjesë ish-ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovsku. Zaevi e dënoi aktin dhe potencoi se pa dallim se kush është fajtor për incidentet drejtori duhet të bartë përgjegjësi.

(Kosova Sot)