500 mijë eurot e 11-vjetorit të Pavarësisë, Haradinaj nuk shkon në komision ku i kërkohet përgjegjësia për shpenzimin e tyre

  • 22 February 2019 - 15:04
500 mijë eurot e 11-vjetorit të Pavarësisë, Haradinaj nuk shkon në komision ku i kërkohet përgjegjësia për shpenzimin e tyre

Kryeministri Ramush Haradinaj, nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike ku është dashur të raportojë me shpenzimet prej 500 mijë euro për festën e 11-vjetorit të Pavarësisë.
Kryetari i Komisionit, Driton Selmanaj, ka thënë se është e palogjikshme të ndahet një shumë kaq e madhe për përvjetorin e Pavarësisë ku sipas tij aktivitetet që janë mbajtur atë ditë nuk kanë pasur një kosto kaq të lartë.

“Mënyra pse kemi vendosur më fol për ketë është mënyra se si po ndahen nga Qeveria Haradinaj mjete për disa aktivitete. Vetëm vitin e kaluara janë ndarë mbi 8 milionë e 300 mijë euro për këto raste. E fundit është 500 mijë euro për aktivitetet e 11 vjetorit të Pavarësisë”, tha Selmanaj.

Ai ka thënë se nuk e arsyeton mungesën e kryeministrit në komision.

“Neve na duhet Kryeministri me na i tregu arsyet për këto shpenzime që nuk kanë logjikë. Ne si Komisioni kemi kërkuar të vijë Kryeministri, por ai nuk ka ardhur. Kur i analizojmë aktivitetet nuk është që kanë pasur ndonjë shpenzim të madh të aktiviteteve dhe 500 mijë euro nuk e dimë se nga kanë shkuar”, tha Selmanaj.

Avdullah Hoti nga LDK-ja, tha se është shqetësuese se si po shpenzohet buxheti i Kosovës për raste të tilla.

“Nuk ka asnjë arsye për ndarje të gjithë kësaj shume për festen e Pavarësisë. Ne materialet që na u janë dërguar kemi ofertën e kompanisë që është marr më aktivitetet e Pavarësisë dhe duhet më dimë se si është përzgjedhur kjo kompani.

Edhe deputeti Mergim Lushtaku nga PDK-ja tha se kjo shumë është e pakuptimtë dhe sipas tij më mirë do të kishte qenë që kjo shumë të ndahet për familjet skamnore.

(Kosova Sot)