Vrasja e biznesmenit, policia greke publikon fotot e shqiptarëve

  • 22 February 2019 - 19:24
Vrasja e biznesmenit, policia greke publikon fotot e shqiptarëve

Policia greke ka publikuar identitetin e 8 shqiptarëve të arrestuar për një sërë veprash kriminale në vend përfshirë vrasjen e biznesmenit Alexandros Stamatiadis.

Grupi i shqiptarëve u arrestuan më 7 shkurt të këtij viti nga departamenti kundër krimit në Atika, ndërsa akuzohen edhe për vjedhje sistematike të banesave dhe plaçkitje në pjesë të ndryshme të Greqisë.

Grupi ka vepruar kryesisht nëpër shtëpi dhe vende të ndryshme në Atika, Peloponez, Epirit dhe Greqinë Qendrore.

Gjithashtu, grupi akuzohet për vrasjen e biznesmenit, Alexandros Stamatiadis, në shtëpinë e tij në Kifisia, në prill 2018.

Pjesë e grupit janë 10 shtetas shqiptar dhe një shtetas rumun, ndërsa Policia greke në faqen zyrtare ka publikuar fotot e 8 prej tyre, përfshirë një femër rumune.

Një person tjetër i panjohur ende është i përfshirë gjithashtu në organizatë.

Policia greke organizoi operacionin e arrestimit të tyre më 7 shkurt të këtij viti në rajonet e Atikës dhe Korintit, ku u arrestuan 8 anëtarët e organziatës.

Në bashkëpunim me autoritetet e policisë belge, një anëtar tjetër i organizatës kriminale u arrestua në Bruksel më 6 shkurt.

Dy anëtarët e tjerë të identifikuar janë jashtë Greqisë dhe hetimet po vazhdojnë për t'i arrestuar ata në bashkëpunim me autoritetet e vendeve evropiane.

Grupi akuzohet për të paktën 55 vjedhje dhe tentative grabitje në 9 shtëpi të tjera, dyqane, biznese dhe tentativë për vjedhjen e një ATM-je banke.

Operacioni i arrestimit për vrasjen e Aleksandros Stamatiadis u kodua "Derri i egër", dhe jo rastësisht u vu ky kod operacioni.

Vrasësit e Stamatiadis, disa javë para krimit, shkuan për gjueti në Arcadia ku vranë një derr të egër. Ata udhëtuan me një makinë të vjedhur, duke e braktisur më pas. Në vendngjarje u gjet gjaku i derri dhe gëzhoja armësh, të njëjtat me ato që i morën jetën biznesmenit.

Më pas, grupi publikoi një foto të derrit të vrarë në Facebook, mbase pa e ditur po ndiqeshin nga hetuesit, të cilët ishin vënë në lëvizje për të zbuluar publikuesin.  Pasi u hetuan më shumë se 100 njerëz, u gjetën prova që çuan në identifikimin e tre prej katër vrasësve.

 
(Kosova Sot)