Me një këmbë në varr si vëllai i tij, a do ta shpëtojnë dot shqiptarët jetën e vogëlushit 7 vjeçar?

  • 22 February 2019 - 21:02
Me një këmbë në varr si vëllai i tij, a do ta shpëtojnë dot shqiptarët jetën e vogëlushit 7 vjeçar?

“Kemi 12 vjet që endemi dyerve të spitaleve... ditën që Ervisi, im bir vdiq, mjekja më tha se djali i vogël Selmani kishte të njëjtën sëmundje si i vëllai”

Janë fjalë të një babai shqiptar këto, një burrë që nuk ja del dot të mbajë lotët kur tregon se edhe vogëlushi i tij 7 vjeçar, mund të ndahet kjo botë ashtu si djali i ndjerë Ervisi.

Historia tragjike e familjes Çela ndodh në një fshat pranë Tiranës, në Pezë Helmës dhe me kalimin e çdo sekonde, minute, ore dhe dite,  Mustafa dhe Erzeta Çela luten që të mund të shpëtojnë jetën e djalit të tyre. Selmani është vetëm 7 vjeç dhe ashtu si i vëllai i ndjerë Ervisi, vuan nga një sëmundje e rëndë, një lloj leuçemie e njohur si Aplazia Modulare.

Selmani i vogël ka nevojë për një transplant të palcës kurrizore dhe mjekët shqiptarë nuk kanë dhënë shumë shpresa për një operacion në vend.

Historia që ka prekur thellësisht opinionin publik shqiptar ka ardhur në një pikë mjaft delikate. Operacioni i Selmanit do duhet të kryhet në Turqi dhe nuk janë të pakta paratë që nevojiten. 160 mijë euro për jetën e një fëmije vetëm 7 vjeçar, që jeton në një familje të varfër. Fatmirësisht motra e Selmanit mund të jetë kompatibël me të, për të dhuruar një grimcë jete për të vëllanë, i cili sot luan me miqtë e tij, por nesër nuk do të mundet më.

Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” u ka bërë apel të gjithë shqiptarisë për ta ndihmuar 7 vjeçarin dhe sot, një javë pas publikimit të rastit që mund të kthehet në tragjedi, ka më në fund një përgjigje mbi fatin e Selmanit.

Mustafai dhe Erzeta i shohin çdo ditë fotot e Ervisit të ndjerë dhe sot presin me ankth përgjigjen përfundimtare, nëse vajza e tyre Anxhela do të jetë e përputhshme me të vëllanë, për të dhuruar pak nga vetja e saj në mënyrë që të shohë të vëllanë ashtu siç është mësuar ta shohë... duke buzëqeshur.

E teksa tensioni shtohet, shumëkush pyet... a do ta shpëtojnë dot shqiptarët jetën e një vogëlushi 7 vjeçar? Për të zbuluar përgjigjen sot emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” në News24 i dedikohet pikërisht jetës së Selmanit.

(Kosova Sot)