Salihaj: Serbinë e zëvendësoi një bandë

  • 23 February 2019 - 11:52
Salihaj: Serbinë e zëvendësoi një bandë

Ish-deputeti nga LDK-ja, Adem Salihaj, thotë se sivjet do të shënojmë 20-vjetorin e çlirimit nga Serbia, një vit jubilar me plot dy dekada pa sundimin gjakatar serb dhe është e logjikshme të mendojmë se gjatë këtyre dy dekadave ne do të duhej të ishim të kënaqur në rrezet e lirisë, do të duhej të kishim gjenerata të lumtura, të cilat me gëzim të madh të kenë krijuar mirëqenie ekonomike e sociale dhe me besim ndërtojnë të ardhmen e tyre të lumtur, por fatkeqësisht po ndodh e kundërta.

“Por, çka ndodhi në të vërtetë? Mjerimi, dëshpërimi, mungesa e perspektivës, humbja e besimit dhe pakënaqësia ka kapluar anekënd Kosovës. Serbinë e zëvendësoi një lloj bande e kyçe, e cila sërish filloi terrorin, vrasjet, dhunën dhe plaçkitjet.

Populli i Kosovës asnjëherë, që dy dekada, nuk arriti ta shijonte lirinë e vërtetë. Një shtet i krijuar me aq vuajtje e sakrifica të mëdha, në vend që të jetë në shërbim të popullit të Kosovës, ai u uzurpua në të gjitha segmentet e tij, për t'u shndërruar në mjet plaçkitjeje e dhune ndaj qytetarëve të ndershëm të Kosovës.

Kjo bandë u bë e pasur me plaçkitje të panumërta të buxhetit të Kosovës. Madje, për interesa personale filloi ta shesë edhe territorin e Kosovës. Asgjë nuk mbeti e shenjtë dhe e paprekshme asnjë vlerë nuk pati sakrifica e mijëra dëshmorëve, të cilët dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës. 

Asnjë vlerë nuk pati sakrifica e dhjetëra mijëra grave e fëmijëve që u sakrifikuan nga pushtuesit barbarë. Krejt këto sakrifica, krejt ky gjak u shndërrua në pasuri të vjedhur të kësaj bande të kuqe, e cila tashmë e ka shndërruar Kosovën në një vend, nga i cili të gjithë duan të ikin”, tha Salihaj për “Kosova Sot”.

Lexo edhe këtë: Republika e oligarkëve të pasluftës shkeli betimin e luftëtarëve

(Kosova Sot)