Qarri: Mafia bën çka të dojë

  • 23 February 2019 - 13:56
Qarri: Mafia bën çka të dojë

Analisti politik Gani Qarri konsideron se problemi më i rëndë që përcjellë në vijimësi vendin tonë, qysh nga shpallja e pavarësisë e këtej, pa dyshim mbetet krimi i organizuar dhe korrupsioni, të cilat jo vetëm se kanë përfshirë të gjitha segmentet shtetërore e veçanërisht institucionet publike, por sipas organizatës ‘Transparency International’ janë kthyer në kancer shkatërrues për vendin dhe kanë shndërruar Kosovën në shtetin më të korruptuar në Ballkanin Perëndimor.

“Kjo flet qartë se është koha e fundit që të kuptohet nga të gjithë se me një politikë të tillë të inkriminuar dhe një drejtësi tërësisht të kapur nga politika si kjo në Kosovë, luftimi i krimit dhe korrupsionit mbetet një sfidë e patejkalueshme.

Vetë fakti se asnjëherë deri më tani nuk u jetësua, as nuk u vu në veprim “Ligji Antimafia”, nuk i`u kushtua prioriteti i duhur hetimeve të korrupsionit dhe nuk u bë luftë e njëmendtë ndaj krimit të organizuar, sidomos atij të profilit më të lartë, si ministra, deputetë, gjyqtarë e prokurorë të inkriminuar etj., dëshmon se në Kosovë edhe 20 vjet pas çlirimit, në vend të drejtësisë, kemi me bollëk vetëm korrupsion dhe krim të organizuar, ku sot punë gjen vetëm nëse ke një lidhje politike, një të afërm në pushtet, ose nëse jep ryshfet marramendës në këmbim të një vendi pune-dosido, në administratën publike”, u shpreh ai.

“Edhe në zgjedhjet e para dy viteve ish-ministra të PDK-së dhe zyrtarë të lartë të LDK-së, përkundër faktit se ishin të përfshirë në afera të ndryshme korruptive e kriminale, u futën ndër të parët në listat për deputetë të kësaj legjislature, nga të cilët tani nuk ke se si të presësh që pikërisht të njëjtit ta bëjnë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përderisa edhe paraprakisht kanë dëshmuar qartë se ata kanë krejt tjetër zanat e dinë të bëjnë vetëm të kundërtën dhe atë që nuk do duhej.

Ndaj si pasojë e gjithë kësaj sot edhe 20 vjet pas çlirimit kemi mijëra të rinj me shpresa të humbura që enden rrugëve me diploma në xhep, të cilëve edhe në këtë qindvjeçar, e vetmja zgjidhje për punësim e mbijetesë u mbetet emigrimi i imponuar në vende të huaja dhe sa më larg Kosovës së kapur nga mafio-oligarkia dhe politikanët e kriminalizuar”, vlerësoi Qarri për “Kosova Sot”.

Lexo edhe këtë: Republika e oligarkëve të pasluftës shkeli betimin e luftëtarëve

(Kosova Sot)