Viktima në Venezuelë, Maduro mbyll kufirin dhe me Kolumbinë

  • 23 February 2019 - 14:43
Viktima në Venezuelë, Maduro mbyll kufirin dhe me Kolumbinë

Të paktën dy njerëz kanë vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur gjatë përleshjeve në kufirin mes Venezuelës dhe Brazilit. Forcat e sigurisë së Venezuelës hapën zjarr ndaj një grupi civilësh, të cilët provuan të pengojnë bllokimin e kufirit nga ana e forcave ushtarake.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje të shmanget dhuna në Venezuelë. Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric, tha se” “çdo humbje e jetës është për keqardhje dhe se Sekretari i Përgjithshëm apelon fuqishëm që të shmanget dhuna”.

Presidenti i kontestuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, njoftoi për mbylljen e kufirit me Brazilin, për të bllokuar ndihmat humanitare. “Kufiri me Brazilin do të mbyllet plotësisht dhe absolutisht deri në njoftimin e radhës”, tha Maduro.

Udhëheqësi i majtë tha në një fjalim televiziv se po shqyrton mbylljen e kufirit edhe me Kolumbinë për të ndaluar opozitën që të fusë ndihma. Dhjetëra vende, në mesin e tyre edhe SHBA-ja, e kanë njohur udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido, si president të përkohshëm të Venezuelës.

(Kosova Sot)