Borxhi publik mbi 1 miliard euro, luksi i pushtetit rritet, ekonomia përtokë

  • 14 March 2019 - 07:52
Borxhi publik mbi 1 miliard euro, luksi i pushtetit rritet, ekonomia përtokë

Trendi rritës, shqetësues për gjeneratat e reja që do të paguajnë detyrimet financiare

Eksperti i integrimeve evropiane në fushën e ekonomisë, Nëntor Shaqiri tha për “Kosova Sot” se, pavarësisht shifrave që ka borxhi publik, rëndësi kanë efektet që krijon ky borxh. “Pasi këtë borxh e paguajnë gjeneratat e reja dhe nëse ata paguajnë diçka që nuk ka dhënë efekte afatgjata është e padrejtë", u shpreh ai. Sipas Shaqirit, Qeveria deri më tani nuk ka dhënë ndonjë sqarim në lidhje me matjen e efikasitetit të përdorimit të borxhit publik

Banka Qendrore e Kosovës njofton se borxhi publik në fund të vitit 2018 ka arritur në 1.1 miliard euro, që është për 9.7 për qind më shumë se vitin e kaluar. Qeveria e Kosovës,i ka shpenzuar  vetëm gjatë dy muajve të parë mbi 1.4 milion euro, nga 4.8 milionë sa janë ndarë si rezerva shtetërore. Prandaj, nga opozita po shtrohet pyetja se përse nuk po respektohet ligji, ku në bazë të ligjit, shpenzimet e paparashikuara apo rezervat shtetërore mund të shpenzohen vetëm për raste emergjente dhe të paparashikuara.

Analistët e kanë frikën se buxheti po shkon drejt bankrotimit për shkak të keqmenaxhimit dhe shpenzimeve të pafund të Qeverisë aktuale. Veç të tjerash, po shtrohet pyetja se deri kur buxheti i shtetit do të qeveriset me logjikën zhvatëse dhe abuzuese të parasë publike. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Financave, Muharrem  Shahini, në bazë të Ligjit për Borxhet Publike, në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm nuk duhet të tejkalojë dyzet për qind të PBB-së. “Në rast se borxhi e tejkalon këtë përqindje, atëherë Qeveria duhet t’i paraqesë Kuvendit strategjinë për të kthyer Borxhin e Përgjithshëm nën pragun dyzet për qind.

Por, niveli i Borxhit të Përgjithshëm e bën Kosovën vendin me shkallën më të ulët të borxhit publik në rajon, gjë që mesatarja e këtij borxhi në vendet e Evropës Juglindore është mbi 55 për qind të PBB-së”, u shpreh ai. Edhe BQK-ja thotë se ky nivel i borxhit është ende larg pragut prej 40 për qind të paraparë me ligj. Ndërsa, sipas FMN-së, përkundër rritjes, ky nivel i borxhit është ende larg pragut prej 40 për qind të paraparë me ligj. “Për më tepër, ky nivel i borxhit publik e mban Kosovën në pozitën e vendit me shkallën më të ulët të borxhit publik krahasuar me vendet e rajonit, të cilat kanë një mesatare të borxhit publik prej 59.1 për qind”, vlerëson BQK-ja.

Image

Bankrotimi mund të vijë

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu(PSD) tha për gazetën “Kosova Sot” se ka frikën se me këtë mënyrë të shpenzimeve buxheti po shkon drejt bankrotimit për shkak të keqmenaxhimit dhe shpenzimeve të pafund të Qeverisë aktuale. “Prandaj, është e habitshme se deri kur buxheti i shtetit do të qeveriset me logjikën zhvatëse dhe abuzuese të parasë publike. E them këtë duke mos parë asnjë investim kapital veç Autostradave, ndaj vërtet për mua mbetet një enigmë se përse po i rritet borxhi publik i Kosovës nga viti në vit, prandaj edhe në Kuvendin e Kosovës duhet debatuar se ku po shkojnë ato para të borxhit publik. Kjo pasi askush nuk e di se si po i harxhon Qeveria edhe paratë e rezervave shtetërore kot dhe pa një plan të mirëfilltë ekonomik”, u shpreh ai.

“E tërë kjo situatë po ndodh, ngase Qeveria e Kosovës i ka shpenzuar  vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti mbi 1.4 milion euro, nga 4.8 milionë sa janë ndarë si rezerva shtetërore. Prandaj, unë do të kërkoj se përse nuk po respektohet ligji, ku në bazë të ligjit, shpenzimet e paparashikuara apo rezervat shtetërore mund të shpenzohen vetëm për raste emergjente dhe të paparashikuara. Ndaj, nëse Qeveria vazhdon me këtë trend të pakontrolluar të shpenzimeve edhe nuk duhet të çuditemi fare se përse po na rritet borxhi publik”, theksoi më tej Salihu.  Eksperti i integrimeve evropiane në fushën e ekonomisë, Nëntor Shaqiri tha për “Kosova Sot” se, pavarësisht shifrave që ka borxhi publik, rëndësi kanë efektet që krijon ky borxh. '

Lexo edhe këtë: Drejtësia qelbet nga koka, ligjin e kontrollon nëntoka

“Pasi këtë borxh e paguajnë gjeneratat e reja dhe nëse ata paguajnë diçka që nuk ka dhënë efekte afatgjate është e padrejtë". Sipas Shaqirit, Qeveria deri më tash nuk ka dhënë ndonjë sqarim në lidhje me matjen e efikasitetit të përdorimit të borxhit publik. “Pavarësisht borxhit të ulët publik, në krahasim me vendet e rajonit, Qeveria duhet të ketë kujdes se çfarë projektesh prezanton në të ardhmen", potencoi ai.

Image

Nga 600 euro borxh për kokë banori

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për gazetën “ Kosova Sot”se mbështetur nga të dhënat zyrtare të MF-së, mësohet se në mes të periudhës 2013 deri në vitin 2017, borxhi publik është dyfishuar, përderisa në vitin 2013 borxhi publik ishte 476.2 milionë euro, në fund të vitit 2017 ka arritur afër 1 miliard euro. “Andaj, është shqetësuese, përderisa këto para janë të vdekura, nuk gjenerojnë punësim afatgjatë dhe zhvillim, e sipas përllogaritjeve po i bie se çdo qytetar i vendit i ka borxh nga 600 euro, pa marrë parasysh a është grua apo burrë, fëmijë apo plak, i punësuar apo jo", u shpreh ai.

“I detyrohemi borxhit nga 600 euro, nuk e di si janë të qetë qeveritarët kur rreth 50 për qind e buxhetit të shtetit është borxh, është normale për situatën ekonomike në vend të futesh në borxhe, por jo deri në këtë masë ose për investime në krijimin e vendeve të reja të punës ose hapje të fabrikave që e lehtësojnë papunësinë deri në një masë të përballueshme", vlerësoi Beqiri. “Nëse krahasojmë të dhënat nga vitet e kaluara të Bankës Qendrore të Kosovës, në vitin 2016 borxhi i përgjithshëm i shtetit ishte 852.7 milionë euro, ndërsa në vitin 2015 ka qenë rreth 750 milionë euro.

Pjesëmarrja e totalit të borxhit në Bruto Produktin Vendor (BPV) në fund të vitit 2017 të jetë 16.63 për qind prej 8.94 për qind, sa ka qenë para katër vjetësh, pra një rritje prej 7.69 për qind". Por, Beqiri mendon se do të ishte normale nëse mjetet e huazuara të orientoheshin në krijimin e vendeve të reja të punës, prodhimtari, mbështetje të NVM-ve, jo në asfalt dhe projekte të ashtuquajtura të vdekura. Këtu nuk duhet harruar se 35 për qind e popullit është  pa  punë dhe kushtet në sektorin privat janë shumë të këqija. Pra, shtet i suksesshëm është ai shtet që nuk ka borxhe kombëtare e ndërkombëtare”, shpjegon Beqiri.

Image

Keqpërdorimi i borxhit

Ndërsa, deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për “Kosova Sot”, se borxhe publike kanë shumë vende,  por borxhet duhet të kenë një strategji se ku do të përdoren, prandaj ato duhet orientuar kryesisht në projekte që sjellin zhvillim ekonomik, por edhe vende të reja pune.

“Por, e keqja është se në vendin tonë për çdo vit ka rritje të borxhit publik dhe në krahasim me vendet në rajon ne kemi pasur borxhin publik më të voglin, por vendi ynë që nga pas lufta si borxhin publik, ashtu edhe donacionet nuk i ka përdorur për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, por shpeshherë janë përdorur për investime që nuk kanë sjellë asnjë leverdi ekonomike.

Borxhi publik dhe kreditë e buta, që merren nga institucionet financiare ndërkombëtare, tani duhet të shfrytëzohen për ndërrimin e strukturës së ekonomisë së vendit, duke u munduar që ta bëjmë një infrastrukturë që sjell zhvillim të hovshëm ekonomik dhe vende të reja të punës dhe jo që këto kredi të shfrytëzohen si në të kaluarën për trajnime të administratës dhe për investime që nuk i kanë sjellë ekonomisë së vendit asnjë leverdi, përveç rritjes së këtij borxhi, që në të ardhmen mund të jetë pengesë për zhvillim të vendit", u shpreh Neziraj.

Image

Efekti zhvillimor, zero

Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, afaristi Ramadan Maloku, për gazetën “ Kosova Sot”,  thotë se kur po duket mënyra se si po përdoren këto para nga të gjitha qeveritë e deritashme, kjo na tregon se borxhi publik i Kosovës do të vazhdojë që të rritet.

“Së këndejmi, Qeveria 'Haradinaj' duhet ta ndryshojë strategjinë e përdorimit të këtyre mjeteve, ngase këto para borxh nuk do të kenë kurrfarë efekti zhvillimor për vendin, andaj ajo që duhet bërë është nevoja urgjente e ndryshimit të strategjisë së përdorimit të këtyre mjeteve të borxhit publik që duhet të shërbejë në radhë të parë për hapjen e vendeve të reja të punës dhe për investime, e në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që të bëhet ndryshimi i destinimeve të këtyre parave të borxhit”, u shpreh ai.

Image

Të ndalet thellimi i detyrimeve

Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci  tha për gazetën “ Kosova Sot’ se  Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht ta  ndërpresë rritjen e borxhit publik, dhe të harxhojë paratë që janë rezerva për raste emergjente. “Ligjin vetë e kanë krijuar dhe vetë po e shkelin, ku gjithashtu me këtë po del që Kushtetuta e Kosovës po shkelet gjithashtu, ndaj nëse me ligj një person kur e shkel Kushtetutën ai duhet që të dënohet, atëherë pse nuk po dënohen këta politikanë të cilët brenda ditës ndoshta 3 -4 herë e shkelin Kushtetutën si të ishte diçka normale.

I bëj apel Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, pse po heshtni dhe po i mbyllni sytë kur shkelet ligji dhe Kushtetuta nga politikanët e korruptuar dhe të përfshirë në krime të rënda. Përse po i mbyllni sytë kur një politikan po i keqpërdor paratë publike, që në fakt janë të qytetarëve. Veç saj, kërkoj që të merrni masa të rrepta kundër çdo individi politik, të cilët i kanë keqpërdorur këto rezerva shtetëror. Nëse vazhdohet me këtë ritëm të rritjes së borxhit publik, me keqardhje e them se Kosova brenda një kohë të shkurtër do të bjerë në kolaps ekonomik shumë të rëndë, andaj e vetmja zgjidhje për daljen nga kjo katrahurë e politikanëve është rrëzimi i kësaj Qeverie dhe krijimi i një Qeverie krejt tjetër”, vlerësoi Grapci.

(Kosova Sot)