Fondi në Serbi, lëmosha në Kosovë

  • 14 March 2019 - 07:38
Fondi në Serbi, lëmosha në Kosovë

Qeveritë kosovare dështuan në rregullimin e pensioneve

“Kosovën e sotme e sundojnë oligarkët e pangopshëm për t’u pasuruar për vete, të cilët nuk e kanë hallin për asnjë kategori të popullit, e për pensionistët më së paku. Ka pasur iniciativa që t’u njihet stazhi për pension të gjithë punëtorëve, të cilët në periudhën 1990-1999 i kanë përjashtuar prej pune organet e dhunshme të regjimit të Serbisë. Iniciativa të tilla ka pasur nga organizatat e pensionistëve, nga organizatat e sindikatave dhe nga Avokati i Popullit, por ato nuk janë pranuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, me arsyetimin banal, se pranimi i atij stazhi do të rritë numrin e pensionistëve dhe do të kishte kosto të lartë financiare ”, thotë analisti Adil Fetahu për “Kosova Sot”

Që nga pas lufta e deri më sot, të gjitha garniturat e qeverive të shtetit tonë i kanë lënë në gjendjen më të rëndë pensionistët e Kosovës, ku sot shumica e tyre marrin vetëm nga 90 euro me rritje. Njohësit e kësaj fushe, deputetë të opozitës, analistë politikë bashkë me qytetarët, e shtrojnë pyetjen se si ka mundësi që shteti nuk po ua njeh pensionistëve vitet, kur ata i kanë kaluar mbi 15 vjet, që ndodh në çdo vend të botës, por i lë punëtorët kosovarë me nga 90 euro dhe të cilët kanë refuzuar të punojnë sipas urdhrave të regjimit serb të asaj kohe.

Përfaqësuesi i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, kryetari Shaban Kajtazi, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se situata është për keqardhje, pasi gjendja e pensionistëve tanë është gati e mjerueshme, për shkak të pamundësisë së shfrytëzimit të fondit pensional, i cili ka mbetur i bllokuar në Serbi që nga viti 1999. “Në fund të vitit 1998 kanë qenë rreth 90 mijë pensionistë. Të gjithë këta njerëz nuk i kanë marrë pensionet e tyre që nga ajo kohë, ngase neve si pensionistë na është marrë e drejta e pensionistit dhe në vend të saj Qeveria e Kosovës ka vendosur që atyre t’u japë një ndihmë prej 90 eurosh”, vlerësoi ai.

“Deri më sot kanë dështuar përpjekjet  e të gjitha qeverive tona që njerëzit ta marrin pensionin për të cilin kanë kontribuar gjatë jetës së tyre. Andaj, qëndrimet e pensionistëve kosovarë kanë qenë dinjitoze, ngase asnjëherë ne nuk jemi pajtuar me këtë status- quo tonën, sepse kjo nuk e zgjidh çështjen e tyre as materiale-ekonomike, as atë politike”, potencoi Kajtazi.

Image

Diskriminim dhe refuzim i stazhit

Njohësi i kësaj fushe Adil Fetahu, për gazetën,” Kosova Sot”, thotë se duhet të sqarojmë dallimin midis “pensionit” dhe “ndihmës sociale”. “Pensionistë të vërtetë janë ata që kanë fituar pensionin në bazë të marrëdhënies së punës dhe kontributeve të paguara. Të tillë aktualisht janë më pak se  45000 dhe këta janë të tri kategorive: pensionistë (të gjallë) të pleqërisë, që kanë mbushur moshën mbi 65 vjeçe; pensionistë invalidorë (invalidë të punës), dhe shfrytëzues të pensionit familjar (familja e pensionistit të vdekur). Të gjithë të tjerët janë, siç  i quan ligji: “pensionistë socialë”, të cilëve aktualisht u paguhen nga 90 euro në muaj, si ndihmë sociale, për shkak të moshës së tyre, mbi 65- vjeçare.  

Por, është një numër i atyre që kanë  më pak se 15 vjet stazh pune, të cilëve nuk u pranohet statusi i pensionistit të vërtetë, veçse statusi i të moshuarit; edhe ata kanë mbetur me 90 euro në muaj! Dhe, është një kategori tjetër e pensionistëve, të cilëve nuk po u pranohet diploma e shkollës së mesme ose ajo e fakultetit, po qe se shkollimin e ka kryer pas 1.1.1990, për ta fituar pensionin sipas kategorisë së arsimimit, që është bërë prej vitit 2016? Dhe kjo është një anomali dhe absurd! Për të qenë absurdi më i madh, atyre u pranohet diploma për punë, qoftë në arsim (e fakultetit) qoftë në punë të tjera (e shkollës së mesme), ndërsa nuk u pranohet për kategorizimin e kategorinë e pensionistëve”, shpjegoi ai.

Ndërsa, duke folur për atë se përse s’ua njeh stazhin e viteve 1990-1999, kur kanë refuzuar punën sipas ligjeve të Serbisë, analisti Fetahu sqaroi se punëtorët asnjëherë nuk e kanë refuzuar punën, por kanë refuzuar njohjen e legjitimitetit të organeve të dhunshme, të cilat i kishte instaluar Serbia në të gjitha organet, institucionet dhe ndërmarrjet e Kosovës. “Me Ligjin mbi Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, është bërë një padrejtësi e madhe, që disa kategorive të qytetarëve, përveç punëtorëve të arsimit, stazhi për periudhën 1990-1999 iu njihet edhe disa kategorive të tjera, të cilët sado-kudo kanë realizuar të ardhura gjatë asaj kohe (por as ata nuk kanë paguar kontribute për pension), ndërsa të tjerëve që s’kanë realizuar kurrfarë të ardhurash, nuk iu pranohet ajo kohë në stazh për pension”, potencoi Fetahu.

Lexo edhe këtë: Për skandalin e “gylenistëve”, të gjitha rrugët të çojnë në Presidencë dhe te Shpend Maxhuni

Image

Projektligji të rishikohet

Njohësi i rrethanave politike në vendin tonë Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se shqetësimet e pensionistëve të Kosovës janë të drejta. “Të gjitha qeveritë e deritashme u premtuan se çështjen e tyre do ta ngritin në instancat vendimmarrëse. Madje, atyre iu premtua se nëse Projektligji vjen në Kuvend, atëherë vërejtjet e tyre duhet t’ia adresojnë Komisionit për punë dhe mirëqenie sociale, për t’i inkorporuar ato si amendamente dhe për t’i propozuar seancës për miratim bashkë me Projektligjin për pensionet. Por, me gjithë këto premtime deri më sot asgjë e re.

Kjo, ngase shteti nuk ua njeh pensionistëve vitet e stazhit,  kur ata i kanë kaluar mbi 15 vjet  dhe është një rast i paprecedent, pasi situata  e pensionistëve të Kosovës vërtet është e rëndë me vetëm 90 euro në muaj. Është për keqardhje trajtimi që ua bënë shoqëria kosovare e pasluftës ndaj atyre që e ndërtuan shtetin dhe të cilët kanë refuzuar të punojnë sipas urdhrave të regjimit serb të asaj kohe. Andaj, duhet që urgjentisht të tërhiqet teksti i hartuar i Projektligjit për pensionet, për të krijuar grupin e ekspertëve dhe për të rishikuar këtë projektligj, në mënyrë që ai të bëhet i përshtatshëm për pensionistët e Kosovës”, u shpreh ai.

Image

Të gjitha qeveritë, fajtore

Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Ali Lajçi(LVV), për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se nuk ka asnjë dyshim se që nga pas lufta e deri më sot shtresa më e injoruar e shoqërisë sonë kanë qenë pensionistët. “Fajtore për këtë  situatë të rëndë të pensionistëve tanë të gjitha qeveritë e deritashme dhe nuk ka rrugë tjetër veçse pensionistët duhet që ta detyrojë Qeverinë e tashme që ta iniciojnë  ligjin, në mënyrë që të gjithë pensionistëve t’u njihen vitet e punës nën regjimin okupues serbe.

 Andaj, me miratimin këtij ligji do të kishte mundësi që më në fund edhe shteti i Kosovës do t’ua njihte pensionistëve vitet e stazhit të punës, pasi ata shumica sish i kanë kaluar mbi 15 vjet, por po i lënë punëtorët kosovarë me nga 90 euro dhe të cilët si dihet botërisht edhe kanë refuzuar të punojnë sipas urdhrave të regjimit serb të asaj kohe”, u shpreh ai.

Qytetarët kërkojnë kthimin e Fondit

Krahas analistëve edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të indinjuar tej mase me të gjitha qeveritë për injorimin e bërë ndaj pensionistëve kosovarë . Qytetari Ramadan Ferizi nga Prishtina, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se është e rëndë pozita e pensionistëve kosovarë nga pas lufta, ngase ky Fond i tyre ka mbetur i bllokuar në mënyrë të njëanshme nga Serbia.

“Serbia deri më tash i ka injoruar kërkesat e Kosovës për kthimin e Fondin dhe asnjëherë nuk ka pasur një përgjigje konkrete pse nuk kthehet ky Fond në Kosovë. Por, shpresojmë se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, do të arrijnë që ta detyrojnë Serbinë ta rikthejë këtë Fond në Kosovë”, theksoi ai. Ndërsa qytetari Hakif Hamiti nga Prishtina, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se çështja e pensioneve në Kosovë është ende pezull.

“E tëra kjo po ndodh, ngase që nga viti 1999 shteti serb ka bllokuar Fondin pensional për rreth 90 mijë pensionistë kosovarë. Pensionistëve që kanë dhënë kontributin e tyre për vite me radhë, u janë marrë të gjitha të drejtat e Fondit ekzistues pensional, duke i lënë ata në një gjendje shumë të rëndë. Bisedimet e deritashme për rikthimin e Fondit pensional të para vitit 1999 kanë dështuar”, theksoi ai. Sipas Hamitit, Qeveria e Kosovës në bisedimet me Serbinë në Bruksel duhet të insistojë në kthimin e këtij Fondi pensional që padrejtësisht mbahet në Serbi. 

(Kosova Sot)