Zemaj kërkon debat parlamentar për mosrespektimin e të drejtave të punëtorëve

  • 14 March 2019 - 23:21
Zemaj kërkon debat parlamentar për mosrespektimin e të drejtave të punëtorëve

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se punëtorët në Kosovë në shumicën e rasteve nuk trajtohen në mënyrë dinjitoze nga punëdhënësit e tyre.

Këtë, ai e ka cilësuar “problematikë esenciale”, për të cilën ka thënë se ka iniciuar debat parlamentar.

“Punëtorët në Kosovë në shumicen e rasteve nuk kanë trajtim dinjitoz nga punëdhënësit. Kushtet e tyre të punës, siguria në punë, mosrespektimin e orarit, mosrespektimin e ditëve të pushimit as për festat zyrtare, pagesat minimale etj, janë qashtje që kërkojnë trajtim dhe respektim ligjor”, ka shkruar Zemaj, në llogarinë e tij në Facebook.

“Për këtë problematikë esenciale se bashku me kolegët deputet kamë inicuar debat parlamentar, duke propozuar masa adekuate të cilat do duhej të jenë obligative për respektimin dhe avancimin e të drejtave të punëtorve në sektorin privat”, ka treguar ai.

“Ju ftoj të gjithëve të ngritni zërin dhe të bëheni pjesë e rregullimit të kësaj çështjeje”, është shprehur deputeti i LDK’së.

 

(Kosova Sot)