Letra e mallkimit nga ish ushtari i UÇK-së për pushtetarët dhe politikanët

  • 19 March 2019 - 18:28
Letra e mallkimit nga ish ushtari i UÇK-së për pushtetarët dhe politikanët

Analisti politik Florim Zeqa tha për "Kosova Sot" se letra tejet emocionuese e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani invalid i luftës, Feim Krasniqi, drejtuar pushtetarëve dhe politikanëve në përgjithësi, për më tepër se letër dëshpërimi me qeverisjen e vendit, është letër e mallkimit drejtuar uzurpatorëve të shtetit, drejtuar ish-komandantëve të luftës, këtyre sheikëve të paqes, politikanëve të korruptuar dhe tej inkriminuar kosovarë, që e trajtuan shtetin si plaçkë lufte, që e rropën e çrropën çdo gjë nga pasuria shoqërore, që po zhvatin buxhetin e shtetit në themel për pasurim mbi kurrizin e popullatës së varfër.

"Letra e ish- luftëtarit të UÇK-së nuk është zë i vetmuar, por është zëri i qindra e mijëra luftëtarëve, është zëri i invalidëve të luftës që lanë gjymtyrët e trupit të tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Ato që janë të shkruara në letrën e ish-ushtarit të UÇK-së janë shqetësime që i dëgjojmë çdo ditë prej qytetarëve të Kosovës, prej atyre që nuk janë bërë pjesë e sistemit kriminal e korruptues, prej atyre që Kosovën e kanë ëndërruar ndryshe nga kjo që është sot", u shpreh ai.

Image
Florim Zeqa

 

"Pikërisht ata që u drejtohen të rinjve me thirrjen "Mos e lëshoni Kosovën..." janë uzurpatorët më të mëdhenj të institucioneve shtetërore me punësimin e familjarëve të tyre pa konkurse dhe pa kritere. Andaj nuk kanë si të ndalen të rinjtë të ikin nga Kosova, kur në vendin tonë nuk ka asnjë perspektivë, nuk ka sundim të ligjit, nuk ka zhvillim ekonomik dhe në këtë shtet mund të punësohen njerëzit vetëm me lidhje nepotike, militanteske e kriminale, edhe atë në çdo sektor publik,...përderisa sektori privat është shndërruar në ferr dhe varr i të varfërve nga pasiguria dhe abuzimi i oligarkëve ekonomikë", potencoi më tej Zeqa.

Lexo edhe: Tallja e pushtetit, një herë ua nxin jetën, tash apelojnë “mos ikni”

E Krasniqi, në letrën e tij ndër tjerash ka shkruar: Politikana Komandanta Kryeminister zv. Kryeministra e Ministra të Republikës së Kosovës.

Deri kur familjet tona të jemi me vaj dje 13 malishevasit ikën për Itali, ndër ta edhe djali im në lulen e rinisë ende pa i mbush 17 vite, u dashtë me e marr rrugën e mërgimit, kjo është tmerri i tmerrit.

Ky shkrim shkon më shumë për Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, Hashim Thaqin, Isa Mustafën. Deri kur doni mi rrejt popullatën e shkretë a s’po ju vjen marre për postet që i mbani në ketë qeveri?

Gjysma e Kosovës veç iku edhe sa e sa do te ikin ditëve e vijim?

Për çka luftuam, për çka e dhanë jetën dëshmoret, për çka ne luftëtaret i dhamë gjymtyrët e trupit?

Po, me pasuru juve e mu ba milionerë, aaaaa e mi shkollu veç fëmijët e juaj, aaa turpi ju mbuloftë qysh ju ka mbulu, po s’po e shihni ende, po keni me pa ju betohem. Shikoni këto foto, a keni fëmijë ju, po me dridhet dora mu ka mbush parku vner po du me plas për kënd i rritem fëmijët tanë me shku mu ba rroktar të evropianëve, marre ju koftë çka bëtë ju për rininë e Kosovës.

Çka bëtë ju për klasën punëtore, çka bëtë ju për pleqtë e për veteranë të vërtetë?

Send, veç për gjepat e juaj dhe për dallaveret e juaja. Gjithçka e keni fëlliqur. Deri kur kështu?

Veç mos harroni se ka me ardh nji ditë shpejt dhe do t’ju vejn marre me dalë edhe ne rrugë se çka i bëtë kësaj Kosove të mjerë. Pra e di se shumë kush i ka këto bindje për ju, po ata po heshtin, por nji ditë do të eksplodojnë të gjithë sepse s’do t’mujn me duru më kurrë. Në jetën time se kam mendu se do t’i përcjelli djemtë për rrugëve të Evropës. çka me vyn mua jeta sot ku dy djemtë ikën në Evropë?

Jam invalid i luftës, kush do te kujdeset për mua mbas nji kohe, a ju merr mendja se këta të rinj do të kthehen nji ditë? Kurrë, jo deri kur rinia e Kosovës me bredh rrugëve të Evropës, kjo është k.rimi më i madhi i Kombit tonë.

Mbi 6 milionë shqiptar janë në Turqi, a janë kthy najnjani deri më sot? Mbi 15 milion janë në tërë botën, a janë kthy najnjani deri më tani? Mos harroni se kjo çka po ndodh në Kosovë është k.rimi më i madhi deri me tani. Sot, ne lirinë e Kosovës, në pavarësinë e Kosovës, të ikin rinia e te dalin rrugëve të Evropës.

Kosova shumë shpejt do te jetë veç në pleq. Ju bej thirrje Pushtetarëve, Politikajve, Komandantave e Gjeneralave, se veç për sy e faqe janë tuj punu edhe për gjepa të vet, hapni sytë se Kosova mbaroj.

Ma shumë se asnjëherë, pra lus zotin që t’i kemi femijët mirë kudo që i kemi se për këta njerëz që i kemi, tani në Kosovë, mos mbani ndonji shpresë që do të bëhet mirë.

Me lot ne sy ju shkruaj ,i juaji Babai, vellau, bashkëluftëtari, Invalidi i luftës, Feim Krasniqi.

(Kosova Sot)