Analisti nga SHBA akuza të rënda për Thaçin e Veselin, zbulon qëllimin e vërtetë të tyre

  • 19 March 2019 - 19:28
Analisti nga SHBA akuza të rënda për Thaçin e Veselin, zbulon qëllimin e vërtetë të tyre

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreu i Kuvendit, njëheerit edhe kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, kanë paralajmëruar referendum për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo e cila sipas Thaçit, do të parasheh edhe ndryshim të kufijve të Kosovës dhe ndarje të Kosovës.

E lidhur me këtë, për gazetën “Kosova Sot”, ka folur Ramiz Bojaj, analist dhe njohës i zhvillimeve politike i cili tash jeton dhe vepron në SHBA.

Ai thotë se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë fatkeqësia më e madhe kombëtare e shtetërore e Kosovës, në këtë dekadën e fundit.

“Nën 'sundimin' e këtyre dy politikanëve të nëntokës e të mbitokës, herë më maska e herë pa maska, herë me pushtet e herë pa pushtet, kombi shqiptar në Kosovë ka përjetuar mortajën më të rëndë të shkatërrimit, zvogëlimit të popullsisë, (ikjen masive të të rinjve) izolimit dhe shtet-shpërbërjes. Fillimisht duke okupuar lirinë e Kosovës, e më pas duke kapur resorët më vital të shtetit, kjo klasë sunduese, i solli vendit tonë izolimin, varfërinë, zhgënjimin, militantizmin, seksualizmin, nepotizmin, mashtrimin, duke goditur pa mëshirë vet ekzistencën e shtetit. Mbi këto principe të pafytyrësisë, populli i Kosovës është gënjyer, mashtruar e atakuar në të gjitha segmentet, duke rrezikuar edhe ndryshimin demografik të vendit tonë”, thotë Bojaj për “Kosova Sot”.

Sipas tij, duke kapur e shkatërruar gjithçka, Hashim Thaçi i ndihmuar edhe nga binomi i tij Kadri Veseli, përpos rehabilitimit të militantizmit arrogant klientelist në kupolat e shtetit, tashmë u ka mbetur vetëm edhe shkatërrimi i shtetndërtimit të Kosovës, lëvizja e kufijve dhe shembja e sovranitetit territorial e shtetëror të Kosovës, duke prekur edhe ndryshimet kushtetuese.

“Veprime të tilla antiligjore e antishqiptare bënin vetëm despotët më tiranë (komunistët), gjithnjë për hatër të Serbisë,  (të vulosura nga ish diktatori Sllobodan Millosheviq), të cilët sillnin vetëm fatkeqësi për shqiptarët. Edhe tash binomi Thaçi-Veseli dhe argatët e tyre po bëjnë përpjekje të ndryshojnë kufijtë, kushtetutën, territorin.... vetëm e vetëm për këtë çështje: për hatër të Serbisë! - e që është fatkeqësi për Kosovën dhe popullin shqiptar në këtë pjesë të rajonit të Evropës Juglindore”.

Bojaj, duke folur për “Kosova Sot” ka treguar edhe qëllimin e Thaçit dhe Veselit për referendumin për marrëveshjen me Serbinë.

Image
Ramiz Bojaj

 

“Tentativat e presidentit Thaçi dhe kryeparlamentarit Veseli, për ndryshimin e ligjit për referendum ka për qëllim ndarjen finale të Kosovës në dy etnitete bosnjëzuese: 1- referendumi shqiptar për bashkimin më shtetin tonë të disa pjesëve nga Kosova Lindore (plani serb i Hashim Thaçit); 2 - referendumi i serbëve të Kosovës për ngjitjen e disa komunave tona me shtetin fqinj Serbinë. Ky ishte plan i vjetër serb, plan i Millosheviqit, por edhe i Vuqiçit. Fatkeqësisht ky është plan edhe i presidentit tonë dhe vartësve të tij, e qe shqiptarët me çdo kusht e me çdo çmim duhet ta ndalojnë. Duke thyer principet juridiko-kushtetuese e territoriale, Kosova po merr goditjen më të rëndë në historinë ekzistencës së vet si shtet. Çfarëdo ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës nuk mund të bëhet me proces të referendumit, por vetëm në Kuvend me dy të tretat e votave të shumicës dhe dy të tretat e votave të pakicës”, deklaron Bojaj për “Kosova Sot”.

Për fund, ai thotë se populli duhet të del nga letargjia e të flas me zërin e vet qytetar e njerëzor e t'i thuhet njëherë e përgjithmonë stop shkatërrimit shtëpisë së të lirisë-shtetit.

Lexo edhe: Profesori tregon se si Thaçi e ka shtrirë ndikimin e tij në drejtësinë kosovare

“Kushtetuta e Kosovës, neni 1, pika 3, precizon qartë se “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”. Duke njohur këtë legjislaturë si ndër më të dobëtën dhe më të korruptuarën, gjithçka mund të ndodhë! Ata qe nuk njohin pikë ndalimi duke vjedhur, zhvatur, grabitur, sunduar...... ata qe nuk i njohin as pikat  e veta kufitare, nuk njohin as pika kushtetuese, rregull e as ligj. Aventurat e principeve kaçakçe të klaneve nepotiste sunduese ndalohen vetëm duke i vënë pikën e madhe të ndalimin të sundimit të tyre. Përndryshe, Kosova dhe kombi shqiptar do të përjetojë vetëm tmerr, zhgënjim, skamje, mjerim e izolim.... Populli duhet të del nga letargjia e të flas me zërin e vet qytetar e njerëzor e t'i thuhet njëherë e përgjithmonë stop shkatërrimit shtëpisë së të lirisë-shtetit”, përfundon për gazetën “Kosova Sot”, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Ramiz Bojaj.

(Kosova Sot)