Detajet/ Si u ekzekutua me 20 plumba biznesmeni 33-vjeçar, dyshimet për autorin

  • 21 March 2019 - 14:44
Detajet/ Si u ekzekutua me 20 plumba biznesmeni 33-vjeçar, dyshimet për autorin

Biznesmeni Ferdinant Polia, i njohur në Shkodër me emrin Nardi, është ekzekutuar me breshëri plumbash, ndërsa po provonte një makinë që sapo kishte marrë nga servisi në Grudë.

33-vjeçari, pronar i një bujtine në Theth, ndodhej në makinën e tij fouristradë kur një person me motoçikletë i ka dalë përpara dhe e ka qëlluar disa herë me një armë automatike amerikane “Tomson”.

Menjëherë në vendngjarje mbërriti një ambulancë e Spitalit Rajonal të Shkodrës, që e transportoi drejt urgjencës ku mori ndihmën e parë, por në pak minuta ndërroi jetë, duke mos i përballuar plagët e rënda. 33-vjeçari, sipas burimeve, mësohet se kishte pasur fouristradën e tij në një servis në fshatin Grudë të Njësisë Rrethina.

Viktima bashkë me një person të servisit e ka marrë mjetin e tij për ta provuar, pasi i kishte ndërruar marmitën.

Sapo ka dalë nga servisi, një person me motoçikletë i ka dalë përpara. Fare qetë autori është ulur nga motoçikleta dhe i është afruar fouristradës, teksa në kokë kishte skafandrin. Sapo është afruar, autori ka nxjerrë një armë automatike dhe ka qëlluar në drejtim të Nard Polisë me breshëri.

Polia

Të paktën 20 plumba janë derdhur, pjesa më e madhe në trupin e viktimës, duke e lënë të plagosur rëndë dhe më pas duke ndërruar jetë në spital. Ngjarja, sipas njoftimit të Policisë, ndodhi rreth orës 16:30 në afërsi të fushës së aviacionit në Grudë.

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndë të ndodhur në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje të stilit mafioz.

MOTORI

Pak minuta pas kësaj vrasjeje, Policia mori njoftim se tek Ura e Mesit në Postribë, rreth 15 minuta larg nga vendi ku ndodhi vrasja është gjetur një motoçikletë e djegur. Menjëherë grupi hetimor shkoi edhe atje, duke konstatuar motoçikletën që po digjej dhe që dyshohet se është e autorit që kreu vrasjen.

Autori e ka braktisur motoçikletën në një kryqëzim, ku në një anë vijon rruga drejt Dukagjinit dhe në anën tjetër aksi që vjen drejt Shkodrës apo pak metra më tutje shkon në fshatra të tjerë të Postribës. Policia deri më tani nuk ka ndonjë pistë të mundshme për autorin, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e tij.

Lexo edhe: Protesta para Policisë, reagon ministri Lleshaj, akuza dhe një ftesë për qytetarët

Nisur nga përshkrimi që ka bërë dëshmitari, Policia dyshon se autori i vrasjes mund të jetë me pagesë, duke marrë parasysh vendin ku e kreu vrasjen, qetësinë, veshjen e tij me rroba të trasha, të shtënat vetëm në drejtim të 33-vjeçarit, edhe pse në sediljen tjetër ndodhej një tjetër person që nuk mori asnjë plumb, maskimin me skafandër dhe në fund djegien e motoçikletës, duke humbur çdo gjurmë të mundshme.

(Kosova Sot)