S’ka post për Astrit Haraqinë në Qeveri

  • 21 March 2019 - 15:09
S’ka post për Astrit Haraqinë në Qeveri

Në vazhdën e emërimeve në pozita të koordinatorit, post i ri i instaluar nga Qeveria aktuale, u përfol se një emërim në një pozitë të padëgjuar më parë do të bëhej për ish-ministrin Astrit Haraqija.

Derisa dështoi që të marrë pozitën e drejtorit në ATK, Haraqija u përfol se do të emërohet nga Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj në pozitën e koordinatorit për Trashëgiminë e Ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ish-ministri i Kulturës, sipas disa raportimeve që u bënë dje në media, do të zyrtarizohej udhëheqës në këtë pozitë, në mbledhjen e ardhshme e Qeverisë.

Mirëpo, këta të fundit në një përgjigjje kanë mohuar lajmet madje duke i cilësuar si të pavërteta.

“Nuk ka asgjë të vërtetë në këtë drejtim. Është lajm i pavërtetë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Ish-ministri që ka aktakuzë të ngritur për krim të organizuar në rastin e Lëshimit të vizave nga Ambasada Italiane në Prishtinë, pak muaj më parë kishte konkurruar në postin e drejtorit të ATK-së.

Se a ka marrë ndonjë ofertë nga Haradinaj, ende nuk dihet, pasi që Haraqija që dy ditë nuk ka qenë i çasshëm përmes telefonit.

Deri më tani ai ka qenë ministër, Zëvendësministër, e kryetar i Komunës së Gjakovës.

Lexo edhe: Paralajmëron Vuçiqi, zbulon se çfarë mund t’i vë zjarrin Ballkanit

Kujtojmë që edhe djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova mban pozitën e koordinatorit për ndryshime klimatike dhe çështje të ambientit.

(Kosova Sot)