Vrasja e biznesmenit, flet shoku që ishte me të në makinë: Autori i afrua i qetë, nën xhaketë e kishte dhe…

  • 21 March 2019 - 15:17
Vrasja e biznesmenit, flet shoku që ishte me të në makinë: Autori i afrua i qetë, nën xhaketë e kishte dhe…

Burimet policore bëjnë me dije se biznesmeni Nard Polia është vrarë brenda në makinën e tij pa lëvizur nga sedilja e shoferit. 

Forcat e Policisë menjëherë kanë shoqëruar dëshmitarin e kësaj vrasjeje, Xhovan Mirashi, i cili në momentin kur u qëllua mbi 33-vjeçarin ndodhej në makinë me të. Dëshmitari ka deklaruar se ai sapo kishte dalë me viktimën nga servisi për ta provuar fouristradën me idenë për t’u rikthyer përsëri.

Vetëm pak minuta pas daljes nga servisi, Mirashi ka treguar se është afruar në drejtim të tyre një person me motoçikletë, i cili fillimisht i ka prerë rrugën. Është ulur me qetësi duke iu afruar fouristradës. Sipas burimeve, në atë moment Xhovani i ka thënë Policisë se e ka pyetur viktimën nëse e njihte atë person me skafandër në kokë, por 33- vjeçari i ka thënë se nuk e njihte.

Më pas, Mirashi ka treguar se autori ka nxjerrë armën që e kishte brenda trupit nën xhaketë dhe më pas ka qëlluar në drejtim të Nard Polisë me breshëri plumbash. Dëshmitari ka shpëtuar pa marrë asnjë plumb në trupin e tij, ndërsa ka rrëfyer për Policinë se, i gjendur në atë situatë të vështirë dhe të papritur, vetëm ka ulur kokën dhe ka vendosur dy duart mbi kokë.

Pasi autori ka kryer këtë vrasje është larguar sërish me motoçikletën e tij. Sipas dëshmitarit, autori ishte i veshur me rroba të trasha, ndërsa ishte e pamundur për ta identifikuar për shkak edhe të skafandrit në kokë.

Lexo edhe: Vjedhje spektakolare si kjo në artarinë e Prishtinës nuk keni parë (Video)

Autori ka pasur gjithë kohën e duhur për shkak se vendi ku ndodhi vrasja është një rrugë periferike, e cila nuk ka shumë lëvizje nga banorët atje.

(Kosova Sot)