Politika, komandante e drejtësisë

  • 22 March 2019 - 08:03
Politika, komandante e drejtësisë

 Miftari: Është mafio-oligarkia, është mafia politike që e sundon shtetin, drejtësinë dhe shoqërinë kosovare

 “Sikur të vepronte ligji përmes institucioneve të drejtësisë, në këtë rast Prokuroria Speciale dhe gjyqësia, kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, deri më sot në Kosovën e pasluftës nuk do të ishim në këtë stad ku jemi me degradimin e drejtësisë dhe pafuqishmërinë e saj për t’i luftuar këto fenomene të së keqes që po e sundojnë shoqërinë tonë që nga pas lufta e këndej”, thotë analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”

Kosova ka një kornizë të avancuar ligjore, por problem mbetet zbatimi i saj. Ndikimi politik është sfida kryesore që po e mban peng sundimin e ligjit. Analistët theksojnë se siç ia tha troç Ambasadori amerikan Philip Kossnet, kryeministrit Haradinajt nuk janë ligjet pengesë për luftimin e korrupsionit, por politika e politikanët përmes ndërhyrjeve të tyre.

Sipas analistëve dhe ekspertëve të drejtësisë, zanafilla e gjithë problemit në drejtësi është politika, e cila ka instaluar një kastë gjyqtarësh e prokurorësh që dirigjohen nga politika e inkriminuar. Edhe ndërkombëtarët janë bindur se në Kosovë ndodh gjithçka, përveç sundimit të ligjit. Analistët pyesin se deri kur prokurorët e instaluar nga politika e inkriminuar do të ndjekin dikë për dhjetëra euro e do të lënë në liri dhe luks ata që vjedhin dhjetëra miliona. Gjyqtarët po vazhdojnë të shkelin ligjet me të dyja këmbët, për të sjellë AKTGJYKIME, siç i porosit e urdhëron politika e inkriminuar nga majat e pushtetit të kapur.

Image
Hasan Preteni

Preteni: Njerëzit pa integritet, të largohen

“Ambasadori e përsëriti edhe një herë konstatimin e përgjithshëm. Kosova i ka institucionet, i ka ligjet, por Kosovës po i mungon zbatimi i ligjit. Zyrtarët që kanë përgjegjësi për zbatimin e rendit dhe ligjit janë persona pa integritet dhe me mungesë patriotizmi funksional. Faktori njeri është faktori kryesor e ai po çalon. Edhe në prononcimet e fundit të përgjegjësve institucionalë u premtuan ndryshimet ligjore.

Do të amendamentohet Ligji për Parandalimin e Konfliktit te Interesit, po i njëjti ka hyrë në fuqi vitin e kaluar. Po pse prapë të ndryshojë, cila është ekspertiza, cilat janë mangësitë? U përmend edhe ndryshimi i Ligjit për Deklarimin e Pasurisë, po çka do të fitojmë? Nuk janë problem numri i deklaruesve, por kontrolli i prejardhjes së pasurisë. Ligjet janë të mira, por zbatuesit kanë mungesë integriteti institucional. Do ta luftojmë nepotizmin. Po nepotizmi është kategori morale, ashtu siç janë klientelizmi e “izmat” e tjerë. Nuk mund të pritet nga ata që nuk e zbatojnë ligjin që t’i zbatojnë vlerat e tjera që kanë të bëjnë me etikën, moralin,integritetin,transparencën dhe llogaridhënien.

Njerëzit me integritet nuk korruptohen. Presioni i publikut duhet orientuar drejt largimit nga skena të zyrtarëve pa integritet. Kur këta të tanishmit flasin për luftë kundër korrupsionit, me keqardhje, është njësoj si kur “ prostitutat flasin për moral”, u shpreh aktivisti i shoqërisë civile, Hasan Preteni.

Image
Naim Kelmendi

Politika inkriminuese, pengesë e madhe

Analisti Naim Kelmendi thekson se de fakto në Kosovë nuk janë ligjet pengesë për luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit.

“Mbase mund të konstatohet se kemi ligje të mira e të standardeve evropiane,por këtu pengesë kryesore është edhe politika inkriminuese dhe ndikimet e saj, këtë e ka konstatuar edhe ambasadori amerikan Philip Kossnet, duke ia thënë këtë kryeministrit Haradinaj se, nuk janë ligjet pengesë për ta luftuar korrupsionin e nivelit të lartë institucional dhe krimin e organizuar, por pengesë mbetet politika dhe politikanët përmes ndërhyrjeve politike, kështu që kjo nënkupton se ndikimi i politikës në drejtësi është i madh dhe po mbetet pengesë kryesore në luftën kundër korrupsionit e krimit te organizuar”, u shpreh ai.

“Sikur të vepronte ligji përmes institucioneve të drejtësisë, në këtë rast Prokuroria Speciale dhe gjyqësia kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit deri më sot në Kosovën e pasluftës nuk do të ishim në këtë stad ku jemi me degradimin e drejtësisë dhe pafuqishmërinë e saj për t’i luftuar këto fenomene të së keqes që po e sundojnë shoqërinë tonë që nga pas lufta e këndej, sikur janë kartelet e trafiqeve të tenderëve, droga,korrupsioni, krimi etj., kështu që në mungesë të një sistemi të mirëfilltë e profesional të drejtësisë, njerëzit e nëntokës kriminale në të gjitha format e krimit të organizuar po vazhdojnë ta sundojnë Kosovën kaq gjatë”, vlerësoi më tej Kelmendi.

Sipas tij, mbase sikur po tregohet e pafuqishme edhe Prokuroria Speciale për t’i sjellë para drejtësisë mafiozët e mafio-oligarkisë si dhe ata të mafio-politikës, e që fatkeqësisht po e sundojnë Kosovën. “Sikur po duket, drejtësia kosovare ende i ka veshët e shurdhër në këtë drejtim dhe nuk po vepron ende...ky mosveprim i drejtësisë kosovare sikur po e zgjat agoninë e kësaj drejtësisë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë ai për “Kosova Sot”.

Image
Naim Miftari

Miftari: Mafio- oligarkia sundon shtetin

Analisti tjetër, Naim Miftari thekson se ligjet në Kosovë nuk janë pengesë për luftimin e krimit dhe të korrupsionit, por pengesa janë politika dhe drejtësia e kapur, e drejtuar dhe keqzbatuar nga politika dhe drejtësia e kriminalizuar dhe e korruptuar. “Pra, problemi nuk është ligji, por është sistemi i korrupsionit politik dhe juridik, është mafio-oligarkia, është mafia politike që e sundon shtetin, drejtësinë dhe shoqërinë kosovare. Gjyqtarët e prokurorët janë zgjatime politike të politikës dhe të pushtetarëve shqiptarë, të cilët janë komponent shumë i rëndësishëm i korporatës antiligj dhe antishtet së bashku me politikën.

Ky është realiteti dhe shkaku kryesor i moszbatimit të ligjit, i mosndëritimit të shtetit ligjor. Kjo është edhe pengesa kryesore, e cila e pengon miratimin e VETTING-ut në Kosovë, pasi armiku kryesor i zbatimit të ligjit, demokracisë dhe integrimit janë korrupsioni dhe krimi, papërgjegjshmëria dhe abuzivizmi i politikës dhe i drejtësisë politike të korruptuar e të kriminalizuar”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

Ndërsa njohësi i situatës në drejtësi Naim Miftari vlerësoi se në Kosovë nuk është problem mungesa e ligjit, por ligjvënësit dhe ligjzbatuesit. “Problemi rrjedh nga politika shtetërore e zyrtarëve të kriminalizuar dhe të korruptuar deri në gushë, prandaj fjalët e ambasadorit Kossnet janë të kuptueshme dhe te mirëpritura”, ka vlerësuar Miftari për “Kosova Sot”.

Image
Blerim Burjani

 Burjani:Politika e ka uzurpuar drejtësinë

“Është e qartë se politika e ka uzurpuar drejtësinë, këtë e dinë të gjithë vendorët dhe ndërkombëtarët. Më e çuditshme është kur Kadri Veseli del e flet për korrupsionin, nepotizmin dhe çështjet e tjera që thjesht tingëllon patetike dhe qesharake, madje tingëllon skandaloze kapja e shtetit, kapja e parasë publike, kapja e punësimit në sektorin publik.

Kadri Veseli, Ramushi e Limaj janë përgjegjësit kryesorë për nepotizëm, këta njerëz fshihen pas të tjerëve, partiakëve të tyre dhe familjarëve, po të mos ishte kështu familjarët e partiakët e tyre do të punësoheshin në sektorin privat e jo në atë shtetëror, ku ka paga badihava, punove a s’punove, dite a s’dite paga mujore është e garantuar, madje mbi standardin mesatar.

Ambasadori Kossnet dhe ai britanik kaherë kanë potencuar se nuk janë ligjet e mangëta dhe kodet, problemet janë në moszbatim. Problemi kryesor është moszbatimi”, potencoi analisti Blerim Burjani për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)