Ekzekutimi i biznesmenit/ Zbulohet e shkuara tronditëse që e kishte në Itali

  • 22 March 2019 - 10:06
Ekzekutimi i biznesmenit/ Zbulohet e shkuara tronditëse që e kishte në Itali

Ekzekutimi i biznesmenit nga Thethi, dyshime se lidhet me të shkuarën e tij në Itali. Ferdinant Polia, ose siç njihej ndryshe Nardi, kishte vetëm 3 vite që ishte kthyer nga emigracioni.

Foto e Ferdinant Polias për arrestimin në Itali

32-vjeçari rezulton se ka disa precedentë penalë në vendin fqinj, pasi është akuzuar për trafik droge, shfrytëzim prostitucioni, si dhe për grabitje me dhunë të ndodhura në Trevizo dhe Venecia. Polia fillimisht është ndaluar nga Policia italiane në mars 2010, kur ishte vetëm 23 vjeç. Në atë kohë u hetua si pjesëmarrës në një grup që shiste kokainë për persona të rëndësishëm, politikanë dhe policë.

Sipas mediave italiane, në atë kohë shqiptari rezultonte me precedentë penalë dhe i papunë. Polia arriti ta fitonte shumë shpejt lirinë, ndërkohë që vetëm pak muaj më pas u arrestua sërish. Këtë herë grupit iu kap në flagrancë dhe një sasi prej 2 kg kokainë. Sipas hetuesve, grupi që ishte i përbërë nga italianë dhe shqiptarë arrinte të fitonte rreth 800 mijë euro në vit. Ata shisnin kokainë në klubet e natës, ku një gram ofrohej për 80 euro. Në rastet kur klientet femra nuk kishin para, në këmbim pranohej dhe kryerja e marrëdhënies seksuale.

Në një rast grupi kishte arritur të fuste në kurth një vajzë 17 vjeçe në Trevizo, madje i kishin kërkuar asaj që t’u prezantonte shoqe të virgjëra. Në total, si pjesë e grupit u arrestuan 12 persona, ku gjysma e tyre ishin shqiptarë. Por, ndërkohë që ndodhej në burg, hetuesit italianë zbuluan dhe disa ngjarje të tjera, ku Polia ishte përfshirë. Përveç trafikut të drogës, ai kryente edhe vjedhje.

Në një rast të ndodhur në vitin 2010, Polia madje mbeti i plagosur, pasi kishte hyrë në një banesë me qëllim për të vjedhur. Edhe pse është e paqartë se sa është dënuar në total, i riu nga Thethi ka arritur të rikthehet në Shqipëri në vitin 2015, ku në përfundim të dënimit, autoritet italiane e dëbuan për në vendin e lindjes. Ndonëse kishte bërë një jetë problematike në Itali, në Theth fitoi shumë shpejt një reputacion të mirë. I riu investoi përndërtimin e një bujtine bashkë me familjen e tij.

Përveç kësaj u bë dhe pjesë e administratës shtetërore, duke u emëruar administrator i Zonave të Mbrojtura në Parkun Kombëtar të Thethit, edhe pse rezultonte i dënuar në Itali. Nard Polia, në cilësinë e kësaj detyre, në vitin 2017 u procedua penalisht në gjendje të lirë bashkë me kryeplakun e Thethit, pas konstatimit të një parcele me kanabis nga forcat e Policisë në këtë zonë.

Polia njihej në zonë si një person mjaft aktiv dhe që punonte për të mirën e komunitetit. 32-vjeçari u qëllua ndërsa po provonte makinën që sapo kishte marrë nga servisi në Grudë. Një person me motor e qëlloi atë me breshëri, ndërsa në makinë ndodhej dhe një prej punonjësve të servisit.

Autori dogji motorin dhe më pas është zhdukur pa lënë gjurmë. Nisur nga mënyra e ekzekutimit, dyshohet se kemi të bëjmë me vrasës të paguar. Dyshimet janë se vrasja e Polisë mund të jetë porositur nga shqiptarët me të cilët ka kryer aktivitet kriminal në Itali, për shkak të prishjes së pazareve apo faktin se mund të ketë bashkëpunuar me drejtësinë italiane.

(Kosova Sot)