Profesori ndërkombëtar flet për bastin e rrezikshëm Thaçi-Rama për veriun, ja skenari

  • 22 March 2019 - 16:02
Profesori ndërkombëtar flet për bastin e rrezikshëm Thaçi-Rama për veriun, ja skenari

Blerim Shala, këshilltar i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një intervistë të tij ka paralajmëruar së në rast se Kosova ndërhyn në veri të vendi, atëherë nuk do të këtë marrëveshje me Serbinë. Sipas analistëve politike, kjo deklaratë e Shalës është një skenar parapërgatitjeje që veriu i Kosovës t’i jepet Serbisë. Ata thonë së frika nga Gjykata Speciale e Hashim Thaçit, ka bërë që ai të insistojë në çdo mënyrë që veri i Kosovës t’i falet Serbisë.

E lidhur me këtë çështje, për gazetën “Kosova Sot” ka folur profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Ai thoi se shqiptarët në Kosovë dhe ata të tjerët jashtë saj prej më shumë se një viti ndodhen nën presionin e paprecedentë të presidentit Hashim Thaçi në llogari të Serbisë.

“Shikoni. Këshilltari I tij, Blerim Shala, i përzgjedhur jo rastësisht nga ana e Thaçit për të qenë dikur koordinator I dialogut, me gojën plot, pa patur asnjë ndjenjë turpi I bën presion qeverisë së vendit të tij, që të ketë kujdes se “Të mos e zëmërojë Serbinë”! Është vërtet një zhvillim i pamendueshëm. Një llogari e hapur midis institucionit të presidentit të Kosovës dhe institucionit të presidentit të Serbisë. Është një koordinim I dhunës verbale mbi Kosovën nga ana e të dy aktorëve të lartpërmendur”, thotë ai për “Kosova Sot”.

Sipas tij, tragjedia qëndron në atë se presidenti i Kosovës nuk është më interpret i interesave të Kosovës, por është bërë hapur interpret i interesave të Serbisë.

“Nuk ka ndodhur kurrë më parë, as në kohën e para viteve 1966, pra as në kohën e Mehmet Hoxhës, që një politikan i lartë i Kosovës, kësaj radhe vetë kreu i shtetit, të marrë në mbrojtje kaq paturpësisht e me kaq gjakftohtësi interesat territorial të Serbisë, duke vepruar dhe punuar ethshëm, me të gjitha mënyrat, me të gjitha mjetet, për tjetërsimin e territorit të Kosovës. Brezi i sotëm i shqiptarëve është brezi më fatkeq në historinë e 110 viteve të fundit, sepse këtij brezi po i takon fati i keq ta sodisë nga ekrani i televizionit tradhtinë e paskrupullt e të hapur të presidentit të vet, Hashim Thaçi”, shprehet më tej Bytyçi për “Kosova Sot”.

Sipas profesor Bytyçit, Thaçi dhe Rama po veprojnë në kushtet e një loje basti.

“Në këto kushte opinion publik dhe institucionet e Kosovës do të duhet të jenë shumëfish vigjilentë. Nëse ka një lloj optimizmi të rezervuar për atë se agjenda e ndarjes së Kosovës është dobësuar, nuk ka asnjë siguri për atë se përmes një konspiracioni midis Thaçit, Vuçiqit dhe Edi Ramës mund të destabilizohet veriu i Kosovës dhe të krijohen kushtet e favorshme për ndarjen e saj. Thaçi dhe Rama po veprojnë në kushtet e një loje basti. Që do të thotë: Kanë vënë bast që Kosovën ta ndajnë. Këta që janë kundër humbasin këtë bast, ndërsa dy armiqtë më të mëdhenj të kombit shqiptar, Thaçi dhe Rama, me ndarjen e Kosovës do ta fitojnë bastin. Është bast që Rama dhe Thaçi e kanë vënë me dorëzan Aleksandër Vuçiqin. Shihet qartë se lufta e shqiptarëve nuk është më kundër Serbisë dhe politikës së saj antishqiptare, kjo luftë ka ndërruar terren dhe është instaluar në dy kryeqytetet shqiptare, në Tiranë dhe në Prishtinë. Kush nuk e sheh këtë betejë e këtë luftë ai është qorr. Kush e sheh dhe bën sehir, ai është armik i fëmijëve të vet. Kush e sheh dhe lufton kundër të keqes ë të madhe që përplas shqiptarët në pushtet, ai është dhe do të mbetet luftëtar i lirisë e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës”, deklaron ai.

“Me shumë mundësi Thaçi, Rama dhe Vuçiqi po shohin se po ju rrëshqet toka nën këtë në projektin që duan të realizojnë. Ata kanë kundër dy vendet më të fuqishme të kontinentit evropian, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe. Ndërkaq Thaçit iu qorr maska te amerikanët, sepse u zbulua mashtrimi që ai i ka bërë administratës amerikane. Ka pushuar presioni për taksën. Ka pushuar dhe është paralizuar marrëdhënia e presidentit të Kosovës me lobin serb në SHBA. Për pasojë po shuhen shpresat për një mbështetje ndërkombëtare për realizimin e projektit për Serbinë e Madhe”.

Për fund, Bytyçi ka thënë se këta të tre me shumë gjasa mund të venë në veprim skenarin e ndarjes de facto të veriut të Kosovës.

“Veriu i Kosovës duhet integruar juridikisht e praktikisht në institucionet dhe strukturat e vendit. Kjo bëhet me veprime konkrete, jo e ushtri. Ndalo serbët e Beogradit të hyjnë në Kosovë dhe gjithçka shkon në rregull. Ndryshe Thaçi e miqtë e tij në Beograd e Tiranën e Edi Ramës do të sajojnë skenarin e destabilizimit për t’ia dhënë Serbisë Trepçën, Ujmarin dhe territore të tjera e pasuri të mëdha të shqiptarëve. Këta të tre do ta bëjnë këtë edhe për një arsye të thjeshtë: Ata janë vënë në shënjestër të goditjeve fatale të qytetarëve në vendet e veta. Te tre këta janë shndërruar në udhëheqës autoritarë dhe arrogant, nuk njohin ligje e as drejtësi. Të tre këta janë intrigantë klasi, deri te intriga e Thaçit për deportimin e gulenistëve turq. Nëse Thaçin nuk do ta dënojnë shqiptarët, ka për ta dënuar zoti, sepse ka çuar në burg qytetarë të pafajshëm në mënyrë të paligjshme. Në këto kushte, të tre këta kanë interes imediat të destabilizojnë rajonin me qëllim që të rifitojnë mbështetjen e humbur ndërkombëtare. Thaçi ka dhe arsyen e Gjykatës Speciale. Mos harrojmë se Vuçiq akoma nuk e ka dorëzuar dosjen kundër Thaçit në këtë gjykatë. E mban në Beograd për ta detyruar presidentin e Kosovës që të punojë për interesat e Serbisë. Ndërkaq Rama dhe Thaçi qëllimisht e kanë rrethuar veten me spiunë serbë, por shqipfolës!”, përfundon për gazetën “Kosova Sot”, profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

(Kosova Sot)