Detaje tjera nga MPB për legalizimin e armëve

  • 22 March 2019 - 16:43
Detaje tjera nga MPB për legalizimin e armëve

Vendimi për legalizimin e armëve është lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe të gjithë ata që posedojnë armë pa leje mund t’i legalizojnë prej datës 17 Dhjetor 2018 deri më 17 Qershor 2019.

Ministria e Punëve të Brendshme ka treguar detaje tjera në lidhje me këtë çështje.

Të dhëna statistikore për komunat që paraqesin më së shumti kërkesa deri më tani janë Prishtina, Prizreni Gjilani, Peja kurse me më pak kërkesa janë Graçanica, Deçani, Shtime etj.

Në pyetjen se a pritet të ketë kërkesa të konsiderueshme, MPB është përgjigjur se janë duke bërë kampanjë për këtë.

“Ne shpresojmë se për periudhën gjashtëmujore do të kemi kërkesa të konsiderueshme për legalizim, në kuadër të këtij procesi kemi edhe kampanjën informuese me intervista, me pjesëmarrje të ekspertëve nëpër këshillat komunale të sigurisë në bashkësi që mbahen në shumicën e komunave të Republikës së Kosovës, përmes rrjeteve sociale, videospoteve televizive etj.” thuhet në përgjigjen e tyre.

Në bazë të statistikave, në Kosovë gjinden rreth 250.000 armë ilegale në posedim të qytetarëve. Ky numër është me i vogël për rreth 100.000 armë që nga koha e hulumtimit paraprak në të cilin kanë qenë rreth 360.000 armë ilegale.

Faktorët që kanë ndikuar në zvogëlimin e këtij numri janë disa. Fillimisht miratimi i ligjit për armët i cili mundëson që qytetarët të pajisen me armë në mënyre legale. Gjithashtu Policia e Kosovës konfiskon çdo vit rreth 1500 arme ilegale. Një kontribut te rëndësishëm ne zvogëlimi e armeve ilegale jep edhe shkatërrimi i armeve i cili behet çdo vit.

Janë rreth 16 kompani të cilat merren me trajnimin për përdorim të sigurt të armës dhe çmimet variojnë nga 150 deri 250 euro për pistoletën.  Ndërsa ndërmjet 80 deri 150 euro është çmimi  për dy trajnimet e armëve të gjata për gjueti.

Për problemet e qytetarëve gjatë procesit, MPB ka ngritur strukturat për çdo problem që mund të hasin qytetarët rreth procesit të legalizimit. Në shërbim të qytetarëve është edhe numri pa pagesë 0 800 11 800 nga ora 09:00 deri 16:00 çdo ditë pune.

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur edhe kriteret që duhet plotësuar personi për legalizim të armës.

Kriteret për person fizik

1. Personi fizik që aplikon për legalizim të armës, apo për legalizim të armës me qëllim çaktivizimi, duhet t’i plotësojë këto kritere:

1.1. të jetë shtetas i Republikës së Kosovës, apo i huaj me leje qëndrim të përhershëm;

1.2. të ketë mbushur moshën njëzetenjë (21) vjeçare, të vërtetuar me letërnjoftim apo dokument tjetër me fotografi të lëshuar nga MPB-ja;

1.3. vërtetimin e të kaluarës kriminale;

1.4. vërtetimin nga gjykata që nuk është i dënuar me vendim të formës së prerë.

2. Kriteret shtesë me qëllim të marrjes së lejes përkatëse janë:

2.1. dëshmia për aftësi të plotë ligjore për veprim;

2.2. dëshmia se ka aftësi psikofizike;

2.3. dëshmia se ka të kryer testin teorik dhe praktik për përdorimin e armës;

2.4. dëshmia për anëtarësi të rregullt, i certifikuar si gjahtar në shoqatën e gjahtarëve. Ky kriter vlen vetëm për rastet kur arma legalizohet për qëllim gjahu

(Kosova Sot)