Pushtetarët kosovarë amnistojnë regjimin kriminel serb,kërcënojnë gazetën e pavarur

  • 23 March 2019 - 07:22
Pushtetarët kosovarë amnistojnë regjimin kriminel serb,kërcënojnë gazetën e pavarur

Qarri: 20 vjet pas djegies,shkatërrimit dhe ndalimit të gazetës "Kosova Sot" sërish tani po kërcënohet, por kësaj radhe përmes “sekserëve” të ish-SHIK-ut me mbyllje të gojës

“Edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga kur në gjykatë është dorëzuar padia kundër Serbisë për dëme të luftës nga "KOSOVA SOT", as që është marrë parasysh dhe as nuk është shqyrtuar seriozisht nga gjyqësori i instaluar me arsyetimin se nuk janë kompetentë, duke e udhëzuar pronarin e gazetës me aktvendim të prerë që padinë ta dërgojë në gjykatat e Serbisë në Beograd.

Kjo qasje antiligjore dhe antihumane e pushtetarëve në Prishtinë ndaj bizneseve shqiptare, në këtë rast ndaj gazetës "KOSOVA SOT", paraqet fyerjen e rëndë dhe sulm psikologjik palëve të dëmtuara nga regjimi okupues i Serbisë. Tendenca e hapur e krerëve të shtetit për t'ia falur dëmet e luftës Serbisë, përveçse papërgjegjësi institucionale, paraqet kulmin e marrëzisë dhe idiotësisë politike. Gjyqësori kosovar bashkë me pushtetin, duke refuzuar padinë e dëmeve të luftës ndaj Serbisë, janë bërë palë me krimin e Milosheviqit kundër të drejtave të qytetarëve dhe bizneseve që pësuan gjatë luftës së fundit në Kosovë”, thotë analisti Florim Zeqa për gazetën “Kosova Sot”

Më 24 mars 1999, regjimi kriminal serb pasi që kishte dënuar gazetën ‘Kosova Sot’, si dhe kishte ndaluar duke e konfiskuar në të gjitha pikat e shitjes në tërë Kosovën, pikërisht në ditën e parë të bombardimeve të NATO-s, vetëm dy orë pasi që filluan bombardimet, si cak të parë të shkatërrimit e zgjodhën gazetën ‘Kosova Sot’ dhe shtypshkronjën në mbi 3000 metra katrorë, me pajisjet më të avancuara në rajon, ku përveç gazetës shtypeshin shumica ose mbi 8o% të librave shkollorë e tërë dokumentacioni pedagogjik shkollor: ditarëve, librezave, indekseve dhe materialeve tjera shkollore në gjuhën shqipe.

Edhe pse regjimi i Milosheviqit dogji dhe shkatërroi mbi 5 milionë euro pajisje të gazetës ‘Kosova Sot’, edhe pse kanë kaluar 20 vjet, edhe pse në gjykatë është dorëzuar padia kundër Serbisë për dëme të luftës, qysh para 20 vjetësh, e njëjta as që është marrë parasysh dhe as nuk është shqyrtuar seriozisht nga gjyqësori i instaluar me arsyetimin se nuk janë kompetentë, duke na udhëzuar me aktvendim që padinë ta dërgojmë në gjykatat e Serbisë në Beograd. Pushtetarët, Hashim Thaçi &Co, po tentojnë me çdo kusht që t`ia falin dëmet e luftës, Aleksandër Vuçiqit të tyre. Për 20 vite pas lufte, asnjëherë nuk pati dëmshpërblim për dëmet e luftës të bëra qytetarëve dhe bizneseve gjatë luftës në Kosovë, përfshirë edhe djegien e shtypshkronjës së gazetës ‘Kosova Sot’. Analistët alarmojnë se dy dekada pas këtij krimit makabër të ish-qeverisë së Serbisë, si pushteti ashtu edhe drejtësia po sillen identike siç u sollën atëherë ish-pushteti kriminel serb.

Image
Ragip Guraziu

Guraziu: “Kosova Sot” e pësoi më së rëndi

Analisti Ragip Guraziu vlerëson se gazeta “Kosova Sot”, krahasuar me gazetat tjera nga regjimi kriminel serb, ka pësuar shumë keq, deri në kallje të objektit dhe falimentim, por u ngrit në këmbë falë qëndrueshmërisë së vetë botuesit pa u financuar nga askush.“Siç dihet, më 24 mars 1999, regjimi kriminel serb pasi që kishte dënuar gazetën ‘Kosova Sot’, si dhe kishte ndaluar duke e konfiskuar në të gjitha pikat e shitjes në tërë Kosovën, pikërisht në ditën e parë të bombardimeve të NATO-s, vetëm dy orë pasi që filluan bombardimet, si cak të parë të shkatërrimit e zgjodhën gazetën dhe shtypshkronjën në mbi 3000 metra katrorë, me pajisjet me të avancuara në rajon, ku përveç gazetës shtypeshin shumica ose mbi 8o% të librave shkollorë e tërë dokumentacioni pedagogjik shkollor: ditarëve, librezave, indekseve dhe materialeve tjera shkollore në gjuhën shqipe”, u shpreh ai.

“Edhe pse për 20 vjet pas lufte asnjëherë nuk pati dëmshpërblim për demet e luftës të bëra qytetarëve dhe bizneseve gjatë luftës në Kosovë, përfshirë edhe djegien e shtypshkronjës së gazetës ‘Kosova Sot’, ku vlera e dëmit vetëm në këtë rast kalon vlerën 5 milionë euro, si dhe pse dhe askush nga sistemi i drejtësisë e shteti në përgjithësi nuk e mori mundimin që të kërkojë vendosjen e drejtësisë për krimin e ndodhur”, vijoi më tej Guraziu.“Kështu është bërë gjyqësori kosovar bashkë me pushtetin, duke refuzuar paditë e dëmeve të luftës, palë me krimin e Milosheviqit, e jo mbrojtës të ligjit e drejtësisë se qytetarëve e bizneseve, për gjithë këto vite “dialog” me Serbinë, e as tani më të famshmin ekip negociator nuk kërkohet dhe kushtëzohet dëmshpërblimi i dëmeve të luftës?

Si po sillen edhe tani 20 vjet pas këtij krimi makabër të ish-Qeverisë së Serbisë, si pushteti ashtu edhe drejtësia, identik siç u sollën atëherë ish-pushteti kriminel serb, që para 20 vjetësh e ndaluan gazetën “Kosova Sot” pa procedure gjyqësore dhe ia dogjën shtypshkronjën, ndërkaq tani pushtetarët e inkriminuar për shkak të politikës së pavarur editoriale të gazetës dhe kritikave ndaj të gjitha partive, po kërcënojnë gazetën edhe përmes “sekserëve të tyre” te ish-SHIK-ut me mbyllje të gojës ose që gazeta të ndalohet se botuari nga vet ne, kjo do ishte dhurata e pushtetit edhe pse gazeta ‘Kosova Sot’ e para në Kosovë, në vend shpërblimit, pushteti aktual afron kërcënimet?!!”, vlerësoi Guraziu.

Në teh të thikës

Analisti tjetër, Reshat Badallaj, thekson se “Kosova Sot”, gjatë luftës ishte e vetmja shpresë për qytetarët e Kosovës dhe më gjerë, sepse mbante shpirtin gjallë të kombit dhe ishte vënë drejtpërdrejt pa pasur frikë fare në anën e popullit liridashës dhe në anën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe pse e dinte rrezikun që i kanosej nga regjimi gjakatar serbian dhe nga shqipfolësit, përkatësisht argatët me tradita të moçme të Serbisë fashiste.“Gazeta vazhdoi me këmbëngulësi rrugën e saj në anën e popullit dhe luftës, që bëri si ajo a mund të jetojë njeriu pa ujë, pa ajër, aq pa gazetën "Kosova Sot", por mu për këtë u bë halë në sy në regjimin gjakatar të kasapit Slobodan Milosheviq dhe drejtoi shigjetat drejt gazetës dhe stafit të saj.

Nuk vonoi shumë dhe langonjtë u nisen drejt shtëpisë botuese për t´ia vërë drynin dhe që të mos e sheh dritën, ose për të shpëtuar, të pranojë që të kthehet në anën e pushtuesit për të mos ia parë sherrin, por nuk pranoi t´ia kthejë shpinën popullit dhe luftës drejt lirisë. Por, stafi i saj ishte i palëkundur, edhe pse ka pritur që do ia vënë flakën, assesi nuk pranoi si disa paçavure tjera antikombëtare dhe paçavure që jepte popullin dhe Kosovën, pajtoheshin për autonomi vetëm të mbijetonte gazeta e Sorrosit pro serb. Stafi përpos kapitalit milionësh vuri edhe jetën në rrezik, në teh të thikës, komplet të stafit dhe nuk kthehej mbrapsht, kundër kombit dhe kundër UÇK-së që jepte shpresë se do të vijnë ditët me të mira dhe kjo filloi të lexohej edhe ilegalisht”, vijon më tej Badallaj.

“Duke parë se janë të palëkundur si trung, këlyshi i kasapit dhe gjakësorit, Slobodan Milosheviq, që quhej Aleksandar Vuçiq, japin urdhër të mos botohet, të mos bjerë në dorën e lexuesit se është rrezik i madh sipas tyre duke e konsideruar barabar me pushkët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu që japin urdhër t’i vihet flaka dhe të bëhet shkrumb e hi, duke lënë vetëm gërmadha si të ishte në Kandahar. Flaka mori me vete jo më pak se 5 milionë euro. Përpos makinerisë, flakët morën me veti edhe gjuhën shqipe, sepse aty botoheshin edhe librat me vlerë. Por kasapxhinjtë dhe langonjtë serbianë nuk e mblodhën mendjen se kjo gazetë do të bëhet më e fuqishme dhe do të jete vdekjeprurëse kundër këtyre pushkaxhinjve dhe langonjve shqipfolës.

Sa filluan bombardimet e Aleancës së NATO-s, Serbia fashiste, në pamundësi për t´iu kundërvënë atyre ia mësyn gazetës dhe shtypshkronjës së "KOSOVA SOT" dhe ishin të pamëshirshëm dhe shkatërruan deri në themel se kishte informacione të hershme nga zagaret shqipfolës dhe njerëzit e Slobodan Milosheviqit se kjo gazetë futet përpos në shtëpitë e ngujuara të shqiptarëve për të lexuar, përcillej edhe nëpër malet më të thella, ku nuk shkel këmbë njeriu dhe nëpër istikame të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ushtarët e mbanin nën kokën e tyre dhe zgjoheshin me të”, ka thënë analisti Reshat Badallaj.

Image
Reshat Badallaj

Badallaj: Gazeta nuk pranon medalje nga kuislingët

“Gazeta nuk pranon medalje nga kuislingët që shesin shpirtin e tyre, që shesin tokat e Kosovës që janë mbrojtur me gjak, që po e gëzojmë lirinë sot. Sepse e vetëdijshme që të mos futet bashkë me mbeturinat dhe argatët e Serbisë fashiste dhe sllavo-ortodoksët jugorë, nuk deshi të futej bashkë me plehun e historisë dhe jashtëqitjen e kombit, nuk deshi të futet bashkë me ata që ecin në udhën e tradhtisë dhe të vdesin me damkën e zezë që dora e mallkimit dhe e popullit do t´i ndjekë kudo që të shkojnë...

Gazeta dhe stafi i "KOSOVA SOT" nuk i lidh ushkurët bashke me hajnat e shtetit dhe të popullit, por ka vendosur të ecë drejt me popullin. Do ta ndaj të mirën e të keqen bashkë me ta, sepse populli e vendosi që të jetë e para kundër bandave dhe klaneve mafioze që e mashtruan popullin dhe vrapojnë duke ndare pazaret, tamam si i ndajnë copat e mercinave, zagarët dhe langonjtë. Bandat shtetërore u futën në pazare me gjakësorët kriminelë serbianë pa kushte fare, nuk kërkuan ata që të kërkojnë falje, nuk kërkuan as për të pagjeturit, as për demet e luftës, as për krimet dhe as për dhunimet. Stafit dhe gazetës nuk ka mundur t´ia mbyllë gojën as regjimi me vrastar i kasapit Slobodan Milosheviq, kur e dënoi dhe e dogji e vazhdoi edhe me ngulm, e lëre me kjo jashtëqitje e kombit që po e vjedh e po e shet Kosovën”, potencoi Reshat Badallaj në “Kosova Sot”.

Image
Florim Zeqa

Zeqa: Presioni ndaj gazetës “KOSOVA SOT” vazhdon edhe pas dy dekadash

Analisti Florim Zeqa potencoi se vetëm dy orë nga fillimi i bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe pushtetarët e atëhershëm cak të parë të shkatërrimit e zgjodhën gazetën "KOSOVA SOT" dhe shtypshkronjën në mbi 3000 metra katrorë, me pajisjet më të avancuara në rajon, ku përveç gazetës shtypeshin shumica ose mbi 80% të librave shkollorë e tërë dokumentacioni pedagogjik shkollorë: ditarëve, librezave, indekseve dhe materialeve tjera shkollore në gjuhën shqipe me logon e Republikës së Kosovës. “Pra, nuk ishte e rastësishme pse regjimi i Milosheviqit dogji dhe shkatërroi mbi 5 milionë euro pajisje të gazetës "KOSOVA SOT".

Edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga kur në gjykatë është dorëzuar padia kundër Serbisë për dëme të luftës nga "KOSOVA SOT", as që është marrë parasysh dhe as nuk është shqyrtuar seriozisht nga gjyqësori i instaluar me arsyetimin se nuk janë kompetentë, duke e udhëzuar pronarin e gazetës me aktvendim të prerë që padinë ta dërgojë në gjykatat e Serbisë në Beograd. Kjo qasje antiligjore dhe antihumane e pushtetarëve në Prishtinë ndaj bizneseve shqiptare, në këtë rast ndaj gazetës "KOSOVA SOT", paraqet fyerjen e rëndë dhe sulm psikologjik palëve të dëmtuara nga regjimi okupues i Serbisë.

Tendenca e hapur e krerëve të shtetit për t'ia falur dëmet e luftës Serbisë, përveçse papërgjegjësi institucionale, paraqet kulmin e marrëzisë dhe idiotësisë politike. Gjyqësori kosovar bashkë me pushtetin, duke refuzuar padinë e dëmeve të luftës ndaj Serbisë, janë bërë palë me krimin e Milosheviqit kundër të drejtave të qytetarëve dhe bizneseve që pësuan gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po të mos ishte kështu, për 8 vjet dialog me Serbinë në Bruksel, pikënisje e çdo takimi do duhej të ishte dëmshpërblimi apo kërkesa për dëmet e luftës drejtuar Serbisë. Ngjashëm siç u soll atëherë ish-pushteti kriminel serb, që para 20 viteve e ndaluan gazetën “KOSOVA SOT” pa procedurë gjyqësore dhe ia dogjën shtypshkronjën, edhe tani pushtetarët e inkriminuar për shkak të politikës së pavarur editoriale të gazetës dhe kritikave ndaj të gjitha partive, po kërcënojnë gazetën edhe përmes “sekserëve të tyre” të ish-SHIK-ut me mbyllje të gojës ose që gazeta të NDALOHET se botuari nga vetë editori”, vlerësoi Zeqa.

Image
Gani Qarri

Qarri: "Kosova Sot", përmes “sekserëve” të ish-SHIK-ut, kërcënohet me mbyllje të gojës

Analisti Gani Qarri thotë se më 24 mars të vitit 1999 regjimi kriminel serb, vetëm pak ditë pasi kishte dënuar gazetën “KOSOVA SOT”, si dhe ndaluar botimin e saj, duke e konfiskuar atë në të gjitha pikat e shitjes në tërë Kosovën, mu në ditën e parë të bombardimeve të NATO-s, dhe vetëm dy orë pas fillimit të sulmeve ajrore të Aleancës, si cak të parë të shkatërrimit zgjodhi gazetën “KOSOVA SOT” dhe shtypshkronjën e saj, në mbi 3000 metra katrorë, me pajisjet më të avancuara të kohës në rajon.

“Shkas për djegien dhe shkatërrimin e çdo gjëje që i takonte dhe kishte të bënte me editorin dhe vetë gazetën ‘Kosova Sot’, ishte fakti se aty shtypeshin shumica dhe deri mbi 80% e të gjitha librave shkollore, në Kosovën asokohe të pushtuar nga Serbia. Në ato vite të rënda të okupimit klasik, "Kosova Sot" bënte botimin e tërë dokumentacionit pedagogjik shkollor: ditarëve, librezave, indekseve dhe materialeve tjera të nevojshme arsimore, për shkollat e ndaluara në gjuhën shqipe, nga regjimi pushtues i kriminelëve Milosheviq dhe Vuçiq. Ky i fundit madje (Aleksandar Vuçiq) ishte edhe ministër i informacionit të Qeverisë së Milosheviqit dhe këtij shteti okupator, me urdhër të të cilit ndodhën të gjitha veprimet piromane kundër kombëtares "Kosova Sot". Për fat të keq, edhe sot, në vendin tonë nuk dihet se për çfarë sundimi të ligjit mund të flitet, kur edhe në Kosovën e pasluftës, edhe pse regjimi i Milosheviqit dogji dhe shkatërroi mbi 5 milionë euro pajisje të gazetës “KOSOVA SOT” dhe megjithëse tanimë po kalojnë mbi 20 vjet nga ajo kohë e trishtë, padia e dorëzuar në gjykatat vendore kundër Serbisë për demet e luftës, të qysh para dy dekadave, jo vetëm se nuk është marrë fare parasysh, por as nuk është shqyrtuar seriozisht nga gjyqësori i kapur dhe i instaluar politik vendor”, theksoi Qarri.

“Për aq më tepër, po ky sistem i ashtuquajtur i “drejtësisë” me arsyetimin banal se kinse gjyqësori i Kosovës nuk qenka kompetent për padi të qytetarëve të vet kundër dëmeve dhe krimeve të Serbisë në vendin tonë, shkon deri atje me turpet e veta, sa ta udhëzojë edhe me aktvendim editorin që padinë ta dërgojë në gjykatat serbe në Beograd, sikur Kosova të ndodhej ende nën sundimin e Serbisë”, ka shtuar më tej ai. Sipas Qarrit qëndrimet e tilla kaq të çuditshme si ky i gjyqësorit të kapur e të dëshmuar qëmoti, si të paaftë e të pazotin, për veprime dhe vendime drejtësie të njëmendtë, dëshmojnë edhe një herë më tepër, se pushtetarët aktualë, Hashim Thaçi &Co, po tentojnë me çdo kusht që t`ia falin të gjitha dëmet e luftës "dostit" të tyre, Aleksandar Vuçiqit.“Është e pamundur dhe plotësisht e palejueshme që të falen dëmet e luftës dhe të mos bëhet asgjë për kompensimin adekuat të humbjeve aq të mëdha të qytetarëve, por edhe të bizneseve si gazeta “Kosova Sot”, që kanë pësuar dëme milionëshe nga Serbia e kasapët Milosheviq dhe Aleksandar Vuçiq, i cili si bashkëpunëtor, ministër dhe trashëgimtar besnik i Milosheviqit, ka kohë që udhëheq vetë Serbinë.

Ndaj vetëm duke parë lojalitetin dhe nënshtrimin total të Hashim Thaçit & CO ndaj Vuçiqit, mund të kuptohet se pse edhe për 20 vjet pas lufte asnjëherë nuk pati dëmshpërblim për dëmet që Serbia u shkaktoi qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë, përfshirë edhe djegien e shtypshkronjës së gazetës “KOSOVA SOT”, ku dihet se vlera e demit vetëm në këtë rast kalon shumën e 5 milionë eurove. Fatkeqësisht gjyqësori i kapur kosovar bashkë me pushtetin e shitur, me refuzimin e padive për kompensimin e dëmeve të luftës, janë bërë hapur palë me krimin e Milosheviqit dhe jo mbrojtës të ligjit e drejtësisë së qytetarëve dhe bizneseve në vendin e tyre, të cilin që nga paslufta pa të drejtë e sundojnë në mënyrën më mafioze. Për aq më keq pushtetarët e inkriminuar vendorë dhe mafio-politika që ka kapur fund e krye, të gjithë shtetin e Kosovës, për shkak të politikës së pavarur editoriale të gazetës numër një në Kosovë -"Kosova Sot" dhe kritikave të bazuara në fakte dhe argumente ndaj të gjitha partive politike pa dallim, edhe tani, sikur kjo të ishte fajtor për korrupsionin galopant, matrapazllëqet me tender e punësime nepotike, vjedhjet, plaçkitjet dhe të gjitha llojet e krimit të organizuar në vend, vijojnë ta kërcënojnë hapur gazetën kombëtare "Kosova Sot" përmes “sekserëve të ish-SHIK-ut me mbyllje të gojës me metodat e njohura nga ta, ose që gazeta të NDALOHET se botuari nga vetë editori, shkaku i kërcënimeve”, theksoi analisti Gani Qarri për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)